Si shpenzohen para të taksapaguesve, Pagesa të bashkive përmes Transaksione Thesari

Ku shkojnë para të taksapaguesve? Për çdo bashki apo institucion buxhetor në vend, databaza e mirëstrukturuar për Pagesa Thesari bën të mundur transparencë të plotë për çdo pagesë të bërë nga Thesari i Shtetit drejt Klientëve. Sistemi ka të dhëna autentike me burim Ministrinë e Financave por ofron një mirëstrukturim që filtron të dhënat sipas kërkimit me datë pagese, kategori shpenzimi, subjekt përfitues, numër dhe përshkrim fature, kategori dhe vlere. Për çdo bashki taksapaguesit dhe qytetarët mund të monitorojnë pagesat buxhetore duke vendosur në filtrin e kërkimit për autoritetin pagues, emërtesën e bashkisë apo institucionit buxhetor që dëshirojnë të monitorojnë. Të dhënat janë të plota që prej vitit 2012.

Tendera dhe Kontrata, njihu me projekte dhe punë civile për çdo bashki

Nga korrik 2015 datë e fillimit të funksionimit të 61 Bashkive sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative deri korrik 2018, Bashkitë kanë prokuruar mbi 18 mijë kontrata për blerje mallrash, porosi shërbimesh, realizimi punë publike, qiradhënie, ankande apo kontrata koncesionare Partneritete Publike Private. Në databazën Open Procurement Albania për secilin tender është krijuar një pasaportë me të dhëna në formatin OpenContracting. Gjithashtu databaza ofron informacion të mirëstrukturuar dhe me mundësi të kërkimit të prokurimeve sipas autoritetit prokurues, konkurrentit fitues, vlerës, llojit të kontratës, nivelit të konkurueshmërisë, datës së shpalljes së tenderit etj. Sistemi ka edhe një strukturë algoritmi ku çdo kontratë i nënshtrohet një skanimi automatik dhe në bazë të disa kritereve tenderi markohet me RedFlag. Algoritmi redflag ka markuar 10% të totalit të tenderave të bashkive duke shfaqur kështu raste me risk për mungesë gare, pabarazi, favorizim dhe abuzim ekonomik. Të dhënat e databazës janë të përdorura në dhjetëra shkrime investigative në median shqiptare.

AIS rrit transparencën për Bashkitë, Viti elektoral monitoro 4 vite performancë

Organizata AIS është promotore e transparencës dhe e të dhënave të hapura. Databaza të krijuara dhe mirëmbajtura prej saj, krijojnë mundësi për të monitoruar shpenzime, prokurime, menaxhim të aseteve publik dhe shpërndarje të buxheteve edhe sipas njësive të qeverisjes vendore. Në korrik 2018 shënohen plot tre vite nga fillimi i punës së Bashkive, sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative. Ky vit mund të quhet fare mirë edhe viti elektoral që mban zgjedhjet lokale 2019. AIS fton qytetarët, aktivistët dhe gazetarët të monitorojnë punën dhe integritetin e drejtuesve të Bashkive, edhe përmes databazave me të dhëna transparente në format opendata, të lehta për tu gjetur, përdor dhe ripërdorur.