AIS i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, Shqipëria nuk garanton gjykim në afat të arsyeshëm (neni 6 KEDNJ)

Në datën 09.06.2015 Instituti Shqiptar i Shkencave i dërgoi tre subjekteve zgjedhore kryesore, përkatësisht Partisë Socialiste (PS), Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) kërkesën zyrtare me shkrim në të cilën kërkonte prej secilit prej këtyre subjekteve informacion për:

a) listën e dhuruesve të fondeve jopublike që kishin përfituar prej datës 21 maj 2015 dhe që janë mbi shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë ose shërbime apo sende të barazvlershme me të;
b) listën e çdo shpenzimi që kishin kryer eventualisht prej datës 21 maj 2015 me fondet vjetore të përfituara nga buxhetit i shtetit 2015.

Subjektet zgjedhore të sipërcituara e morrën kërkesën në datën 10 – 11.06.2015 dhe kjo vërtetohet me dëftesat postare të marrjes së kërkesës.
Subjektet zgjedhore të mësipërme nuk iu përgjigjën kësaj kërkese, ndaj në përputhje me nenin 24 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit” Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti kërkesë ankimore pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në datën 7.07.2015.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në datën 25.07.2015 na vuri në dijeni për vendimin e tij nr. 44, datë 22.07.2015 “Për rrëzimin e ankesës”, me anë të të cilit rrëzonte kërkesën ankimore të paraqitur prej nesh me nr. 675 prot., datë 9.07.2015 me arsyetimin se “informacioni administrohet nga organizata të cilat në kuptim të këtij ligji dhe konform nenit 2 të tij, për nga mënyra e organizimit të tyre, funksionimit dhe kuadrit ligjor rregullator nuk përkufizohen si autoritete publike”.

Në mbështje të nenit 25 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e Informimit” Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dha vendimin nr. 5687, datë 10.11.2015 (nr. rregjistri themeltar 5714 310004-05334-80-2015, me anë të të cilit vendosi:

“Rrëzimin e kërkesëpadisë së paditësit Instituti Shqiptar i Shkencave, të paditur Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Intergim dhe me objekt “Shfuqizimi i vendimit nr. 44, datë 22.07.2015 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Detyrimin e partive politike (subjekteve zgjedhore) Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim t’i japë Institutit Shqiptar të Shkencave informacionin e kërkuar për financimin e fushatës zgjedhore, të kërkuar prej këtij të fundit në datën 09.06.2015, si të pabazuar në prova dhe në ligj.”

Ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Instituti Shqiptar i Shkencave ka paraqitur ankim në Gjykatën Administrative të Apelit në datën 25 nëntor 2015.

Në datën 10.02.2016, Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti kërkesë me shkrim në Gjykatën Administrative të Apelit “për përshpejtimin e shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje në një afat kohor sa më të shpejtë që të jetë e mundur”. Nga objekti i padisë dhe rëndësia që ka ajo për interesin publik vlerësojmë se është e domosdoshme shqyrtimi i saj në një kohë të shpejtë, dhe jo në një periudhë disa vjeçare, për të cilën vetë objekti i padisë dhe shqyrtimi gjyqësor i saj humb aktualitetin.

Gjykata Administrative e Apelit nuk i ktheu përgjigje ndaj kësaj kërkese.
Në datën 31.03.2016 Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti kërkesë të dytë për përshpejtimin e gjykimit, dhe ende sot e kësaj dite nuk ka përgjigje nga Gjykata Administrative e Apelit.

Në Gjykatën e Strasburgut kërkohet që të vendoset se për shkak të tejzgjatjes së shqyrtimit të kësaj cështje në gjykatat shqiptare (ende nuk ka vajtur cështja në Gjykatën e Lartë) ka shkelje të procesit të rregullt ligjor sipas nenit 6 të Konventës dhe se në legjislacionin shqiptar nuk kemi mjete efektive sipas nenit 13 për të kërkuar dhe mundësuar gjykimin e shpejtë të cështjeve të tilla.

Kërkesa e Plotë për Gjykatën e Strasburgut