Kompani Koncensionare, një databazë me informacion mbi kontrata dhe performanca

Një regjistër koncensionar nga shoqëria civile kundrejt regjistrit qeveritar. 222 shoqëri biznesi që zbatojnë kontrata koncensionare apo PPP me qeverinë shqiptare, janë të monitorueshme në databazën tonë OpenCorporates.al kategoria shoqëri koncesioanre . Për secilën shoqëri janë të mundshme të aksesohen të dhëna mbi strukturën, zotëruesit, historikun e transferimit të kuotave (ownership), përforancat vjetore në xhiro dhe fitim, tarifa koncensionare, adresa dhe licenca për ushtrim aktiviteti etj. Kjo gamë të dhënash për secilën pasaportë publikohet ne JSON dhe CSV si formate open data. Pasaporta me informacion shoqërohet me një listë dokumentash të linkuara si kontrata, amendamente kontratash, ligje të posaçme, dokumente të procesit të prokurimit dhe akte të tjera të rëndësishme për një koncesion. Vitet e fundit qeveria shqiptare është angazhuar në një numër të lartë partneritetesh publik privat në sektorë të ndryshëm si energjetik, shëndetësi, infrastrukturë arsimore, infrastrukturë rrugore, telekomunikacion , shërbime etj.

Tryezë për të prezantuar gjetjet e monitorimit në kuadër të projektit Monitorimi i Konfliktit të Interesit për Donator të Subjekteve Elektorale.

Organizata AIS, në kuadër të projektit Monitorimi i Konfliktit të Interesit për Donator të Subjekteve Elektorale, Fushata Zgjedhore 2017, organizoi në datën 25 Maj, në ambientet e Tirana Times Library, prezantimin e gjetjeve të monitorimit. Në tryezë përveç prezantimit të gjetjeve u diskutua edhe mbi: Influenca dhe konflikti i Interesit përtej parashikimeve të Ligjit dhe Propozime për rregullim Ligjor më efikas sa i takon evidentimit dhe kontrollit të Konfliktit të Interesit, Donator të Partive Politike. Diskutimet ishin të shumta duke vënë fokus edhe tek ekzistenca e donacioneve dhe donatorëve të padeklaruar, vlera e shtuar e monitorimit të shpenzimeve gjatë fushatës, defekte të raportimit dhe moprërputhje të vetdektdeklarimit nga sistemi kundrejt deklarimit përmes raporteve të auditit të jashtëm ( i pavarur). Në event morrin pjesë gazetar me ekseriencë të gjatë në media, gazetar të rinj anëtar të Albanian Center for Quality Journalism, përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile.

 

Konflikti i Interesit, Donator të Fushatave Zgjedhore, prezantohen gjetje

Në zbatim të Projektit “Monitorimi i Konfliktit të Interesit për Donatorët Zgjedhorë”, AIS ka skanuar të dhëna për 66 donator të subjekteve elektorale pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2017. Numri i donatorëve të deklaruar është tepër i ulët kundrejt perceptimit qytetar për donacionet. Financimi i subjekteve zgjedhore mbetet një fenomen për të cilin ka indicje dhe fakte se mbulohet me para informale apo para të pista. Kodi aktual zgjedhor parashikon disa situate ku dhurimi përkon me një situatë ku dhurimet bëhen në kontekstin e një interesi material apo një përfitimi influence. Raporti për monitorim nga AIS, zbardh dy raste që janë në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu AIS ka përgatitur edhe një draft me propozime për ndryshime ligjore paraqitur pranë komisionit Ad Hock për Reformën Zgjedhore.

Para dhe Pushtet, pasuri të vitit 2017 anëtar të Këshillit të Ministrave

Kontrolli i aseteve pasurore, influencës dhe interesave ekonomik është një proces që rrit integritetin për funksionar publik të nivelit të lartë. Rubrika Para dhe Pushtet , portali Spending Data Albania i jep mundësi publikut të njihet me të dhëna të deklarimit të pasurive. Këto të dhëna nuk janë ende të aksesueshme përmes databazave zyrtare. Duke konsideruar kontrollin nga publiku po aq të rëndësishme sa kontrollin nga institucioni, AIS publikon për të katërtin vit radhazi të dhëna të deklarimit pasuror të anëtarëve të Këshillit të Ministrave . Të dhënat shfaqin jo vetëm volumin e të ardhurave por edhe interesat ekonomike të anëtarëve të këshillit të ministrave. Kjo bën të mundur të monitorohet nëse politikbërja e tyre lidhet me regjime tatimore apo praktika institucionale që favorizojnë interesa individuale.

RedFlag, shkon në 10% të totalin lista e tenderëve të skanuar si problematik

Dhjetë përqind e tenderave dhe kontratave të prokuruara nga Bashkitë wnë vend janë tender të evidentuara për rrezik potencial për papajtueshmëri ligjore të procedurës, praktikë korruptive, mosrespektim ligji dhe pabarazi apo klientelizëm në garë. Markimi është bërë për tender të periudhës korrik 2015 dhe në vijim. Vlerësimi vjen si pasojë e një skanimi automatik me algoritëm të vlerësimit të rasteve të dyshuara për korrupsion. Rastet më të shpeshta janë ato të mungesës së garës për fitimin e kontratës ose konkurrencës së munguar me vetëm një operator ekonomik në garë.

Së shpejti Publikim online, kërkohet një ekspert internacional sfidat e kontrollit publik të deklarimit të pasurisë

Pas ndryshimeve në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe detyrimeve financiare të disa zyrtarëve të zgjedhur dhe nëpunësve civilë” (Ligji nr. 42/2017), në Shqipëri pritet një moment tepër i rëndësishëm dhe reformues për procesin e deklarimit dhe kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të nivelit të lartë. Ky ligj i jep mundëis publikut të aksesojë on line përmabjtjen e deklarimit. AIS është në kërkim të një eksperti për një cikël trajnimesh dhe worshopesh me aktorë të ndryshëm mbi modele më të avancuara në vende të tjera që kanë aplikuar deklarim dhe publikim online të aseteve dhe kanë sisteme më të avancuara në kohë se Shqipëria. Aktualisht në Shqipëri përmes datasetit Para dhe Pushtetjanë tashmë të publikuar deklarimet për mbi 650 subjekte politikan dhe gjyqtar. Kontrolli qytetar i deklarimit ka rëndësi pasi publiku është sinjalizuesi më i mirë në raste të influencës, konfliktit të interesit dhe vlersimit të integritetit të zyrtarëve të lartë.

Njihuni me Shoqëri në Zotërim Publik, Open Corporates Albania

Portali Open Corporates Albania , ka përditësuar në muajin Prill të dhëna për 220 shoqëri biznesi të zotëruara nga një institucion shtetërorë (publik). Këto shoqëri të rëndësishme në vend, janë të zotëruara nga bashki dhe ministri. Informacioni në pasaportat e krijuara për secilën kompani shfaq të dhëna se cilët janë zotëruesit, forma ligjore, vlera e kapitalit, objekti i aktivitetit, ndryshime të drejtuesve të shoqërisë, performanca ekonomike e një viti etj. Informacioni është në format open data, dhe mund të tërhiqet në JSON dhe CSV. Open Corporates Albania i jep publikut mundësi të monitorojë të dhëna për kompani të zotruara nga shteti dhe kontraktor privat në tenderime publike të bashkive . Projekti mbështetet nga Lëviz Albania .

Propozime dhe Diskutime në Dëgjesën e Datës 23 mars 2017 në Komsionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Në përgjigje të ftesës së Komsionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për konsultim dhe dëgjesë me aktorë të shoqërisë civile, Instituti Shqiptar i Shkencave (akronim anglisht AIS) një organizatë joqeveritare me mision advokimin për transparencë, mirëqeverisje dhe llogaridhënie, po referon disa shqetësime mbi rregullime ligjore aktuale dhe propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Organizata njihet si promotore e të dhënave të hapura dhe transparente (Open Data Albania). Veç publikimit në format Open Data të deklarimeve mbi shpenzime dhe të ardhura të subjekteve zgjedhore, AIS përmes programeve të saj Money Government and Politics dhe Za’Lart ka zbardhur, analizuar dhe sensibilizuar në mënyrë të vazhdueshme mbi detaje dhe problematika të Financimeve Zgjedhore në fushatat e fundit. Në proçeset zgjedhore 2013 dhe 2015, AIS është angazhuar edhe në iniciativën për Dhomën Zgjedhore, iniciativë e disa organizatave për të monitoruar dhe kontribuar për zgjedhje të rregullta dhe të drejta. Aktualisht AIS është palë kërkuese në një Proces Gjyqësor kundrejt tre partive më të mëdha politike. Gjykatës i është kërkuar të shprehet nëse Partitë Politike si subjekte elektorale, kanë detyrim t’i përgjigjen kërkesave për informim mbi burime të financimit zgjedhor, në çdo kohë, e konkretisht në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore. Procesi aktualisht është në Gjykatën e Lartë.

Propozimet dhe Diskutimet që do të parashtrohen kanë të bëjnë vetëm me pjesën e Financimit të Fushatës, konkretisht nene 86 deri 92 të Kodit Zgjedhor.

Në një përmbledhje ajo ç’ka ne propozojmë e renditur në pika të përgjithshme është si vijon:


  1. Dhurime vetëm përmes llogarive bankare.

    Të vendosej detyrimi ligjor për deklarim dhe dhurim me sistem bankar (jo kesh) për çdo vlerë dhurimi fond jo publik, e jo vetëm për vlera të dhurimeve mbi 100 mijë lekë. Ndryshim në Nenin 90 pika 2 e Kodit Zgjedhor. Në fushata të mëhershme sikurse edhe kjo e fundit, dhurimet në kesh arrijnë deri në 50% të totalit të fondeve jo publike të siguruara për fushatën.


  2. Informim në kohë reale mbi donacione të fushatës (donacion në instrument monetar).

    Në fakt ky lloj rregullimi ka bazë në Kushtetutë neni 9 paragrafi i tretë; ku shprehimisht thuhet Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. Ky rregullim ka qenë më herët edhe në Kod por është hequr me ndryshimet e bëra për nenin 90 paragrafi 1 kur dikur thuhej: Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Por me ndryshimet e bëra me Ligjin nr 74.2012 datë 19. 07. 2012 kjo fjali është hequr duke krijuar regres në të drejtën për informacion publik mbi mbështetësit e një partie politike përmes donacioneve, edhe përpara datës së votimit.


  3. Të shmanget me parashikim të qartë ligjor, çdo marrëdhënie donacioni, subvencioni apo kreditim ndërmjet subjekteve elektorale dhe subjekteve mediatike.

    Neni që parashikon konfliktin e interesit,  neni 89 e përjashton subjektin që ushtron veprimtari mediatike apo është aksioner në një subjekt të tillë, nga e drejta për të qenë donator i një subjekti elektoral.  Dhe kjo është mjaft korrekte në respekt të parimit të pavarësisë së medias, dhe ndarjes së këtyre dy pushteteve. Nga ana tjetër Neni 84, paragrafi 6 i Kodit Zgjedhor krijon një burim financiar shtesë për partitë e rëndësishme politike. Media detyrohet me ligj të dhurojë një pjesë të minutave për partitë që kanë konsumuar një kohë të caktuar reklame kundrejt pagesës. Ky nen duhet shfuqizuar pasi: 1 krijon një marrëdhënie dhurimi kontradiktore me rregullimin e nenit 98; 2. krijon vështirësi në monitorim; 3. është përdorur në mënyrë arbitrare edhe në zgjedhje për pushtetin vendor ndërsa ligji e parashikon vetëm për zgjedhje të përgjithshme; 4. nuk jemi në situata ku partitë kanë mungesa dhe vështirësi në mbulim të kostove financiare të reklamës. Reklama politike është bërë tepër masive në emetime mediatike të fushatës, dhe do ishte mirë që të orientohet çdo subjekt politik drejt cilësisë së mesazhit dhe reklamës, dhe jo drejt sasisë.

    Gjithashtu jemi në kontekste të tjera ku media edhe audovizive, nuk qëndron ngushtësisht në cilësinë e mediave të licencuara si media kombëtare. Ka formate të ndryshme të emetimit audioviziv bazuar në teknologjinë e re.

    Po kaq i gabuar dhe kontradiktor do të konsiderohet edhe rregullimi për reklamën pa pagesë i bërë në ndryshimin e Ligjit për Partitë në Maj 2017. Ligj që bie ndesh me Kodin aktual.

    Kodi i ri elektoral, do të duhet të respektojë në mënyrë shteruese ndalesën për pozicionin e donatorit për subjektet mediatike. Subjektet mediatike duhet të jenë palë të partive dhe subjekteve elektorale vetëm përmes kontratave tregtare të cilat do ishte mirë të ishin gjithashtu të aksesueshme nga publiku për rastin e kontraktimeve në fushatë zgjedhore. Po kështu duhet parë me kujdes edhe situata e faturave të papaguara dhe situatave debitore. Subjektet tregtare e kanë të drejtën e tyre të kërkimit të detyrimeve. Por kur subjekti debitor është një parti politike me pushtet, kërkimi i debive është një çështje e  mundshme intimidimi dhe influence. Për të mos lejuar situata të tilla ku borxhi kthehet në donacion, ligji zgjedhor duhet të parashikojë edhe ndërhyrje të KQZ gjatë shpërndarjes së fondit vjetor apo zgjedhor për partitë, duke i dhënë prioritet  në likuidim të detyrimeve të deklaruara si të njohura e të papaguara gjatë fushatës. I njëjti prioritet likuidimi me fondet publike duhet të jetë edhe për debitorë të palikujduar të fushatave që nuk janë subjekt mediatik.


  4. Rregullim më efikas i rasteve të parashikuara si konflikt interesi për donatorët.

    Të vendosen parashikime ligjore më të zgjeruara për parandalimin; deklarimin dhe kontrollin e konfliktit të interesit për Donatorët. Kodi Zgjedhor përmes nenit 89 parashikon disa situata të ndaluara. Ky nen kërkon rregullim dhe zgjerim të parashikimeve. Kështu fjala aksionar do ishte mirë të zëvendësohej me fjalën zotërues. Përveç parashikimit për kontrata dhe fonde publike të parashikohej si konflikt interesi edhe rasti i përfitimeve nga programe të subvencionit publik; kreditimit të garantuar me fonde publike; përfitues në privatizime të aseteve publike; përfitues nga legalizime; përfitues nga programe publike në dobi të biznesit. Etj.


  5. Parashikim ligjor i verifikimit administrativ për rastet në konflikt interesi.

    Do të ishte me vend që KQZ të kishte kompetencë për verifikim dhe hetim administrativ. Kjo përmes kërkesës për informacion pranë institucioneve publike në lidhje me respektimin e parashikimeve dhe ndalimeve si konflikt interesi. Verifikim pranë tatimeve mbi debitorët; pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike mbi kontrata publike; pranë Regjistrit Koncesionar për kontratat koncensionare dhe kështu me radhë. Gjithashtu edhe sanksioni për donatorët në rast të deklarimit të rremë të mospasjes konflikt interesi është një sanksion që duhet të parashikohet në Kod.


  6. Afate më reale të periudhës nën raportim të fushatës zgjedhore.

    Në kontekstin aktual Kodi njeh si periudhë për raportim dhe auditim zgjedhor periudhën 30 ditore. Ndryshimet në Ligj krijuan premisa por jo detyrim ligjor për një periudhë më të gjatë. Mirë është që ky afat të rregullohet me ligjin zgjedhor Kodi. Dhe afati i raportimit financiar për shpenzime zgjedhore të jetë më shumë se 30 ditë përpara fillimit.


  7. Kufizimi i totalit të shpenzimeve zgjedhore është i pabazuar, sjell premisa për mosdeklarim.

    Nuk kemi pse të kemi kufizime të tilla. Le t’u japim mundësi Partive dhe Subjekteve të legalizojnë dhe të tregohen transparent në raportimin e mbështetjes dhe mundësive të tyre për të siguruar instrumente financiare të ligjshme për fushatën. Mbledhja e fondeve për subjektet elektorale në fushatë nuk duhet parë vetëm si mundësi por edhe si një shprehje e besimit të votuesve edhe përmes donacioneve. Propozohet kështu shfuqizimi i nenit 90 paragrafi 3. 


  8. Ruajtja e financimit miks fonde publike dhe jopublike për subjektet elektorale.

    AIS nuk mbështet propozime për të kaluar në financim me një lloj burimi financiar për fushatën. Jemi kundër propozimeve për të mbuluar plotësisht me para publike fushatat, kjo pasi i bën partitë të identifikohen me subjekte buxhetore shtetërore.


  9. Rregullim më i qartë i burimit të financimit përmes kredive dhe deklarimit të të dhënave të kreditimit nëpërmjet një regjistri të posaçëm.

    Neni 87 / 1 pika ç Kreditë. Do të duhet të parashikohet edhe deklarimi i të dhënave të kreditimit duke paracaktuar dhe listuar kategoritë e të dhënave për deklarim. Garantët e kreditimit, kushtet, afatet, barra siguruese, forma e aplikimit, të dhëna të identitetit të subjektit kreditues. Duhet parashikuar a mund të merren kredi në institucione jo të licencuara për veprimtari financiare; duhet saktësuar a lejohet kreditimi apo garantimi i tij nga subjekte të huaja.


  10. Të konsiderohet mundësia për raportim financiar edhe sipas degëve të partive politike në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe sipas shtabeve të kandidatëve për kryebashkiak, në rastin e zgjedhjeve lokale.

    Ky parashikim nuk është në Kod dhe as në ligjin Për Partitë Politike. Do të ishte me vend që të kërkohej një disiplinim më i mirë i raportimit financiar sipas zonave elektorale.


  11. Ligji Zgjedhor (Kodi) do të duhet të vlerësojë më qartë nëse pranon dhurime nga subjekte të regjistruara si organizma jofitimprurës (jo qeveritare).

    Kodi nuk ka ndonjë ndalesë. Po kështu ligji për OJF ka rregullime jo shteruese. Aktualisht në disa vende të rajonit dhe Europës konsiderohet si shqetësim financimi i partive politike me fonde me burim të huaj përmes OJF-ve lokale. Ligjvënësi do ishte mirë që edhe pse nuk kemi shqetësim aktual të evidentuar të konsiderojë mundësinë e një rregullimi ndalues apo të mirë-rregulluar.

Ligji do të duhet të kërkojë raportim të saktë të shpenzimeve dhe kontraktorëve në raste kur ato janë subjekte të huaja. Në secilin nga këto raste të kërkohet raportim me një format të veçantë të identitetit të kontraktorit; përkatësia e së drejtës tregtare që rregullon ekzistencën e këtij kontraktori; të dhëna financiare të kontratës dhe të dhëna objekti i kontratës

Raportet Gjinore në drejtimin e Shoqërive Publike

Open Data Albania prezantoi sot në eventin Leviz Albania për Barazinë Gjinore, Raportet Gjinore në drejtimin e shoqërive publike duke veçuar ato që zotërohen nga Bashkitë. Shoqëri Tregtare, aksione apo kuota të të cilave zotërohen nga një institucion publik dhe buxhetor njihen si shoqëri me zotërim publik, në kontekstin e këtij artikulli shoqëri publike. Në Republikën e Shqipërisë janë të regjistruara në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) dyqind e njëzetë shoqëri publike, nga të cilat njëqind e trembëdhjetë zotërohen nga Bashkitë. Nga këto 113 shoqëri aksionare vetëm gjashtë kanë një administrator të gjinisë femërore. Pra, raporti gjinor i administratorëve të shoqërive publike që zotërohen nga bashki është 5.3% administrator femra dhe 94.7% administrator meshkuj. Nga përditësimi i ndryshimeve kryer nga këto shoqëri pranë QKB në periudhën 2016-2017 rezulton se kanë ndryshuar administrator 21 shoqëri. Nga këto vetëm një shoqëri ka emëruar një administrator të gjinisë femërore.

Dorëzuar AKEP dt 26.02.2018 : – “Mendime për Dokumentin për Këshillimin Publik “Për disa Ndryshime në Rregulloren Nr.2 datë 21. 02. 2008”

Të nderuar Anëtarë të Këshillit Drejtues AKEP,

Organizata jo qeveritare AIS (Albanian Institute of Science) e regjistruar pranë regjistrit të organizatave joqeveritare në Gjykatën e rrethit Tiranë, me akt fillestar Vendim Nr.3048 datë 28/03/2011 po përfiton nga rasti t’u shpreh konsideratë të lartë për punën dhe institucionin tuaj. Në përgjigje të Dokument për Këshillim Publik “Për disa ndryshime në Rregulloren Nr. 2 datë 21. 02. 2008 “Për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domaineve nën.al , gov, mil.al, edu.al, com.al, org.al dhe net.al të ndryshuar”, dokument i njoftuar edhe në faqen tuaj zyrtare, dhe me afat për paraqitje sugjerimesh deri në 28 shkurt 2018, po parashtrojmë më poshtë disa mendime që ne i konsiderojmë të nevojshme dhe shqetësuese. Mendimet kanë të bëjnë kryesisht me aspekte që lidhen me veprimtarinë e sektorit tonë (jo qeveritarë), me mundësitë e aktorëve civil në përdorimin e hapësirës.al për të krijuar instrumente të komunikimit, informimit, mendimit të lirë dhe edukimit qytetar.

Duke ju uruar të finalizoni me sukses procesin e hartimit të rregullores, shpresojmë të kemi dhënë kontribut përmes mendimeve tona të parashtruara:

MENDIME

PËR DOKUMENTIN PËR KËSHILLIM PUBLIK “Për disa ndryshime në Rregulloren Nr. 2 datë 21.02.2008 “Për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve nën .al dhe nën domain-et .gov, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al”, të ndryshuar”.

Së pari;

Në faqen 11, Sa më sipër, AKEP shtron për diskutim nëse në Rregullore mund të përcaktohet një numër maksimal 5 deri 10 domaine për çdo individ apo shoqëri, duke përjashtuar Institucionet Shtetërore.
Faqe 12. : pika b. Numri i lejuar maksimal i domaineve .al përfshirë nëndomainet, është 5 deri 10 domaine, me kushtin që të vendosen në përdorim brenda një afati 3 deri 6 mujor. Regjistruesit kanë detyrimin të kontrollojnë nëse domaini i regjistruar/modifikuar prej tyre, është vendosur në punë brenda këtij afati dhe në rast se përdoret gjatë kohës së vlefshmërisë. Nëse verifikohet që një domain qëndron pa përdorur në një afat prej 6 muajsh gjatë kohës së vlefshmërisë, Regjistruesi e kalon atë domain në gjendje të lirë.

Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material. Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor (vendimet nr.2, datë 03.02.2010; nr.1, datë 12.01.2011; nr. 23, datë 08.06.2011; nr. 25, datë 28.04.2014 të Gjykatës Kushtetuese).

Neni 4/1 i Kushtetutës parashikon: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Më tej, neni 116 i Kushtetutës përcakton hierarkinë e burimeve të së drejtës, si një prej vlerave themelore të shtetit të së drejtës, ku pushteti ligjvënës ka rol primar. Përcaktimi në Kushtetutë i hierarkisë së akteve, si dhe sanksionimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në ushtrimin e funksioneve të organeve kushtetuese, të cilat ushtrohen nëpërmjet nxjerrjes së akteve normative, është mishërimi më i plotë i parimit të shtetit të së drejtës në një sistem parlamentar. Parlamenti, me pushtetin e veshur nga sovrani për krijimin e burimeve primare të së drejtës, autorizon nxjerrjen e akteve normative për materializimin konkret të vullnetit të tij. Ky autorizim duhet t’u përmbahet kritereve të përcaktuara në nenin 118 të Kushtetutës për të qenë në harmoni me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe me hierarkinë e akteve normative të sanksionuara përkatësisht në nenin 7 dhe nenin 116 të Kushtetutës (vendimi nr.5, datë 5.2.2014 të Gjykatës Kushtetuese).

Neni 118/1 i Kushtetutës sanksionon se “aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë”. Ndërsa paragrafi i dytë i këtij neni parashikon: “ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjen që duhet rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.”

Këto dispozita ndihmojnë për t’i dhënë kuptimin kushtetues dhe doktrinar konceptit “rezervë ligjore”, nëpërmjet të cilit kufizohet apo orientohet pushteti normativ i organeve ekzekutive për të rregulluar marrëdhënie të caktuara me akte nënligjore. Kjo rezervë ligjore krijon mundësinë që çështja konkrete e rregulluar pjesërisht me ligj të mund të detajohet më tej nga aktet nënligjore, duke iu përmbajtur parimeve dhe kufijve të përcaktuar nga ligji. Vetëm në këtë mënyrë autorizimi i ligjvënësit për nxjerrjen e akteve nënligjore mund të konsiderohet i realizuar brenda kufijve të kushtetutshmërisë.

Sipas nenit 17 të Kushtetutës, të drejtat dhe liritë e individit mund të kufizohen vetëm me ligj. Duke iu referuar përmbajtjes së nenit 17 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese çmon se kjo dispozitë, në mënyrën se si është formuluar, nuk i ka lënë mundësi delegimi ndonjë organi tjetër përveç Kuvendit si organ përfaqësues. Qëllimi i këtij neni është që në rastin e kufizimeve, jo vetëm duhet të respektohen kriteret e tjera të caktuara në të, por në mënyrë që garancitë të jenë sa më të plota, kompetent duhet të jetë vetëm një organ dhe pikërisht, organi më i lartë ligjvënës. Shprehja “vetëm me ligj” ka kuptimin që në rast se është i nevojshëm kufizimi i një të drejte të parashikuar në Kushtetutë, atëherë ky vlerësim është në diskrecion vetëm të ligjvënësit dhe jo të organeve të tjera, përfshirë edhe Këshillin e Ministrave.

Gjykata Kushtetuese ka çmuar se rregullimi i parashikuar në nenin 17 për kufizimin e të drejtave dhe lirive vetëm me ligj, ka të bëjë edhe me përcaktimin e kompetencës së një organi konkret që në këtë rast është vetëm Kuvendi. Një shprehje e tillë të referon në kompetencën e organit ligjvënës dhe nxjerrja e akteve të tjera për të rregulluar marrëdhënie të tilla, cenon kompetencat e këtij organi. Çdo interpretim i kundërt, është padyshim një zhvleftësim i garancisë që jep Kushtetuta për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe do t’i cenonte efektivisht këto liri e të drejta. Në këtë përfundim arrihet edhe duke iu referuar fjalës “vetëm” që përmendin nenet 11/3 e 17 të Kushtetutës. Përdorimi i kësaj fjale nuk është i rastit, por ai është bërë për të treguar se kufizime të tilla nuk mund të vendosen me ndonjë akt tjetër përveç ligjit.

Duke përcaktuar një numër domeinesh të caktuar 5-10 domaine për subjekt kërkues, AKEP ka bërë kufizim të të drejtave veçanërisht duke e ballafaquar këtë fakt me mundësinë e sotme të pakufizuar për ta.

Kufizimi i të drejtave për një natyrë të tillë duhet bëhet vetëm me ligj, sipas nenit 17 të Kushtetutës dhe jo nëpërmjet Rregullores së AKEP, që është akt nënligjor. Nëse do të ndodhe një gjë e tillë AKEP ka marrë kompetencën ekskluzive të Kuvendit për të rregulluar në mënyrë normative një kufizim të tillë. Për pasojë, cdo akt që do të prodhojë AKEP në këtë drejtim është në pavlefshmëri absolute dhe për më tepër ngrihet në nivelin e kundërshtimit të një norme kushtetuese.

Shembull: organizata jonë ka më shumë se dhjetë domain (sub domain) në prapashtesën.al. Kufizimi i të drejtës për posedim (jo më shumë se 10) kufizon mundësinë tonë për të përdorur instrumente të komunikimit, informimit dhe shprehjes së lirë të cilat deri tani i kemi përdorur me ligjshmëri. Detyrimi për të mbyllur ndonjë nga domainet tona, si pasojë e një rregullimi kufizues si ky, do të përbënte një rast censure dhe cenimi i të drejtës për të ushtruar aktivitet sipas objektivave dhe misionit të një shoqatë jo qeveritare. Po kështu ne kemi në proces aplikimi projekte ku kemi parashikuar që një fjalëformim të caktuar, duke përdorur prapashtesën.al ta sjellim në disa gjuhë zyrtare të BE (më shumë se 10). Kjo nuk do të ishte e mundur në një situatë ku rregullorja e propozuar do ta bënte të pamundur përdorimin e një web-i me versione në disa gjuhë dhe me domain apo subdomain të përshtatur sipas përmbajtjes

Së dyti,

Pasja në posedim të kaq shumë domaineve .al, si domaine të vetë Regjistruesve, përbën një lloj pengese në lirinë e subjekteve dhe individëve për të regjistruar një emër domaini, në veçanti të atyre që zotërojnë marka dhe patenta të regjistruara.
Ky argument nuk është i bazuar në një fakt apo kërkim shkencor dhe empirik. Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 2006, publikim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, sjell 48 000 fjalë shqipe (pa trajta sipas lakimit dhe zgjedhimit) dhe pa terma teknik apo shkencor. Ndërkohë një domain edhe pse në prapashtesën.al mund të vijë edhe me fjalë në gjuhë të huaja apo akronime, shkurtime dhe iniciale.
Edhe kjo është tepër e pa bazuar, kufizon në kohë qëllimin për të cilën dikush bëhet pronar.
Mbrojtja e markave dhe patentave është një çështje që rregullohet më së miri juridikisht (edhe doktrina gjyqësore ka dhënë zgjidhje) dhe nuk ka arsye të krijohen kufizime thjesht numerike.

Pasja në posedim të kaq shumë domaineve .al, si domaine të vetë Regjistruesve, përbën një lloj pengese në lirinë e subjekteve dhe individëve për të regjistruar një emër domaini, në veçanti të atyre që zotërojnë marka dhe patenta të regjistruara.

Gjithashtu AKEP shtron për diskutim nëse një kompani apo individ për arsye teknike të justifikuara dhe provuara nuk ka arritur ta vendosë në përdorim domainin e tij .al, ti njihet e drejta për rinovim me të njëjtin afat por jo më shumë se 1 (një) herë, me kusht që ta vendosë në punë brenda afatit 3 deri 6 muaj pas rinovimit.

Argumentimi i mësipërm i parashtruar në Projektvendim nuk qëndron. Fillimisht që të konkludohet se “përbën pengesë në lirinë e subjekteve dhe individëve për të rregjistruar një emër domaini” fillimisht duhet të përcaktohet sesa është numri fundor i të gjithë mundësive që ka për prapashtesën.al. Pastaj ky numër fundor duhet të krahasohet me ekzistencën e këtyre domaineve të regjistruar në posedim aktual. Nëse krahasimi i numrave rezulton se shkel parimin e proporcionalitetit, atëherë legjitimohet që të ndërmerret një veprim i tillë prej organeve shtetërore.

Projektvendimi nuk ka asnjë të dhënë në këtë drejtim për më tepër logjikisht numri i kombinacioneve të fjalëve që marrin prapashtesën.al në domaine është i pafundmë edhe sikur t’i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe. Për pasojë, nuk ka kuptim dhe arsye vendosja e këtij kufizimi.

Po ashtu ky kufizim nuk mund të vendoset në akt nënligjor, por vetëm në ligj, sipas arsyetimit të mësipërm.

Ndërkohë, AKEP përfiton të ardhura nga posedimi i këtyre domaineve ndaj është e pakuptimtë pse duhet të kufizohet një gjë e tillë.

Në lidhje me kushtin e vendosjes në punë të domain edhe kjo kërkon ballafaqim me një arsyetim ligjor. Për sa kohë dikush e regjistron dhe mban domain-in dhe paguan tarifën përkatëse për këtë gjë, është në të drejtën e tij të pronësisë dhe disponimit për ta shfrytëzuar dhe vënë në punë këtë domain ose jo. Për shumë arsye të paparashikueshme domaini nuk mund plotësohet, ndërkohë subjekti ka të drejtën e plotë të disponimit për të dhe është në vullnetin e tij ta disponojë ose jo atë me vënien në punë. I vetmi kusht që palët kontraktuale duhet të respektojnë është pagimi i tarifës përkatëse. Vetëm në rast të mospagimit të saj legjitimohet prej AKEP rimarrja e domain dhe lënia e lirë e tij.

Shembull organizata jonë për të vënë në punë katalogun e të dhënave të hapura të njohur si Open Data Albania opendata.al ka shpenzuar një vit për aplikim kërkim fondi dhe 6 deri 8 muaj për ndërtim web dhe katalogu. Kjo është koha optimale e planifikimit deri në implementim për secilën nga databazat tona me të dhëna të hapura dhe transparente. Kufizimi i parashikuar do të ishte regresiv dhe i pabazuar.

Së treti,

Pika 7 faqe 13-14 Nisur nga ankesat dhe problematikat e sjella në AKEP nga kërkues apo posedues të domaineve .al dhe nëndomaineve, AKEP mendon se është i nevojshëm përpilimi i një Aneksi të veçantë në Rregulloren Nr.2, ose zgjerimi i nenit 27 aktual të Rregullores Nr. 2, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duke sqaruar se AKEP ka të drejtë të zgjidhë mosmarrëveshje kur këto kanë të bëjnë me rregullat e nxjerra nga AKEP, ndërsa mosmarrëveshjet për çështje të tjera palët mund ti drejtohen organeve të tjera kompetente.

Në bazë të Kodit të Procedurave Administrative AKEP nuk mund ta ushtrojë këtë kompetencë. Kjo kompetencë mund të ushtrohet nga një organ epror i AKEP që nuk ekziston dhe për pasojë në rast e ka mosmarrëveshje për akte të nxjerra nga AKEP atëherë kompetente është gjykata administrative.

Nga ana tjetër edhe vetë ligji nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën Shqipërisë”, në nenin 8 të tij që përcakton kompetencat e AKEP nuk e ka të parashikuar një kompetencë të tillë. Ndarja që bëhet në mosmarrëveshje që kanë të bëjnë me rregullat e AKEP dhe mosmarrëveshje për çështje të tjera është një ndarje artificiale e cila është gjithashtu e pazbatueshme në praktikë. Është vështirë të kuptohen fjalët rregullat e nxjerra nga AKEP, përsa kohë parashikohet që edhe vendimmarrjet e AKEP do të bazohen gjithnjë në dokumenta të nxjerra nga institucione të tjera.

Së katërti,

5. Në Aneksin 2, “Lista e Emrave të Rezervuar” të shtohet si pikë e veçantë: Përbëjnë domaine të rezervuara, emra domainesh nën .al të cilët korrespondojnë saktësisht me emra të subjekteve të cilët njihen për shkak të veprimtarisë që ushtrojnë, sipas regjistrimit të kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi, në zyra, Institucione, Autoritete, të tilla si në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), apo regjistrimeve të kryera për dhënien dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, apo emra të përveçëm.

Përcaktimi i kriterit mbizotërues (edhe në rast se pranohet si tillë) nuk mund të jetë kriter i përcaktuar në akte nënligjore. Ky kriter dhe ndonjë kriter tjetër është i vlefshëm juridikisht vetëm nëse parashikohet në tekstin e aktit ligjor dhe jo në atë nënligjor.

Gjithashtu ligji, ose nëpërmjet delegimit të shprehur për t’u përcaktuar qartësisht në aktin nënligjor, duhet të përmbajë edhe rregullat të detajuara procedurale se cilat janë fazat dhe modalitetet e ankesës dhe të shqyrtimit të ankesave. Po ashtu, edhe mënyrën e marrjes dhe administrimit të provave apo konfirmimet që duhet të kërkojë në institucionet e tjera vetë AKEP. Legjislacioni shqiptar ka shumë praktika të cilat janë shteruese përsa i përket anës proceduriale sesi arrihet në një vendimmarrje konkrete nga ana e një organi administrativ.

Nga ana tjetër, regjistrimi i një subjekti në një regjistër publik psh në QKB nuk përbën absolutisht markë tregtare të këtij subjekti. Regjistri i markave tregtare është një regjistër tjetër që krijon të drejta.

Regjistrimi në QKB nuk krijon të drejta por është thjesht efekt publikativ për të tretët. Kjo do të thotë se përsa kohë ai ka thjesht dhe vetëm efekt publikues, nuk mund t’i ofrohet mbrojtje tjetër dhe as cilësim tjetër ligjor në regjistrin e domaineve.al, sipas projektvendimit të paraqitur

Ky projekt barazon të gjithë regjistrat publikë në të njëjtin nivel, dhe nuk bën asnjë dallim nëse regjistrimi ka karakter deklarativ apo krijon te drejta të subjekteve. Për pasojë, nuk justifikohet ligjërisht se pse psh regjistrimi në QKB është mbizotërues dhe duhet të respektohet për detyrim nga çdo regjistrim tjetër, kur një status të tillë ligji për QKB-në nuk e ka parashikuar por ka respektuar natyrën deklarative të tij.

Së pesti,

– Projektvendimi duhet të hartohet dhe të zbatojë aktet rekomanduese të shtetit shqiptar të zbatueshme për hartimin e akteve normative. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një manual të posaçëm për këtë gjë (Manual i Hartimit të Ligjeve). Ky Manual është njëlloj i zbatueshëm edhe për hartimin e akteve nënligjore, siç është rasti në fjalë. Ndaj edhe teksti i propozuar duhet të ketë një strukturë të qartë ku të dallohen qartë ndryshimet dhe të pajiset me relacion se pse ky ndryshim është i nevojshëm, etj.

– Akti duhet të përmbajë edhe tabelën për zbatimin e Aquis Communaitaire në këtë fushë. Për këtë gjë duhet të hartohet tabela përkatëse ku pasi të përcaktohet qartë direktiva e legjislacionit të BE-së (nëse ka) të jepet edhe përputhshmëria me tekstin e propozuar dhe arsyet përkatëse.

– Një vlerë e shtuar e aktit normativ të propozuar për diskutim do të ishte edhe krahasimi me eksperiencat e vendeve të tjera në rajon që kanë kaluar faza të tilla të zhvillimit të komunikimeve elektronike dhe si i janë përqasur këto vende çështjeve të tilla që përmban akti i propozuara.