Të përdorësh Open Data kundër korrupsionit. Gjykata Kushtetuese heq mandatin e një deputeti.

Në vitin 2014 për herë të parë në Shqipëri përmes një projekti të shoqërisë civile u zbardhën për publikun të dhëna për çdo transaksion të Thesarit të Shtetit duke dhënë datën, qëllimin e transaksionit, numrin e faturës dhe përfituesin. Përmes Open Spending Albania rubrika Transaksione Thesari qytetari shqiptar kishte të drejtë të kuptonte se si shpenzoheshin paratë e taksapaguesve (Where does my Money Go). Në muajin Gusht 2014, opinioni publik përmes të dhënave të hapura tek Transaksione Thesari, mori dijeni për dhjetëra pagesa nga disa institucione buxhetore kundrejt një shoqërie tregtare ABISSNET aksionet e të cilës i përkasin (në datën e transaksioneve dhe kontratave që mundësojnë pagesat) deputetit të mazhorancës zoti Koco Kokëdhima. Tabletat e transaksioneve u shfaqën në faqet e para të të gjitha gazetave si Tema, RD, Ora News, Gazeta Shqiptare, ABC , u bënë pjesë e statuseve në Facebook e Twitter të njerëzve të rëndësishëm të debatit publik e në fund shkaktuan edhe reagimin mediatik e më pas institucional të grupit parlamentar opozitar Partia Demokratike.

Abissnet spending

Një grup deputetësh i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të heqë Mandatin e Deputetit për zotin Koco Kokedhima, bazuar në nenin 70 pika 3 dhe 4 e Kushtetutës. Ky nen i Kushtetutës ndalon deputetët të ushtrojnë aktivitet ekonomik e përfitime me para publike. Kërkesa e deputetëve të grupit parlamentar opozitar bazohej gjithashtu në nenet 7 dhe 13 të rregullores së Kuvendit dhe neni 28 i Ligjit nr. 9367, datë 7. 04. 2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Mocioni dhe Padia e dorëzuar nga deputetët, në Gjykatën Kushtetuese kishte si prova tabela edhe nga databaza open data e portalit tonë Spending Data Albania (faqja 2 dhe 3 nënçështja Fakte dhe Rrethana).

Pas disa mbledhjeve të Komisionit Kuvendor për Shqyrtimin e Mandateve, dhe një procesi të gjatë gjyqësor iniciuar nga Deputet të Grupit Parlamentar Opozitar sot në datën 9 maj 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi Papajtueshmërinë e mandatit të Deputetit Koco Kokëdhima dhe vendosi Heqjen e mandatit e Deputetit.

Që prej vitit 2014 janë me dhjetëra artikujt mediatik dhe deklaratat mediatike të bazuara në të dhëna të hapura të Transaksione Thesari Spending Data Albania. Ky rast është tipik një rast i mirë i përdorimit të Open Data dhe Open Knowledge për të kontrolluar konfliktin e interesit, nepotizmin, shpërndarjen e parasë publike, abuzimin apo korrupsionin përmes saj.

AIS një organizatë joqeveritare shqiptare vijon të hapë të dhëna për Transaksione Thesari, Kontrata dhe Tender Publik, Buxhete Publike, Pasuri të Pushtetarëve dhe Gjyqtarëve të nivelit të Lartë, Shpenzime Elektorale. Kjo me qëllim nxitje të transparencës dhe monitorim qytetar përmes hapjes së të dhënave publike. Projektet tona Para, Qeverisje dhe Politikë MGP, dhe ProkurimeTransparente vijojnë të krijojnë instrumente për fuqizim qytetar përmes Informacionit, transparencës dhe monitorim qytetar përmes hapjes së të dhënave publike.

Watch dog process shmang tendera abuziv dhe klientelist

Organizata AIS, promotore e open data në Shqipëri ka kënaqësi të ndaj me ju një rast pozitiv mbi rolin e shoqërisë civile dhe medias në procesin watch dog të monitorimit dhe kontrollit qytetar mbi mënyrën se si përdoren pasuri publike në vend.

Në datën 19 prill, përmes portalit Open Procurement Albania  ju vu në dispozicion gazetarëve dhe publikut, informacioni i plotë mbi një prokurim të Bashkisë së Tropojës, për Qiradhënie të Një hapësirë Turistike njohur si:

Qendra e Zhvillimit Turizmit Valbone

Dhënie me Qera me anë të konkurrimit të objektit Qendra e Zhvillimit Turizmit Valbone, me sipërfaqe totale sipas genptlanti 4180 m², nga te cilët objekt ndërtese 461 m2 dhe sipërfaqe funksionale (jo nen ndërtese) 3719 m2. Dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për mbështetjen e aktiviteteve ekonomike që nxisin investimet dhe punësimin si dhe turizmin. Vlera dysheme për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 60 240 (gjashtedhjetemije e dyqindedyzet) lekë/muaj. Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është 5 (pese) vjet.

Procedura zhvillohej me një afat tepër të ngushtë për konkurrim, shpallur në datën 18 prill dhe prani i ofertave datë 20 çka lë ndjeshëm vend për dyshime të bazuara për një prokurim të paramenduar klientelist. Gjithashtu çmimi dysheme i vendosur për një sipërfaqe të tillë terreni dhe ndërtimi, në një nga zonat më të vizituara turistike të vendit dukej tepër abuziv. Njoftimi u përhap menjëherë në rrjete sociale, u komentua nga qindra qytetar e njëkohësisht u bë pjesë e shkrimeve denoncuese nga media kryesisht axhensitë online. Disa gazetar investiguan më gjatë duke shpjeguar që përveç resurseve natyrore kjo Qendër kishte vlerë të lartë asetesh pasi sapo ishte përfunduar një projekt investimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pas këtij presioni qytetar në rrjete sociale dhe media, Bashkia e Tropojës vendosi anullimin e procedurës për shkak të afatit të ngushtë kohor për konkurrim. Njoftimi i anulimit është publikuar në buletinin e fundit të Axhensisë së Prokurimeve Publike (datë 25 prill).

AIS, në proces monitorimi dhe publikimi në format Open (lehtësisht i gjetshim dhe i kërkueshëm), tërheq vëmendjen për mungesë të theksuar transparence me prokurimet për qiradhënie publike nga Njësitë tona të Qeverisjes Vendore. Këto prokurime nuk njoftohen në sistem elektronik. Ato bëhen vetëm në draftin PDF të Buletinit, kanë gjithmonë afate të ngushta për konkurrim dhe nuk shoqërohen me njoftim përfundimtar për numrin e konkurruesve, vlerën e ofertës fituese dhe Subjektin Ekonomik Fitues.

Aktualisht ne portalin Open Procurement Albania janë pasqyruar të dhëna për tetë njoftime për qiradhënie të terreneve dhe pronave në posedim të Bashkive, të realizuara në muajt korrik 2015 dhe ongoing. Po aty mund të lexoni për 1547 procedura prokurimi publik të 61 njësive të qeverisjes vendore, bashki që funksionojnë pas ndarjes së re administrative e territoriale.

Ky portal realizohet si pjesë e aktiviteteve të Programit OpenLGU. Mirëpresim sugjerime dhe bashkëpunime.

Propozime të AIS për hartimin e Plan Veprimit të Shqipërisë për OGP 2016 – 2018

Organizata AIS si organizatë promotorë e të dhënave të hapura dhe transparente, njëkohësisht e angazhuar si anëtare e koalicionit për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur OGP për Shqipërinë, për të tretën herë radhazi është bërë pjesë e konsultimeve me Qeverisë Shqiptare gjatë hartimit të Plan Veprimit për OGP. Me dëshirën për të kontribuar në përpjekjet për qeverisje të hapura si qeverisje të mira, AIS propozon disa angazhime për Qeverinë dhe Partnerët e saj, për tu bërë pjesë në Plan Veprimin për OGP për dy vitet e ardhshme 2016 – 2018:

Sugjerimi nr 1: Angazhim për Standarte Open Contracting. Publikim në formatin Open Data të kontratave publike.

Implementues Qeveritar: Këshilli i Ministrave; Ministria për Mardhënie me Parlamentin dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Partner Joqeveritar: AIS etj

Mbështetës të Mundshëm: Banka Botërore

Qeveria Shqiptare të angazhohet në përdorimin e standardeve Open Contracting. Ky është një trend aktual i përpjekjeve të shteteve dhe aktorëve të transparencës për informacion të hapur mbi kontratat publike dhe mënyrën se procedohet deri në finalizimin e tyre. Për këtë arsye Qeveria Shqiptare mund të konsiderojë parime të transparencës dhe aksesit publik gjatë hartimit të ligjit të ri për Prokurimet Publike. Ky ligj do të duhet të konsiderojë të detyrueshëm publikimin e çdo ekstrakti kontrate për Punë Publike, Furnizime me Mallra apo Shërbime, kontrata të PPP apo Koncensioneve, kontrata për Qiradhënie Publike, Shitje të Aseteve Publike apo Kontrata të Borxhit dhe Kredimarrjes Publike në nivel lokal dhe qendror. Po njësoj të detyrueshme për tu publikuar dhe aksesuar online duhet të përcaktohen edhe Kontratat e Dhurimit me palë institucione publike.

Regjistri Koncesionar që do të ndërtohet në bazë të Ligjit për Koncesione dhe PPP, si dhe VKM-së të konsiderohet për tu realizuar në një format Open Data. Kjo duke garantuar

të dhëna të sekretit tregtar apo intelektual. 

Sugjerim Nr. 2: Buxhet i Njësive të Qeverisjes vendore sipas strukturës së të ardhurave.

Ministria e Çështjeve Vendore; Ministria e Financave

Partnerë mbështetës të Mundshëm: UNDP; Qeveria Zvicerane; USAID etj

Ligji për Financat e Pushtetit Vendorë të konsiderojë detyrimin ligjor të Qeverive Lokale për të publikuar sipas standardeve Open Spending, strukturën e të ardhurav e buxhetore.  Ky angazhim mund të realizohet në bashkëpunim me sektorin jofitimprurës dhe me suport financiar të programeve për planifikim të pushteti vendor apo instrument të asistencës për çështje antikorrupsion (edhe instrumenti IPA). Në muajin Maj do të publikohet një model i Open Budget of Local Government realizuar në kuadër të PLGP program i USAID.

Sugjerim Nr. 3 Publikim i deklaratës vjetore të pasurisë për funksionarë të lartë 

Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit Ministria për Çështjet Vendore; Ministria e Drejtësisë

Partner sektori Joqeveritar: AIS; Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi; BIRN Albania etj

Partner mbështetës: EU instrument IPA antikorrupsioni; USAID etj.

Kontrolli i Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit është një moment interesant që lidhet edhe më çështje të zbatimit të ligjit për Dekriminalizimin, apo me Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në Shqipëri ekziston e drejta e publikut për akses informacioni mbi të ardhurat dhe pasuritë e deklaruara. Por ky akses është i kufizuar në vullnetin dhe performancën e palëve monitoruese dhe institucionit që zotëron databazën (Inspektoriati). Aktualisht vende të ndryshme zbatojnë opsionin e aksesit dhe kontrollit të cilësuar (të shtuar) tek ky informacion. Me fjalë të thjeshta deklarata e të zgjedhurit dhe funksionarit të lartë është e publikuar online. Kjo do të duhej të fillonte së pari me Gjyqtarë dhe Përfaqësues të Sistemit të Drejtësisë të cilët janë dyfish subjekt i kontrollit të konfliktit të interesit. 1. sikurse çdo zyrtar i lartë (ligji për ILDKP) dhe 2.  rasti i shqyrtimit të çështjeve gjyqësore rregulluar nga Kodi i Procedurave. Psh një gjyqtar nuk mund të gjykojë një palë në proces, nëse e njëjta palë është punëdhënës i një familjari të gjyqtarit, apo palë shitblerëse në një kontratë ku angazhohet Gjyqtari dhe rrethi familjar. Duke pasur akses tek deklarata e interesave pala tjetër në proces ka më shumë informacion nëse interesat e tij manipulohen për shkak të konfliktit të interesit me palë gjyqtarin.

Në përfundim organizata jonë mirëpret diskutime, dëgjesa, koordimin dhe angazhim të përbashkët me qëllim rezultate konkrete për qeverisje të hapur dhe transparente.

Si kanë tenderuar Bashkitë! Kontrata me Negocim dhe Tendera për Investime

Open Data Albania ka hulumtuar mbi numrin e procedurave dhe fondin limit për Prokurime Publike të shpallua ranga 61 njësi të qeverisjes vendore bashki, pas ndarjes së re administrative territoriale. Artikulli hulumtues bazohet në të dhëna të databazës së portalit për Prokurime Transparente. Ky portal ka informacion për çdo procedurë prokurime publik për 61 njësitë e reja që qeverisjes vendore nga korriku 2015 e në vijim.

  • Prokrurime Publike (totali në numër dhe vlerë). Në total në këtë periudhë kohore rezulton të jenë 1290 procedura të shpallura me një fond limit prej 92 miliard lekë (të reja). Secila nga këto procedura prokurimi publik është e listuar në portalin prokurime Transparente rubrika Tender. Bashkia Tiranë është bashkia me vlerën më të lartë të fondit limit për prokurime në këtë periudhë. Tirana ka shpallur 129 tender me vlerën e 2.28 miliard lekëve. Me diferencë të madhe në vlerë Bashkinë e Tiranës e pason Bashkia Durrës me 50 procedura dhe vlerë të fondit limit 931.79 milion lekë. Bashkia Fier është në vendin e tretë sipas vlerës së fondit limit. Kjo bashki ka 59 tender të shpallur por me fond limit prej 899.85 milion lekë. Në listën e 10 bashkive me fond limit më të lartë të tenderuar janë edhe bashkitë Korcë, Sarandë, Berat, Divjakë, Gjirokastër, Kavajë dhe Librazhd. Ndërsa 10 bashkitë me vlerat më të vogla të fondit limit të shpallur për tenderime janë Ura Vajgurore, Mirdita, Përrenjasi, Delvina, Libohova, Fushë – Arrëzi. Pogradeci, Tepelena, Dropulli, Memaliaj dhe Pusteci. Artikulli me Tabelën dhe Vizulaizimet Prokurime Publike sipas Bashkive, shpallur korrik 2015 – prill 2016.
  • Negocimet e Drejtpërdrejta janë procedura prokurimesh publike përmes të cilave autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatoret ekonomik dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre. Vendimi për të aplikuar këtë procedurë duhet të jetë i bazuar dhe argumentuar me kushte që detyrojnë autoritetin të veprojë në mënyrë të tillë. Negocimet e Drejtpërdrejta duke qenë prokurime pa garë mbartin riskun e ekspozimit të lartë ndaj shpërdorimit të fondit. Në total në këtë periudhë kohore rezulton të jenë finalizuar 150 kontrata publike përmes negocimit të drejtpërdrejt. Fondi për këto kontrata publike finalizuar me negocim të drejtpërdrejtë është 83 milion lekë. Secila nga këto procedura prokurimi publik është e listuar në portalin prokurime Transparente përzgjedhja e llojit të procedurës Me Negocim. Bashkitë Tiranë, Elbasan, Kamza, Vau i Dejës, Rrogozhina, Korça, dhe Lezha janë baskitë me më shumë raste dhe vlera të proceduara me negocime të drejtpërdrejtë. Negocime të Drejtpërdrejta do të konsiderohen edhe shtesat e kontratave. Autoritetet prokuruese realizojnë të tilla sa herë që përforcojnë në shkelje afatesh për të tenderuar blerje në kohën e duhur, sikurse në vlerësime për punime dhe shërbime shtesë. Vetëm 37 nga 61 bashki kanë aplikuar procedura të negocimit të drejtpërdrejt. Negocime të drejtpërdrejta me vlerë mbi 5 milion lekë të reja kanë realizuar bashkitë Elbasan, Tiranë, Maliq, Konispol, Vau i Dejës, Rrogozhina dhe Kamza. Artikullin ju mund ta gjeni duke lexuar Kontrata me Negocim të Drejtpërdrejtë sipas Bashkive të shpallura nga 20 Korrik 2015 deri më 7 Prill 2016
  • Investime Publike (tenderuar). Në total në këtë periudhë kohore rezulton të jenë shpallur 269 prokurime për Punë Publike me vlerë prej 07 miliard lekë. Rezulton se 68% e fondit limit të tenderuar nga bashkitë në këtë periudhë kohore është fond për investime, pjesa tjetër janë furnizime me mallra dhe shërbime. Këtu janë konsideruar vetëm investime të tenderuara nga vetë bashkitë dhe nuk janë përfshirë punë publike të tenderuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, apo njësi të qeverisjes qendrore që përkojnë me investime në territorin e këtyre njësive. Secila nga këto procedura prokurimi publik është e listuar në portalin Prokurime Transparente pasi është përzgjedhur kategoria Punë Publike tek filtri i kërkimit Lloji i Kontratës. Bashkia e Korçës dhe ajo e Fierit kanë vlerat më të larta të fondit limit për Punë Publike. Ato pasohen nga Tirana, Durrësi, Saranda, Berati, Divjaka, Gjirokastra dhe Librazhdi. Dy bashki Fushë Arrëzi dhe Pogradeci nuk kanë realizuar ende asnjë prokurim për punë publike, duke privuar njësitë administrative nga të mirat dhe efektet ekonomike që kanë investimet. Gjithashtu katër bashkitë me vlerat më minimale të tenderuara për Punë Publike janë Tepelena, Kukësi, Pusteci dhe Memaliaj. Linku i artikullit Investime, Prokurime për Punë Publike sipas Bashkive, shpallur korrik 2015 – prill 2016.

Ky portal synon të bëje transparente dhe lehtësisht të gjetshme të dhëna mbi tender dhe kontrata publike të 61 bashkive në vend. Sipas filtrave të kërkimit këto prokurime mund të kategorizohen sipas llojit të kontratës që finalizon tenderin si Punë Publike (investime), Furnizim me Mallra (blerje), Shërbime etj. Gjithashtu për secilin tender mund të bëhet kategorizimi sipas numrit të pjesëmarrësve në garë dhe vlerësimi për diferencën mes fondit limit dhe vlerës së ofertës fituese. Në vijim, informacioni përditësohet me numrin e pjesëmarrësve në garë, fituesin sipas ofertës, statusin e projektit, afatin e zbatimit të kontratës dhe pagesat e çdo kontrate sipas transaksione të thesarit. Organizata AIS është implementuese e këtij projekti. Kjo organizatë është promotore e Open Data për Shqipërinë.

 

Prokurime Publike te Bashkive – Open LGP

Ky projekt synon të bëje transparente dhe lehtësisht të gjetshme të dhëna mbi tendera dhe kontrata publike të 61 bashkive në vend. Përmes portalit qytetarët informohen dhe monitorojnë mbi procedura prokurimesh për shërbime, punë dhe blerje me para publike. Në filtrat e kërkimit të krijuara në portalin http://openprocurement.al do të jetë çdo shpallje për tender nga Bashkitë. Informacioni përmban emrin e projektit, afatet e tenderit, llojin e procedurës, objektin, fondin e shpalljes dhe informacione të tjera.

Prokurime Transparente: 7 Bashki tendera për Përmirësim Komuniteti Rom Kushte Banimi

Organizata AIS, përmes projektit të saj Open Local Government Procurement  OpenLGP  bën të mundur monitorimin e të gjitha prokurimeve publike, të njësive të qeverisjes vendore në vend 61 Bashki. Projekti ka në fokus çdo tender dhe kontratë publike (me çdo lloj vlerë) të realizuar nga muaji korrik 2015 e në vijim. Transparenca me Kontratat Publike është e rëndësishme  jo vetëm si pjesë e transparencës mbi shpenzime të fondeve publike, por edhe për faktin se nga shpërndarja dhe ekzekutimi i kontratave të tilla varet cilësia e jetës dhe e shërbimeve ndaj komuniteteve të ndryshme.

Përmes këtij emali po ju prezantojmë disa prokurime apo kontrata publike, të realizuara me Objekt Ndërtim ose Rikonstruksion banesash për komunitetin Rom dhe Egjiptian. Këto kontrata janë publikuar tek OpenLGP  dhe përkojnë më shtatë kontrata në dobi të komunitetit Rom në shtatë bashki si vijon:

  1. Bashkia  Sarandë, në datën 24. 08. 2015 ka shpallur tenderin e hapur me Objekti Rikonstruksionin i 6 banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian. Vlera Fond Limit pa TVSH, për Rikonstruksionin e 6 banesave është  2 750 000 lekë. Në garë morën pjesë 8 operator ekonomik. Kontrata Publike është fituar dhe nënshkruar në datën 6. 10. 2015 nga Firma Shendelli SHPK. Kohëzgjatja e kontratës 20 ditë.
  2. Bashkia Mirditë, në datën 31. 08. 2015 ka shpallur procedurën e hapur për konkurrim në tenderin me Objekt: Rikonstruksion i 15 (pesëmbëdhjetë) shtëpive të komunitetit Rom dhe Egjiptian, Bashkia Mirditë Rrëshen. Fondi Limit për këtë tender pa TVSH është 4 416 670 lekë. Tenderi është anuluar në fazën e parë pasi asnjë konkurrent nuk ka plotësuar kushtet e pjesëmarrjes në garë. Është rishpallur më tej dhe me pjesëmarrje të 5 operatorëve konkurrent është shpallur fitues me lidhje kontrate  (datë 11.11. 2015), subjekti AEK MUNELLA SHPK. Kohëzgjatja e punimeve 1 muaj nga data e lidhjes së kontratës.
  3. Bashkia Lezhë në datën 28.12. 2015 ka shpallur se me negocim është lidhur kontrata me vlerë me TVSH  3 815 200 lekë për Ndërtim Banesa sociale për 8 (tetë) familje rome. Operatori Privat i zgjedhur për ndërtim është Junik SHPK.
  4. Bashkia Divjakë në datën 4 . 03. 2016 ka shpallur procedurën për tender përmes Kërkesës për Propozim me Objekt: Rikonstruksion i Banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Njësinë Administrative Grabian (18 Familje) , Bashkia Divjakë. Fondi Limit pa TVSH është shpallur 8 514 590 lekë. Tenderi është anuluar me arsyetimin e Gabime në Përllogaritje të Preventivit. Dhe është rishpallur pa pasur ende njoftim për fitues dhe lidhje kontrate.
  5. Bashkia Rrogozhinë ka shpallur në datën 10. 03. 2015 një procedurë tenderi të hapur me objekt:  Ndërtim Banese Sociale, 2(dy) Katëshe, për Komunitetin Rom dhe Egjiptian, në Bashkinë Rrogozhinë. Tenderi do të mbahet në datën 30 Mars, dhe në dokumentacionin e tenderit specifikohet se realizohet me fonde të Bankës Botërore. Ecurinë e Tenderit dhe fituesin e Kontratës Publike do ta gjeni në javët në vijim të përditësuar po tek Prokurime Transparente.
  6. Bashkia Krujë ka shpallur në datën 16. 03. 2016, një njoftim për Tender të Hapur me fond limit pa TVSH në vlerën 18 122 330 lekë, dhe objekt: Ndërtim e Rikonstruksion i 35 Banesave të Komunitetit Rome, Fshati Arrameras Fushë-Krujë  . Tenderi do të mbahet në datën 8. 04. 2016 dhe afati i përmbylljes së Kontratës është 4 muaj.
  7. Bashkia Elbasan përmes procedurës Kërkesë për Propozim në datën 16. 03. 2016 ka shpallur njoftimin për mbajtje tenderi me Objekt: Përmirësimi i Kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian, lagjja 5 Maji. Vlera Limit e tenderit është 5 522 100 lekë. Afati për paraqitje dokumentacioni është vetëm 14 ditë dhe shpallja e fituesit pritet të bëhet në datën 29. 03. 2015.

Aktualisht të tjera Bashki me prezencë të komuniteteve në nevojë nuk kanë anoncuar gjatë periudhës korrik 2015 – mars 2016 tender dhe kontrata publike me këtë objekt. OpenLGP Prokurime Transparente, ju fton të ndiqni në ditët në vijim të tjera informacione mbi ecurinë e prokurimeve dhe kontratave publike për përmirësimin e kushteve të komuniteteve në nevojë. Po kështu ftojmë gazetar investigativ apo organizata lokale me mision monitorim të punës së njësive të qeverisjes vendore, të vëzhgojnë në terren eficensën e zbatimit të këtyre kontratave.

Open Local Government Procurement OpenLGP, është një projekt që zbatohet nga AIS, organizatë promotore e Open Data Albania.

Projekti OpenLGP Albania prezantohet në Personal Forum Democracy Poloni 2016

Në datat 17 dhe 18 mars u mbajt në Gdansk të Polonisë Personal Forum Democracy 2016 për Europën Qendrore dhe Lindore PFD 2016. Ky forum zhvillohet çdo vit në Poloni si një përpjekje e shoqërisë civile për të përdorur teknologjinë për demokratizim dhe angazhim civil. Folës dhe Moderatorë të workshopeve këtë vit u përqendruan tek pyetja se si mund ti bashkojmë njerëzit për të nxitur debatin publik. Pjesëmarrja qytetare, përdorimi i teknologjisë për transparencë, ndërgjegjësimi përmes të dhënave të hapura, janë objekt i dhjetëra programeve të shoqërisë civile në vende të Europës Qendrore dhe Lindore.

Gjatë PFD 2016 u prezantua edhe projekti i organizatës AIS, për monitorimin e prokurimeve dhe kontratave publike të qeverisjes lokale Open Local Government Procurement OpenLGP. Prezantimi ishte pjesë e workshopit Monitoring Procurements – Experiences from Albania and Hungary. Tre moderatore në workshop ishin Shefiko HAJNA nga AIS, Anita KONSCIK nga K-Monitor dhe Eva MEQEMEJA nga AIS. Dy modelet dhe portalet e ndërtuara nga shoqëria civile në Shqipëri dhe Hungari, sjellim instrumenta të monitorimit qytetar mbi mënyrën se si qeveritë prokurojnë punë, shërbime apo blerje me para publike. Duke i bërë tenderat transparent dhe të monitorueshëm për qytetarin, secili nga programet sjell edhe angazhimin e taksapaguesve në kontroll për llogaridhënie. Të dhënat që hapen për Prokurimet Publike mbartin informacion të plotë dhe të qartë mbi vlera, afate, cilësi gare dhe objekt prokurimi. Gjithashtu informacioni zbardh zonat apo kontratat me risk për abuzim apo korrupsion. Pjesëmarrësit në workshop ishin të shumtë.

12509822_1038419682846977_3844212567840962971_n

12032183_1079630705392541_1548783089485718148_n 10385546_1080972658591679_8608409798666540432_n 12439098_1080972638591681_780238872420696417_n 12670706_1080972568591688_2142042734340048049_n

DSC_0283
DSC_0280 DSC_0281

Java e Interneti 2016 / Get Online Week 2016

Fuqizohu, Punësohu

Instituti Shqiptar i Shkencave në partneritet me Telecentre Europe organizon për të pestin vit në Shqipëri  fushatën vjetore Get Online Week për fuqizimin dixhital. Ky event mbahet ne datat 14 deri 20 Mars në mbarë Europën.

Qëllim i kësaj fushate është nxitja dhe aftësimi i sa më shumë personave në përdorimin e internetit. Në fokus janë moshat e reja dhe edukimi i përdorimit të internetit për punësim dhe edukim cilësore. Në Europë tregu i punës kërkon çdo ditë me mijëra profesionist që njohin internetin dhe teknologjinë. Por ndërsa kërkesa për punë me pagesë të mirë është e kënaqshme, njerëzit që kanë aftësi të punojnë janë më pak se kërkesa. Kjo Javë Promovuese synon ti nxis Europianët të Fuqizohen dhe Punësohen në këtë treg pune.

Në Shqipëri kjo javë do të shënojë trajnimin e të rinjve të shkollave të mesme publike dhe studentëve; aplikimin e një sondazhi që ndihmon të kuptojë sa e përdorin internetin grupmoshat dhe profesionet e ndryshme si dhe mjaft evente mediatike që promovojnë aftësimin profesional në teknologjinë e informacionit.

gow2016

 

Tregues mbi Shoqëri Aksionare me Kapital Publik Open Data Albania

Open Data Albania ka hulumtuar mbi tregues të performancës së Shoqërive Aksionare SHA me Kapital Publik, duke marrë në shqyrtim 120 të tilla. Analiza ka vlerësuar kapitalin e tyre themeltar, rritjen apo zvogëlimin në vitin 2014 dhe 2015, xhiron vjetore për 2014 apo fitimin vjetor përpara tatimit. E njëjta analizë është bërë edhe për Aftësinë Paguese dhe Kosto të Punës. Gjithashtu përmes këtij grupi artikujsh është hartuar edhe një listë me emra të administratorëve të emëruar për këto shoqëri, sikurse lista me ekspertë kontabël të emëruar për auditimin e pasqyrave vjetore të SHA me Kapital Publik.

Të dhënat për këtë analizë janë marrë në dokumentacionin e reklamuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit QKR, ku konstatohet se në 120 shoqëri aksionare me kapital publik reklamimi i përditësuar i informacionit në 2014 dhe 2015 është bërë vetëm për 70 prej tyre.

Shkurtimisht mbi Artikujt:

Fitimi Vjetor Para Tatimit Për SHA me Kapital Publik, 2012-2014.

Në vitin 2014 kanë deklaruar pasqyrat financiare 70 SHA me kapital publik nga 120 të marra në hulumtim. Në total ato shënojnë një humbje prej 19.7 miliardë lekë ose 141 milionë euro.

Gjatë këtij viti rezultojnë të kenë dalë me fitim 26 SHA. 5 shoqëri rezultojnë me fitim zero, dhe 39 SHA të tjera rezultojnë me humbje kontabël neto. Fitimin më të lartë neto në vitin 2014 e shënon Operatori i Sistemit të Transmetimit OST me një vlerë prej 2.3 miliardë lekë ose 16.7 milionë euro, ndërsa humbjen më të madhe neto e shënon Korporata Elektroenergjitike Shqiptare SHA KESH me një vlerë prej -22.2 miliardë lekë ose -159 milionë euro.

Në 67 SHA me kapital publik që kanë deklaruar pasqyrat e tyre financiare për vitet 2012,2013 dhe 2014 konstatohej një total  me trend në rënie. Në vitin 2014 të gjitha këto subjekte së bashku shënojnë një humbje prej -19 693 523 132 lekë, ndërkohë që në dy vitet e mëparshme kanë pasur një fitim para tatimit prej përkatësisht 11.6 miliardë lekë në vitin 2012 dhe 11.7 miliardë lekë në vitin 2013.

Ky indikator ka pësuar ndryshime në të gjithë subjektet tregtare në hulumtim. Rritjen më të madhe të fitimit para tatimit në harkun kohor 2012-2014 e kanë shënuar këto subjekte: Albcontrol, Posta Shqiptare SHA dhe Kombinati Energjetik, ndërsa rënien më të madhe e shënojnë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare SHA KESH, Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe Hekurudha Shqiptare.

Ekspert Kontabël të SHA me kapital Publik, Pasqyra Financiare 2014

Ekspert Kontabël i Regjistruar është profesionisti i pavarur pjesë e Regjistrit Publik të ekspertëve kontabël, në përputhje me dispozitat e ligjit Për Auditimin Ligjor, Organizimin e Profesionit të Ekspertit Kontabël të Regjistruar dhe të Kontabilistit të Miratuar (Ligj Nr 10091, Datë 5.03. 20109). Shoqëritë Aksionare SHA e kanë të detyrueshëm auditimin e pasqyrave financiare vjetore nga një Ekspert Kontabël i Regjistruar. Eksperti kontabël i një shoqërie me kapital tërësisht publik zgjidhet nga aksionari (institucioni publik). Sipas reklamimeve në QKR janë 57 Shoqëri Aksionare me kapital publik, që kanë dorëzuar auditime nga ekspert kontabël për pasqyra financiare viti 2014. Për auditimin e këtyre SHA-ve janë angazhuar 68 ekspert kontabël nga 221 që janë sipas Regjistrit Publik. Janë 12 ekspert të angazhuar në auditimin e më shumë se një shoqërie aksionare me kapital publik për 2014. Rekord shënon një rast eksperti i angazhuar në shtatë shoqëri aksionare publike. Lista e Ekspertëve Kontabël të SHA me kapital Publik, që kanë audituar Pasqyra Financiare 2014 është e publikuar tek ODA. Vetëm tre SHA me kapital publik auditohen nga katërshja e njohur si kompanitë e mëdha të auditimit me zyra apo degë lokale në vend.

Xhiro Vjetore për 2012 – 2014 e SHA me Kapital Publik

Në vitin 2014 kanë deklaruar pasqyrat e tyre financiare 65 subjekte nga 120 të marra në shqyrtim. Xhiro totale e tyre shënon një vlerë prej 33.4 miliardë lekë ose 238 milionë euro. Ndër këto gjashtëdhjetë e pesë subjekte xhiron më të madhe e shënon “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare SHA KESH me një xhiro prej 10.8 miliardë lekë ose 77 milionë euro. Kjo xhiro përbën 32% të xhiros totale të 65 subjekteve tregtare me kapital apo kuota nga një institucion publik.

Subjekte të tjera me xhiro vjetore mbi dy miliardë lekë janë Operatori i Sistemit të Transmetimit OST, Albcontrol, Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe Posta Shqiptare SHA

Në vitin 2014 të gjitha 61 SHA me kapital publik së bashku shënojnë një xhiro vjetore prej 33.219 miliard lekë, ndërkohë që në dy vitet e mëparshme kanë pasur një xhiro totale prej përkatësisht 45.2 miliardë lekë në vitin 2012 dhe 45.5 miliardë lekë në vitin 2013. Në të tre vitet xhiron më të madhe e shënon Korporata Elektroenergjetike Shqiptare SHA KESH. Xhiroja e këtij subjekti ka rënë me 13.8 miliardë lekë për dy vjet. Nga ana tjetër xhiro vjetore e subjekteve Operatori i Sistemit të Transmetimit OST dhe Albcontrol është rritur me përkatësisht 1.1 miliardë lekë dhe 255 milionë lekë për dy vjet. Vlera të xhiros vjetore për secilën kompani në vitet 2012 – 2014 kanë paraqitur dhe vizualizuar në një nga Artikujt e ODA.

Administratorë të Shoqërive Aksionare me kapital publik. 31 Dhjetor 2015

Gjashtë nga 120 shoqëritë aksionare të zotëruara nga një institucion publik janë në proces Likuidimi (proces likuidimi për efekt mbyllje) për pasojë administratorët e tyre janë edhe në cilësinë e likuidatorit. Ndërmarrje në proces rikujtimi janë Kombinati Energjetik, KESH SECURITY SHRSF dhe OST SECURITY,  Prodhim Veshje Ushtarake SHA, Bursa e Tiranës SHA, ALBMINIERA SHA dhe Berat EKS.

Në njëqind e njëzetë shoqëritë aksionare të marra në shqyrtim 17 prej tyre ose 14% kanë administrator femër ndërsa 103 shoqëri aksionare drejtohen nga administrator meshkuj ndryshe 86% e ndërmarrjeve me aksionar një institucion publik.

Janë tetëmbëdhjetë në numër administratorët e shoqërive tregtare me kapital publik të cilëve u ka mbaruar mandati deri në fund të vitit 2015. Këto subjekte nuk kanë deklaruar në QKR nëse këtyre administratorëve ju është rinovuar mandati apo shoqëria është në pritje të një emërimi për administrator të ri. Në 120 shoqëri me aksionar me kapital publik, për 51 nuk janë reklamuar në QKR pasqyrat financiare të vitit kontabël 2014. Në vitin 2013 janë emëruar 24 administrator të rinj, nëntëmbëdhjetë prej të cilëve kanë një mandat trevjeçar. Në vitin 2014 janë emëruar 24 administrator, njëzetë e dy prej të cilëve kanë një mandat 3-vjeçar. Në vitin 2015 janë emëruar 32 administrator, njëzetë e një prej të cilëve kanë një mandat 3-vjeçar.

Kosto e Punës në Shoqëri Aksionare me kapital të një Institucion Publik 2014

Kostot e punës përfshijnë vlera për pagesat për punonjësit, pagat bruto, kontributet për sigurimet shoqërore që paguan punëdhënësi, kostot e trajnimit profesional, shpenzime e rekrutimit dhe ato për veshje, strehim apo taksa të tjera të punësimit.  Në vitet 2012-2014 rezulton me kosto pune më të lartë shoqëria ALBCONTROL. Në vitin 2014 kësaj shoqërie burimet njerëzore i kanë kushtuar 1.2 miliardë lekë. Një tjetër shoqëri me kosto të punës mbi 1 miliardë lekë është edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare SHA KESH.

Mbulimi i Kostove të Punës përmes Xhiros Vjetore të Shoqërive, është një element që tregon se sa shoqëritë,  arrijnë të mbulojnë vetë këtë kategori shpenzimi (kostoje). Shoqëri të cilat kanë deklaruar një xhiro prej 0 lekë, ose thënë ndryshe që financohen totalisht nga fonde publike pasi nuk arrijnë t’i mbulojnë vetë kostot e tyre të punës janë ALBMINIERA SHA, Bursa e Tiranës SHA  dhe KRWM SHA. Kompani të cilat kanë një xhiro më të vogël se kosto e punës ose ndryshe që arrijnë të mbulojnë vetëm një pjesë të këtyre kostove, për vitin 2014 janë tetëmbëdhjetë, 14 prej të cilave kanë një mbulim mbi 50%.

Aftësia Paguese e SHA me kapital nga një Institucion Publik 2014.

Ky indikator vlerëson aftësinë që një shoqëri ka për të shlyer detyrimet.  Raportet për të analizuar aftësinë paguese të një shoqërie janë dy. Raporti i borxhit total llogaritet si raport i detyrimeve ndaj detyrimeve dhe kapitalit dhe tregon çfarë peshe zënë detyrimet në pasivin e shoqërisë. Raporti i detyrimeve totale ndaj kapitalit tregon pjesën e aktiveve që financohet me kapital dhe pjesën e financuar me kredi.  Korporata Elektroenergjetike Shqiptare SHA KESH e cila ka vlerën më të lartë të detyrimeve, ka një raport borxhi 84% në vitin 2014. Pra, detyrimet ë kësaj shoqërie zënë 84% të pasivit. Raporti tjetër i po të njëjtës shoqëri tregon që për çdo 1 lekë financim me kapital të vet ajo financon 5.31 lekë me kredi.

Raportin më të lartë të detyrimeve ndaj kapitalit në vitin 2014 e shënon TERMOCENTRALI Vlore SHA në vlerën 443.4 herë.

Situatën më të “mirë” të aftësisë pagese në këtë vit e pasqyron “TRAJTIMI I STUDENTEVE SH A Gjirokastër” i cili financohet thuajse 100% me kapital të vet.

Të dhëna të detajuara për kapitalin, aksionarët, xhiron vjetore, fitimin përpara tatimit dhe administratorët e shoqërive aksionare janë të publikuara për secilën SHA tek databaza e mirëstrukturuar Shoqëri Biznesi .

AIS vs PS, LSI dhe PD mbi Transparencën me Fondet e Fushatave. Kërkesë Gjykatës Administrative Apeli për përshpejtim të shqyrtimit gjyqësor

Në vijim të procesit gjyqësorë, dhe përpjekjeve për të detyruar partitë politike të vënë në dispozicion të publikut në kohë reale (gjatë fushatës)  të dhëna për Financimin e Fushatave Zgjedhore, po ndajmë me ju informacion mbi zhvillime të fundit.

Konkretisht AIS, ka depozituar në Gjykatës Administrative Apeli, një Ankim me Objekt: Shfuqizimin e vendimit nr. 44, date 22.07.2015 te Komisionerit për te Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e te Dhënave Personale. Detyrimin e partive politike t’i japë palës paditëse informacionin e kërkuar për financimin e fushatës zgjedhore, te kërkuar prej këtij te fundit ne datën 09.06.2015.

Paditës në Proces është : AIS organizatë jofitimprurëse.

Të paditur janë : Komisjoneri për të Drejtën e Informimit, PD, PS dhe LSI.

kjo çështje e ankimuar, është regjistruar në  apel në datën 18.01.2016. Zbardhja e Vendimit në Gjykatën e Nivelit të Parë dhe Transferimi i Dosjes nga Shkalla e Parë tek Gjykata Administrative e Apelit Tiranë u vonuan me 2 muaj. Aktualisht për çështjen është hedhur shorti dhe si relator është përzgjedhur gjyqtari Artur Malaj. Në pritje të një date për fillim të shqyrtimit gjyqësor AIS, u trembet zvarritjeve dhe vonesave në kohë, si pasojë e ngarkesës teknike të gjykatave administrative.

Në këtë kontekst, AIS vlerëson se objekti i padisë dhe rëndësia që ajo ka për interesin publik kërkon me domosdoshmëri shqyrtimin e saj në një kohë të shpejtë dhe jo në periudha zvarritëse disa vjeçare. Nëse shqyrtimi gjyqësor zvarritet dhe nuk finalizon përpara fillimit të fushatës tjetër zgjedhore (2017), objekti i Padisë dhe shqyrtimi gjyqësorë humbasin rëndësinë dhe aktualitetin. Gjithashtu një interpretim dhe vendim gjyqësor përfundimtar do të kontribuonte edhe në procesin e debatit dhe punës për ndryshime ligjore të mundshme në kuadër të reformës me Kodin Zgjedhor, reformë e parashikuar të ndërmerret dhe finalizohet brenda vitit 2016.

Për këtë arsye, AIS në cilësinë e paditësit i është drejtuar Gjykatës Administrative Apeli Tiranë, Kryetarit të saj zotit Kastriot Selita, Relatorit të çështjes, gjyqtarit zoti Artur Malal me Kërkesën: për Përshpejtim të Shqyrtimit Gjyqësor  të çështjes në një afat kohor sa më të shpejtë.

Gjithashtu kujtoj që pretendimi për akses informimi në kohë reale në financimet elektorale të partive bazohet në parashikimin kushtetues Neni 9 i Kushtetutës pika 3 Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

 

Më poshtë po ju përcillet një kopje e kërkesës së drejtuar Gjykatës së Apelit për Përshpejtim Gjykimi .

Kerkese per pershpejtim gjykimi

Kopja e kërkesës së dytë  drejtuar Gjykatës së Apelit për Përshpejtim Gjykimi

Kërkesa e dytë drejtuar Gjykatës së Apelit për Përshpejtim Gjykimi