Biznese Kontraktore Shëndetësi Covid-19, Mars 2020 – Maj 2021

AIS organizatë promotore e Open Data Albania po hulumton mbi Biznese, kontraktorë në sektorin shëndetësi, për blerje për përballim të Situatës Covid-19. Hulumtimi është bërë për Kontrata ku janë njoftuar fitues, sikurse për Pagesa Thesari të ekzekutuara në favor të tyre në datat mars 2020 deri maj 2021. Kompanitë janë listuar sipas totalit të vlerës. Në këtë listim nuk bëjnë pjesë kontratat apo marrëveshjet ku nuk ka vlerë totale por ka vetëm çmim për njësi.

Gjithashtu fitues të Kontratave për Nevoja Thelbësore të Shtetit janë listuar në një artikull tjetër. Në këto kontrata procedura nuk është e hapur dhe e aksesueshme, informacioni mbi vlerat dhe objektin jepet pjesërisht për shkak të mungesës së njoftimeve publike si kontrata sekrete.

Po njësoj nuk do listojmë edhe Kompanitë që janë kontraktuar për Blerje Vaksine, Biznese apo Subjekte të huaja për kontrata kryesisht Sekrete. Për këtë kategori Blerjesh është formuluar një artikull i veçantë.

Në Renditje sipas Vlerës së Kontratës së Fituar në Shëndetësi, për kontraktim blerje, investim apo porosi për Covid 19, Mars 2020 – Maj 2021, Biznesi i parë më i kontraktuar në vlerë është shoqëria GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk. Pasohet në renditje nga Evita shpk, Intermed shpk, Intermed shpk, Biometric Albania shpk, Messer AlbaGaz shpk, Euromed shpk ne bashkëpunim me Farma Net Albania, OES Distrimed shpk, Euromed shpk, Eurovia shpk. Farma Net Albania.

 

Kompania e parë në renditje sa i takon vlerë në tendera të situatës Covid-19 sektori shëndetësi është GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk. Ajo ka fituar tendera me vlerë totale pa tatim mbi vlerën e shtuar prej 2.08 miliard Lekë. Shoqëria zotërohet nga Italiania SOL spa. Tenderat ku ajo ka rezultuar operator i kontraktuar janë për furnizime dhe infrastrukturë Oksigjen mjekësor i gaztë. Shoqëria ka fituar 31 tendera gjatë situatës Covid -19 me 13 institucione shëndetësore. Ndërsa në total në sektorin shëndetësi duke fituar e vetme pa bashkime me operator të tjerë, ajo ka (deri maj 2021) 111 kontrata.

Në vend të dytë është shoqëria EVITA shpk. Kjo shoqëri ka fituar tendera në vlerën 627.5 milion Lekë. Shoqëria është kontraktuar për 4 raste në blerje të Kite, Reagent dhe Teste Diagnostikuese.

Intermed ne vendin e tretë është kontraktuar në blerjen e artikujve për masa mbrojtëse. Vlera e kontratave të fituara prej saj është 384.5 milion Lekë.

Një tjetër renditje interesante është edhe ajo e Kontraktorëve për materiale dhe shërbime shëndetësore sipas Pagesave të përfituara deri në Maj 2021 përmes Transaksione Thesari. Kjo tregon edhe ecurinë e kontratave të fituara të cilat kanë dinamikë të ndryshme në dorëzime mallrash, pranim situacionesh dhe pagesë e kundravlerës. Renditja sipas Transaksioneve të Thesarit të përfituara për Blerje Covid 19, Mars 2020 – Maj 2021.

Dhjetë shoqëritë vendase me pagesë më të lartë janë si vijon: GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk me 1 miliard lekë, Evita shpk me pagesa thesari për periudhën në vlerën 281.1 milion lekë, Euromed shpk me pagesa në vlerën 137.46 milion lekë. Renditja vijon me Biometric AlbaniaEuroviaMesser Albagaz shpk, Gen- Alb Farma shpk, Intermed shpk, OES Distrimed.

Tendera Sektori Shëndetësi janë të publikuara në një format të mirëstrukturuar dhe analitik në faqen për Open Procurement Albania Shëndetësi. Po aty është krijuar një databazë analitike për tenderime dhe kontraktime të realizuara në funksion të nevojave të sektorit shëndetësi për përballimin e situatës Covid-19. Struktura dhe listimi i Informacionit janë sipas kategorive Blerje Oksigjen , Blerje Dizifektues, Mjete Mbrojtëse, Test Tampon , Barna , Aparatura , Kontraktime Vaksinimi , Kontraktime Sekrete sipas VKM Nr 203 datë 2020 , Të Tjera.

Ky artikull u realizua si pjesë e aktiviteteve në zbatim të projektit  Kontrata Publike në gjendje të Katastrofës Natyrore Covid 19 Forcimi i Mekanizmave të Pavarur të Monitorimit” projekt që përfundon në qershor 2021.