Kosto Koncessionare PPP për Taksapaguesit Publik viti 2018 – 2023 Planifikime.

Open Data Albania po hulumton mbi Kostot e Buxhetit të Shtetit për Koncesionet Partneritet Publik Privat (PPP) që mbulohen me fonde publike, për periudhën 2018-2023. Artikulli identifikon planifikimin për pagesa vit pas vit dhe sipas shoqërive koncesionare bën një analizë të ecurisë në vite. Ky hulumtim mbështetet mbi dokumentin e Relacionit të Buxhetit që shoqëron Ligjin Vjetor të Buxhetit. Periudha e analizuar gjashtë vjeçare (2018-2023) merr në konsideratë totalin e pagesave vjetore të planifikuara nga fondet publike për kontratat koncesionare PPP aktive në këtë periudhë. Pagesat e planifikuar për vitet 2018, 2019, 2020 janë marrë përkatësisht nga: Relacioni i Buxhetit 2018, Relacioni i Buxhetit 2019, Relacioni i Buxhetit 2020, ndërsa pagesat e planifikuara për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë marrë nga Relacioni i Buxhetit 2021. Kostoja totale e Buxhetit të Shtetit për mbulimin e pagesave të planifikuara për kontratat koncesionare PPP gjatë këtyre 6 viteve është përllogaritur në planifikim për shumën 81 831 984 000 (tetëdhjetë e një miliardë e tetëqind e tridhjetë e një milion e nëntëqind e tetëdhjetë e katër mijë) lekë ose 662 071 068 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy milion e shtatëdhjetë e një mijë e gjashtëdhjetë e tetë) Euro. Për periudhën 2018-2023 në Buxhetin e Shtetit rezultojnë 15 kontrata koncesionare PPP me mbështetje buxhetore. Shumica e këtyre kontratave janë aktive për gjithë periudhën, ndërsa 4 nga kontratat nuk kanë shtrirje të pagesave për 6 vitet, por mund të kenë pagesa të planifikuara vetëm për vitet e para dhe afati përfundon para vitit 2023, ose kanë nisur pas vitit 2018.

Po të shohim ecurinë në vite, Viti me planifikim më të lartë në vlerë është vitit 2022 ku planifikimi qëndron në nivelin prej 15.39 miliard Lekë.

Të dhënat: MFE, Relacioni për Buxhetin e Shtetit 2021, shkarkuar me datë 21.12.2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse do të shohim planifikimet sipas kontratës apo shoqërisë koncesionare shoqëria Gjoka 97 me Ndërtim dhe Operim i Rrugës së Arbrit shënon kontratën më voluminoze me një total Planifikimi prej 16.53 miliard lek planifikimi 6 vjeçar 2018-2023. Pasohet nga SaniService e cila zbaton kontratën Ofrim i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale dhe nga S2 Albania e cila zbaton Shërbimin e Skanimit në Dogana. Të dyja këto kontrata janë aktive për të gjithë periudhën dhe shoqërohen me kosto për Buxhetin e Shtetit gjatë 6 viteve të analizuara. Dy kontrata e mësipërme zënë secila rreth 12% të totaleve të parashikuara për pagesa buxhetore për zbatimin PPP Koncesione.

Të dhënat: MFE, Relacioni për Buxhetin e Shtetit 2021, shkarkuar me datë 21.12.2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të tjera shoqëri PPP sipas planifikimit mbështetje buxhetore 2018 – 2023 janë Integrated Energy BV SPV 7.47 miliard leke; Laboratory Networks 6.92 miliard; 3P Life Logisttic 5.25 miliard Lekë; Albania Highaway Concession vlera e planifikuar 3.7 miliard Lekë; Dia Vita vlera e planifikuar 4.47 Miliard Lekë; Integrates Technology Waste Treatmen Fier vlera e planifikuar 3.76 miliard lekë; Infrastructura Arsimore Bashkia Tirana 4.64 miliard leke; Shoqëria Koncesionare Rruga Orikum Llogara 2.9 miliard lekë, Bardh Construction 1.46 miliard lekë, Albatek Energy 2.03 Miliard Lekë, Devoll Hydropower 2.95 miliard lekw , G2 Infra për të cilën nuk ka vlerësim.

Nga analiza e ecurisë së totalit të pagesave të planifikuar mbizotëron trendi rritës sidomos vitet e para. Kjo tregon se kostoja që përballohet nga Buxheti i Shtetit është në rritje nga viti në vit.

Të dhënat: MFE, Relacioni për Buxhetin e Shtetit 2021, shkarkuar me datë 21.12.2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Regjistri Koncesionar i përgatitur nga Organizata AIS promotore e Open Data për Shqipërinë, shfaq të dhëna dhe dokumente të mirë strukturuara për të gjitha shoqëritë dhe kontratat koncesionare në vend. Për secilën prej tyre jepet historiku i prokurimit, krijimi i shoqërisë koncesionare, struktura e kapitalit, zotëruesit dhe ndryshimi i paketës së kontrollit mbi aksionet, kontrata, performanca ekonomike dhe menaxheriale në vite.