Njoftim për Pjesëmarrje Qytetare – Open Government Albania

Viti 2012 është viti i angazhimit për mirëqeverisje dhe pjesëmarrje qytetare pagëzuar si Open Government, e shqipëruar Qeverisje e Hapur. Shqipëria ka shpallur 2012 vit të sfidës për t’u bërë pjesë e Open Government Partnership, OGP (Partneriteti për Qeverisje të Hapura). Në shtator 2011 tetë shtete të globit nënshkruan për OGP, përkatësisht: Brazili, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Filipinet, Meksika, Norvegjia, Afrika e Jugut dhe Indonezia. Vendi ynë do ti bashkohet kësaj iniciative në Mars e deri atëherë duhet të ketë gati një plan veprimi duke plotësuar shumë standarde. Kështu shteti shqiptar ka shprehur vullnetin për tu rreshtuar ndër vendet me nivel të lartë demokracie e transparencë qeverisjeje.  Në këtë partneritet të shteteve më demokratike, Shqipëria është vendi i parë i kampit ish komunist, vendi i dytë i kontinentit Evropian dhe i pari shtet ballkanas që bëhet pjesë e OGP-së.

Çfarë është Open Government Partnership (Partneriteti për Qeverisje të Hapur). Ky partneritet bazohet tek parimet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit dhe mjaft instrumenteve të tjera ligjore për të drejtat e njeriut dhe mirëqeverisjen. Qytetarët e mbarë botës, përfshi dhe shtete të përfshira në proceset e “Pranverës Arabe” kërkojnë qeveri më transparente, më të përgjegjshme, reaguese dhe efektive. Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP) synon të angazhojë qeveritë në shfrytëzimin e fuqisë së teknologjive në mirëqeverisje. Fuqia e teknologjisë siguron hapje në angazhimin me qytetarët për të përmirësuar shërbimet, menaxhuar burimet publike dhe promovuar inovacionin. Një qeverisje e tillë veç efiçensës ka siguruar edhe dinjitetin human të individëve që ajo qeveris. Ky parim i dixhitalizimit për transparencë dhe disponueshmëri duhet të përfshijë qeverisjen në çdo nivel.

Instituti Shqiptar i Shkencave po ndërmerr një veprim informimi publik mbi këtë proces. Si hap i parë po sjellim në gjuhën shqipe Deklaratën për Open Government. Gjithashtu jo ftojmë të bëheni pjesë e aktivizimit civil duke prezantuar opinione, sugjerime dhe interesat tuaja për OGP në rubrikat e kontaktit dhe rrjetet sociale të promovuara nga Institui Shqiptar i Shekncave. Këto opinione dhe sugjerime do të përcillen në portalin e Instituti Shqiptar të Shkencave dhe do të delegohen pranë Qeverisë Shqiptare në cdo mundësi konsultimi që do të ofrohet nga palët në ndërveprim.

Aksesi në teknologji të reja funksionon jo vetëm për hapjen por edhe mbi llogaridhënien qeveritare. Teknologjitë e reja ofrojnë mundësi për shkëmbim, pjesëmarrje publike dhe bashkëpunim. Këto teknologji do të përdoren për të bërë të ditur sa më shumë informacione që publiku të ketë të qartë se çfarë bëjnë qeveritë. Ky proces funksionon për të mundësuar influencën qytetare në pjesëmarrje.

Një vend të veçantë zënë në këtë deklaratë të vendeve anëtare publikimi i të dhënave qeveritare (open data). OGP parashikon angazhimin për të promovuar akses të shtuar të informacionit dhe dhënien e informacioneve shpjeguese në çdo nivel të qeverisjes. Theks vendoset tek transparenca në sistemimin e vazhdueshëm të të dhënave mbi shpenzime qeveritare openspending. Procesi synon të bëjë aktiv informacion me vlerë të madhe përfshi raw data (të dhëna të papërpunuara). Kusht i procesit është që çdo e dhënë të jetë lehtësisht e ripërdorshme. Në rast të kundërt qeveritë duhet të parashikojnë një sistem më të mirë ankimimi duke siguruar mjete juridike efektive të procesit të rekursit. Thënë me fjalë krejt të thjeshta e drejta e publikut për akses informimi mbi të dhëna zyrtare, po shndërrohet në të drejtë të publikut për të dhëna të hapura (open government data). Kjo është një sfidë esenciale për një vend që deri para dy dekadash aplikonte censurën në nivel totalitar.

Standarde të Shqipërisë për OGP. Përveç vullnetit me rol në këtë proces është një ecuri e mirë e viteve të fundit në fushën e dixhitalizimit dhe sistemeve elektronike në ndërveprime administrative. Kështu Shqipëria në 2009-ten u bë vendi i parë që aplikon prokurime elektronike të detyrueshme për të gjithë sektorin publik për vlera mbi tremijë euro. Penetrimi i internetit tek popullsia shqiptare është gjithashtu një formë dinamike në ecurinë e tre viteve të fundit. Nëpërmjet njëqind e njëzet e pesë  projekteve për dixhitalizim, 2012-ta pritet të sigurojë procedura transparente të administratës.

Plan veprimi i mbyllur për një qeverisje të hapur. Teknikisht Ministria e Inovacionit duhet të dorëzojë në mars 2012, në emër të Qeverisë Shqiptare një Plan Veprimi për Open Government Albania . Puna për realizimin e plan veprimit fillon me zgjedhjen e një prej pesë sfidave grand challanges për të adresuar si prioritet në vitin e parë të angazhimit. Çdo përzgjedhje e Qeverisë Shqiptare duhet bërë në konsultim të gjerë me qytetarët dhe shoqërinë civile. Ky kriter veprimi është i lidhur ngushtë me parime të deklaratës si transparenca, pjesëmarrja qytetare dhe përgjegjshmëria. Një plan për qeverisje të hapur në asnjë lloj konteksti nuk mund të zhvillohet në një proces të mbyllur pa pjesëmarrje. Aktualisht në kërkimin në faqet zyrtare të ministrive nuk gjen asnjë informacion nëse proceson me fjalë-kërkim Open Government Partnership (OGP). Çdo detaj të sipërmarrjes shqiptare për anëtarësim e gjen vetëm në gjuhën angleze në webin zyrtar të Open Government Partnership . Po në këtë web mund të gjesh përmbajtjen e skanuar të dokumentit zyrtarë të Qeverisë Shqiptare me Nr. Prot 2328, datë 02.08.2011, nënshkruar nga ministri Genc Pollo ku shprehet angazhimi për pjesëmarrje në kuadër të Open Government Partnership. Deklarata e OGP  nuk është reklamuar në asnjë nga hapësirat virtuale të qeverisjes shqiptare. Në gjuhën shqipe teksti i Open Government Declaration është përcjellë me iniciativë të një organizmi joqeveritar veprues në procese të transparencës dhe inovacionit sI Instituti Shqiptar i Shkencave . Kjo mungesë informimi dhe ndërveprimi të bën të gjykosh se procesi për Plan Veprim nuk ka nisur si një proces i hapur. Disa kritere si pjesëmarrja qytetare dhe konsultimi me ndërveprim janë vonuar duke cenuar thelbin e angazhimit në Partneritet për Qeverisje të Hapur, OGP. Në të njëjtin kontekst neglizhues është edhe e vetmja Agjenci për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në vend. Kjo Agjenci ka anoncuar për vitin 2012 prioritete ku nuk përditësohet “sfida për qeverisje të hapur” si proces me partneritet të drejtpërdrejtë me shoqërinë civile.

Vende të tjera në proces anëtarësimi dhe implementimi kanë aktualizuar portale të dedikuara me lehtësi aksesi, aktualizimi, përdorimi për të publikuar: të gjitha etapat e procesit; kalendarin e aktiviteteve që është edhe pikë e detyrueshme për publikimin paraprak të datave te konsultimeve me publikun; formate të reja publikimi të informacioneve të ndryshme; strategji për angazhim qytetar në procesin e përgatitjes së plan veprimit, ky konsiston në promocion nëpërmjet marrëdhënieve me publikun, angazhimit në media, promovimit në rrjete sociale dhe kontakt me organizma joqeveritare. Në kontekstin e vendeve që po avancojnë në iniciativat për qeverisje të hapur, konsultimi si proces është deleguar kryesisht pranë organizmave joqeveritar.

Viti 2012 është vit i një sfide për qeverisje të mirë si qeverisje e hapur për palët ndërvepruese dhe qytetarët. Procesi sfidë duhet azhornuar sipas një modeli të hapur. Vullneti politik i qeverisjes për dixhitalizim rrezikon të kthehet në një proces të kushtueshëm për taksapaguesit vendas apo të qeverive donatore, por pa efiçencë në qeverisje të hapur. Kjo nëse konsiderohet si një akt i njëanshëm pa ndërveprim. Në fillimvitin e sfidës për qeverisje të hapur, Shqipëria duhet të veprojë sipas modelit të tetë shteteve lider të Open Governement Partnership.