Open Data Day 2017, Gazetarët të Drejtësisë kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës për mospublikim të Vendimeve Penale.

Data 4 mars 2017 është Dita Për të Dhëna të Hapura  OpenDataDay. Aktorë të angazhuar në çlirimin e të dhënave në vende të ndryshme të botës kanë zhvilluar evente dhe kanë prezantuar iniciativa në dobi të Open Data kryesisht për sektorin publik. Organizata AIS promotore e Open Data për Shqipërinë ka ftuar gazetar që mbulojnë cështje të drejtësisë në një tryezë mbi të dhëna për transparencë dhe antikorrupsion. Fillimisht në tryezë u prezantua iniciativa për RedFlag Indeks, shënimi si të ekspozuar ndaj pabarazisë, shpërdorimit dhe korrupsionit për Tendera të realizuar nga Bashkitë. Pas hulumtimit dy vjeçar të tenderëve dhe kontratave të 61 Bashkive dhe ndërtimit të një databaze me të dhëna për çdo prokurim, shënimi me Red Flag synon të evidentojë automatikisht çdo procedurë që zhvillohet pa garë, pa konkurrencë, pa afate të përshtatshme për përgatitjen e ofertës.

Në takim, gazetarët e drejtësisë ngritën shqetësimin për mos publikim dhe heqje nga web-i online i Gjykatës së Rrethit Tiranë të çështjeve Penale dhe vendimeve mbi ecurinë. Pas 12 vitesh praktikë transparence në publikim gjykata në fjalë ka vendosur të mos japë më akses publik mbi vendimet. Kjo masë është marrë pas ankesave të individëve mbi vendime të karakterit privat dhe familjarë. Por Gjykata ka zgjedhur të bëjë offline të gjithë databazën duke fshehur edhe vendime të karakterit Publik, Penal dhe informacione të tjera të dobishme për transparencë. Gazetarët kanë përgatitur disa njoftime lajme dhe shkrime për këtë zhvillim dhe presin qëndrimin e Gjykatës në një deklaratë për mediat ditën e hënë datë 6 mars.