Za’Lart Albania Zgjedhje të Lira & të Drejta 2017 në proçes kërkimi fondesh

Za’Lart (Ngri Zërin) 2017 – Projekti i AIS : Qytetarët monitorojnë Zgjedhjet

Viti 2017 është një vit i rëndësishëm për Demokracinë, Shtetin e të Drejtës dhe Integrimin Europian të Shqipërisë. Në këtë vit mbahen Zgjedhjet Parlamentare. Në datën 18 qershor, votuesit shqiptarë do të votojnë me sfidën për të zgjedhur përfaqësuesit në Ligjvënës dhe Ekzekutiv. Zgjedhjet e këtij viti mbajnë sfidën për të përzgjedhur një klasë politike jo të inkriminuar.

Në dy proceset e fundit zgjedhore, organizata AIS me mbështetje të donatorëve realizoi projektin Za’Lart Ngri Zërin për Zgjedhje të Drejta,  projekt për monitorim qytetar në kohë reale të zgjedhjeve. Qytetarët u ftuan të raportojnë në web dhe në app mobile problematikat, vështirësi dhe abuzime me të drejtën e tyre për të votuar të lirë. Në përgjigje të thirrjes Bëhu Za Lart denonco shkeljet, qindra qytetar raportuan me foto video dhe fakte problematika zgjedhore si: individ me rekorde kriminale pjesë e shtabeve elektorale; blerje vote; keqpërdorim i aseteve dhe burimeve njerëzore në sektorin publik; tendenca për të manipuluar votues të herës së parë përmes sponsorizimeve masive të mbrëmjeve të maturës në shkollat publike, ligjëratë elektorale diskriminuese etj. Një pjesë e mirë e raportimeve u verifikuan nga grupet adhoc të verifikimit dhe u markuan si të verifikuara. Databaza e raportimeve shërbeu për të krijuar informacion të qartë për problematikat zgjedhore dhe për të ushtruar presion pubik me qëllim ndërprerje dhe minimizim të abuzimeve.

Ky është viti i parë që Ligji për Integritetin e Figurës mund të japë efekte parazgjedhore në votimin për Ligjvënësit e rinj. Vendi hyn në zgjedhje pas një periudhe të gjatë debatesh për sistemin zgjedhor dhe institucionet. Klimë që sjell një dozë mosbesimi dhe polemikash mbi procesin. Në zgjedhjet e 18 qershorit, ekipi zbatues i Za’Lart e shikon të nevojshëm monitorimin qytetar të zgjedhjeve dhe denoncimin sipas problematikave. Qytetarët janë kudo ku ndodhin shkeljet. Përmes smart phone ata mund të raportojnë në kohë reale ecurinë zgjedhore. Monitorimi në kohë reale i zgjedhjeve përmes raportimeve qytetare ndihmon edhe grupet e vëzhguesve dhe monitoruesve  profesionist.

Por ndërsa ka kaluar muaji i parë i vitit dhe kanë mbetur pak më shumë se 90 ditë nga data zyrtare e fillimit të Fushatës Zgjedhore 2017, ekipi i Za’Lart konstaton se asnjë nga organizmat ndërkombëtare dhe institucionet që mbështesin shoqërinë civile në programe për kulturë demokratike, dhe zgjedhje të lira  në vend, nuk ka akorduar dhe lancuar thirrje për mbështetje financiare të programeve me komponent zgjedhor. Në komunikim me disa prej tyre është kuptuar se buxhetet e vitit kanë pësuar ndryshime në prioritete për financim të ojf-ve ose tkurrje. Përpara kësaj vështirësie ekipi i Za’Lart fton donatorët, ambasadat dhe organizma që mbështesin shoqërinë civile në përpjekje për standarde dhe kulturë demokratike, të konsiderojnë rëndësinë e procesit të monitorimit dhe edukimit qytetar për zgjedhjet.

Buxheti bazë për të implementuar një projekt të tillë përkon me nevojën për shpenzime në ndërtim të platformës dhe app-eve mobile; shpenzime për udhëtim dhe pajisje të ekipeve vullnetare  verifikuese (ad hoc) në terren; asistencë të platformës nga një ekspert zgjedhor; qira dy ditore për sallën për prezantim të raportit të ndërmjetëm dhe raportit përfundimtar; moderator për kontroll të postimeve me karakter fyes dhe diskriminues. Ekipi i Za’Lart do të ofrojë kohë pune vullnetare për zbatimin e projektit dhe vetë organizata do të vërë kuotat e anëtarësisë së një viti në dispozicion të këtij programi.

Qëllimi dhe objektivat specifike të projektit :

Za´Lart 2017  ka si objektiv funksionimin si një platformë online (web+app) për monitorim zgjedhor; thithje dhe  shkëmbim të shpejtë të informacionit mbi problematika zgjedhore; fuqizim të zërit dhe rolit civil (qytetar)  në zgjedhje përmes monitorimit qytetar të procesit; sigurim informacioni në kohë reale për të dhënë mundësi për vëzhgime; analiza dhe reagim të mëtejshëm në nivel më teknik dhe profesional. Qëllimi kryesor i projektit është angazhim civil në dobi të procesit të rregullt zgjedhor dhe Forcim të kulturës qytetare për monitorim dhe pjesëmarrje në Zgjedhje.

Buxheti Minimal si Buxhet i Domosdoshëm Bazë (Core) 24 000 $.

Ndërtim të platformës web, dizenjim i hartës për raportime  dhe ndërtim i dy app-eve mobile (Zhvillues dhe Dizenjues) hostim dhe server: Vullnetar Stafi AIS; Shpenzime për udhëtim dhe pajisje të ekipeve vullnetare  verifikuese (ad hoc) në terren 61 bashki /distrikte 1 ose 2 vullnetar për secilën, rreth 70 vullnetar; Asistencë të platformës nga një ekspert zgjedhor; Qera dy ditore për sallën për prezantim të raportit të ndërmjetëm dhe raportit përfundimtar; Moderator për kontroll të postimeve me karakter fyes dhe diskriminues; Shpenzime Administrative si zyra, printime, shpenzime për utilitete.

Koha e zbatimit të projektit: Mars – Korrik 2017.

Slogane dhe tema të projektit: bëhu Za’Lart për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta; Qytetarët monitorojnë zgjedhjet; ICT për Zgjedhje të Drejta; Bëji Zgjedhjet të Vlejnë.

Na shkruani dhe Kontaktoni tek [email protected] ose lajmë[email protected]