Shpenzime Transparente për Shqipërinë. Ku shkojnë paratë e Shqiptarëve?

Instituti Shqiptar i Shkencave, konkretisht ekipi Open Data Albania me dëshirën për të fuqizuar individin dhe shoqërinë shqiptare me informacion mbi mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve ka ndërtuar një platformë të re njohur si Spending Data Albania. Përmes disa aplikacioneve publiku ka të mundësi të njihet me mënyrën se si ai kontribuon përmes taksave dhe tatimeve të tij në tërësinë e buxhetit apo në specifikime sipas sektorëve. Po kështu përmes rubrikave Money Map (harta e parave) dhe Buxheti ofrohet informacion për ndarjen e buxheteve në sektorë përkatës dhe nënkategori. Pjesa më interesante e Platformës është aplikacioni „Monitorimi i thesarit“. Ky aplikacion dhe standardi i monitorimit të shpenzimeve të ditë pas dite nga administrata buxhetore është një standard që po i ofrohet qytetarit shqiptar në një kohë kur vende më me demokraci apo modele të avancuara të aksesit të informimit nuk ja kanë dalë ende ta realizojnë.
Përmes këtij aplikacioni çdo individ i thjesht ka mundësi të monitorojë transaksione të thesarit të shtetit, shpenzime të secilit institucion ditë pas dite duke u njohur me vlera për shpenzimet, përshkrime, përfitues apo klient të institucioneve buxhetore qofshin këto Institucione të Pavarura; Pjesë e Aparatit Qeverisës dhe Ekzekutivit; Institucione të Pushtetit Lokal etj. Në këtë platformë informacioni është shterues për çdo shpenzim buxhetor nga janari 2012 deri në javët aktuale. Përmes këtij aplikacioni, gamës së informacionit dhe filozofisë së tij krijohet mundësia që shoqëria civile, media dhe qytetari të kenë akses informacioni për të ditur ku dhe si shpenzohen paratë e taksave dhe seteve publike sikundër për të reaguar e kërkuar llogari sipas slogani „Paratë Publike janë Para të qytetarëve“. Tërësia e transaksioneve përfshin edhe ato shpenzime dhe transferta që bëhen si pasojë e përzgjedhjeve me prokurim publik.
Duke ftuar publikun e gjerë të shfrytëzojë sipas interesit të tij këtë mundësi informimi lutemi na shkruani me qëllim që t’u ndihmojmë në përdorimin teknik të aplikacioneve apo në realizimin e analizave edhe më të detajuara si derivat i Monitorimit të Transaksioneve të Thesarit.
Ky projekt realizohet nga Instituti Shqiptar i Shkencave me mbështetje të National Endowment for Democracy; Open Society Foundations dhe ShqiperiaCom.

 

(comments disabled)

 
%d bloggers like this: