
TRANSPARENCY, ACCOUNTABILITY AND CIVIC ENGAGEMENT
AIS Newsletter Korrik 2025


Parlamenti. AIS mori pjesë në konsultimin publik për draft-ligjin mbi parandalimin e Konfliktit të Interesit
Organizata AIS , promotore e Open Data, mori pjesë në Konsultimit Publik të Draft Ligjit “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”. Kjo tryezë zhvillua në ambientet e Parlamentit, si pjesë e aktiviteteve të Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Në këtë konsultim morën pjesë, përveç deputetëve, edhe përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, akademisë, si dhe përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë. AIS propozoi që ligji të parashikojë krijimin e një regjistri të detyrueshëm për të gjithë zyrtarët publikë, së bashku me deklarimet përkatëse. Një tjetër propozim ishte që zyrtarët e lartë që ushtrojnë funksione në institucione kushtetuese të kenë detyrimin të deklarojnë në mënyrë të detajuar shtetësinë e dytë si dhe rezidencën tatimore në shtete të tjera. Gjithashtu, AIS sugjeroi që ligji të parashikojë në mënyrë të detyrueshme që personat e ekspozuar politikisht PEP të bëjnë deklarime të plota mbi pronësinë përfituese në shoqëri biznesi, pa u kufizuar në pragun prej 25%.
Shqetësim për vonesat dhe mungesën e kuorumit në Komisionin e Prokurimit Publik: Rrezik për integritetin e tenderave me vlerë të lartë
Dy organizatat joqeveritare AIS dhe ACER shprehin shqetësim për situatën në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), organi më i lartë shtetëror në fushën e prokurimeve publike. Mungesa e kuorumit për vendimmarrje dhe pezullimi i Kryetarit, i pandehur për “Pabarazi në tendera”, kanë penguar funksionimin efikas të KPP-së. Kjo ka shkaktuar vonesa në shqyrtimin e ankesave, veçanërisht për tenderët me vlerë të lartë, për të cilët kërkohet kuorum prej 5 anëtarësh. Sipas të dhënave të Open Procurement Albania, janë mbi 30 ankesa në 5 sektorë të monitoruar. Situata rrezikon parimet e konkurrencës së lirë dhe transparencës në prokurime. AIS dhe ACER i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të ri që të ndërhyjnë urgjentisht për rikthimin e funksionimit normal të institucionit, duke garantuar të drejtën e apelimit dhe integritetin e tenderave publikë.
Open Corporates Albania, me mbi 1 milion përdorues unikë në vit, sjell transparencë mbi bizneset shqiptare.
Databaza Open Corporates Albania , një regjistër biznesi i krijuar dhe zotëruar nga organizata AIS, ka arritur mbi 1 milion përdorues unikë (sipas të dhënave nga Google Analytics). Ky numër është i lartë për një databazë që funksionon në një vend me vetëm 2.4 milionë banorë dhe që ofron informacion serioz, pa lajme sensacionale apo njoftime të përditshme. Open Corporates Albania është një regjistër me një dashboard për çdo kompani që operon në Shqipëri, i cili tregon detaje bashkëpunimi me institucionet shtetërore. Bizneset në këtë regjistër përfshijnë përfitues të prokurimeve publike, fondeve buxhetore, partneriteteve publike-private, biznese me licencime publike dhe pjesëmarrës në programe zhvillimi sektorial. Çdo dashboard kompanie përmban informacion, dokumente dhe vizualizime lidhur me pronësinë, menaxhimin, performancën financiare, listën e licencave dhe tenderët publikë. Kjo databazë përdoret nga gazetarë, aktivistë, punonjës të institucioneve të auditimit publik dhe hetimit të veprave penale lidhur me përdorimin e fondeve dhe kontratave publike. Në fund, databaza sjell vlerë edhe për vetë bizneset dhe përdoruesit e tjerë të informacionit lidhur me korporatat në Shqipëri.