Shqipëri – Akses Qytetar në Transaksione të Thesarit të Shtetit
Me qëllim transparencën me të dhënat qeveritare, AIS realizues i projektit Open Data Albania ka bërë të mundur që publiku shqiptar; gazetar; kërkues shkencor; biznesmen; oponent apo opozitar të qeverisjes, të njihen dhe informohen në kohë reale për çdo shpenzim në formë transaksioni apo pagese nga Thesari i Shtetit.
Ky monitorim realizohet përmes portalit Spending Data Albania në rubrikën Transaksione Thesari. Sistemi i hapur për publikun, përfshin të dhëna nga thesari i shtetit për 1400 institucione buxhetore në vend si: Ministri; Axhensi Qeveritare; Institucione të Pavarura; Bashki dhe Komuna dhe Drejtori Qendrore apo Rajonale.
Çdo transaksion i tyre është online për këdo që dëshiron të dijë se si dhe sa është shpenzuar. Aplikacioni ka të dhëna nga janari 2012 e deri ne datën e sotme.
Të dhënat mund të kërkohen sipas filtrave të vëna në dispozicion për kategori kërkimi:
- sipas Institucionit Buxhetor që bën pagesa;
- sipas Përfituesit apo Klientit të pagesës;
- sipas datës ku është urdhëruar dhe ekzekutuar pagesa
- apo sipas vlerave së transaksionit
Një formë tjetër kërkimi është edhe sipas kategorisë së shpenzimit. Çdo transaksion ka në pjesën e përshkrimit, edhe të dhëna mbi urdhrin apo kontratën që bën të mundur këtë pagesë. Edhe pagesat e përfituara për punë publike të tenderuar janë pjesë e këtij sistemi.
Gjithashtu në një rubrikë të veçuar bëhet i mundur Monitorimi vetëm për Ministritë si Pjesë e Kabinetit Qeveritar.
Kjo hapësirë për transparencë bën të mundur që publiku të zbardhë raste të shpenzimeve për interes publik; raste abuzimi dhe teprime me shpenzime për kategori të caktuara; raste nepotizmi apo konflikti interesi në pagesa për klientë dhe përfitues të caktuar.
Në cilësinë e mbështetësit financiar që bën të mundur punën për të realizuar online Monitorimin e Transaksioneve të Thesarit, falënderojmë NED dhe OSF. Një falënderim qëndron edhe për Qeverinë Shqiptare e cila që prej janarit të vitit 2012, në kuadër edhe të angazhimit për Partneritet për Qeverisje të Hapur, krijon mundësi për akses tek pagesa të institucioneve buxhetore përmes thesarit. Kështu vendi ynë Shqipëria bëhet pjesë e vendeve ku publiku ka akses dhe informacionin mbi Transaksione të Thesarit të Shtetit.
Ftojmë publikun të përdorë gjerësisht këto të dhëna; qytetarët taksapagues të informohen mbi mënyrën si shpenzohen paratë e tyre; mediat të bëjnë denoncime për raste abuzive dhe në konflikt interesi sikurse shoqata të karakterit watchdog, të përdorin Transaksione Thesari në punën e tyre për të nxitur më shumë llogaridhënie dhe presion publik për mirëqeverisje.