Spending Data Albania – Hedh dritë mbi raste të konfliktit të interesit.
Prej nëntë muajsh projekti i AIS Spending Data Albania publikon çdo transaksion si pagesë me para publike për përfitues dhe klient të institucioneve buxhetore. Të dhënat kanë informuar qytetarin shqiptar se si shpenzohen paratë e taksave dhe aseteve publike. Njëkohësisht individët mund të njohin klientët që ofrojnë shërbime me pagesë për institucione buxhetore dhe të vlerësojnë rast pas rasti fakte të dukshme të nepotizmit apo konfliktit të interesit.
Konkretisht përfaqësues të opozitës sikurse edhe media kanë gjetur në publikimet e Transaksione Thesari nga Spending Data Albania një rast që krijon dyshime të dukshme për paligjshmëri dhe konflikt interesi.
Një nga kompanitë private themeluar dhe më herët pronë e deputetit socialist Koço Kokëdhima rezulton që ka përfituar nga kontrata me një numër të madh institucionesh buxhetore në kohën kur deputeti ishte njëkohësisht edhe aksionar dhe pronar i kompanisë Abissnet.
Tabelat e aplikacionit Transaksione Thesari janë publikuar në faqet e para të gazetave ndërsa ish kryetari i partisë më të madhe opozitare, deputet i kuvendit z. Sali Berisha ka paralajmëruar në rrjete sociale se me këto fakte të publikuara do ti kërkohet Gjykatës Kushtetuese të heqë mandatin e Deputetit Kokëdhima bazuar në nenin 70 pika 3 dhe 4 e Kushtetutës. Më parë në vitin 2009 për një rast të tillë i është hequr mandati një deputeti me vendim të gjykatës Kushtetuese.