AIS pjesë e marrëveshjes me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ILD dhe 6 organizatave të Shoqërisë Civile.

Vendosja e një komunikimi të vazhdueshëm mes shoqërisë civile dhe Zyrës së ILD-së, u formalizua sot përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Z. Artur Metani dhe gjashtë organizatave të shoqërisë civile (OSHC), që kanë pjesë të punës së tyre monitorimin e reformës në drejtësi, e të drejtave të njeriut, transparencën, llogaridhënien e mirëqeverisjen.

Bashkëpunimi i nisur më herët me shoqërinë civile, përmes konsultimit për Planin Strategjik e Planin e Veprimit të ILD-së 2020-2022, materializohet me këtë marrëveshje, e cila synon rritjen e performancës dhe ngritjen e kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përmes rritjes së komunikimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta, në kuadër të monitorimit, analizimit, procesit llogaridhënës dhe ndërgjegjësues mbi veprimtarinë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përmes shkëmbimit të të dhënave, organizimit të takimeve periodike, ofrimit të ekspertizës përkatëse të OSHC-ve të specializuara.

Marrëveshja me ILD-në u nënshkrua nga Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL), përfaqësuar nga Z. Ardian Dhima; Instituti i Studimeve Politike (ISP), përfaqësuar nga Z. Afrim Krasniqi; Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (IBZH), përfaqësuar nga Znj. Krisela Hackaj; Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), përfaqësuar nga Znj. Erida Skëndaj; Qendra Europiane (QE), përfaqësuar nga znj. Klara Kodra dhe Instituti Shqiptar i Shkencës/Open Data Albania, përfaqësuar nga Znj. Aranita Brahaj.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Metani vlerësoi rolin e rëndësishëm të organizatave të shoqërisë civile në forcimin e proceseve demokratike dhe nënvizoi se ky mekanizëm bashkëpunimi institucional do t’i shërbejë përmirësimit të punës së ILD-së, e më tej gjithë sistemit për funksionimin e një sistemi drejtësie profesional, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe transparent.

Organizata ka një databazë në ndihmë të Reformës në Drejtësi.

Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Organizatave të Shoqërisë Civile e gjeni: KËTU