AIS/OpenData Padi në Gjykatën Kushtetuese. Ligji 97.2019, pjesa Prokurimet Programi Rindërtimit, cënon Liri Ekonomike, ka potencial për pabarazi, klientelizëm dhe korrupsion.

Organizata AIS e njohur si Open Data Albania ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një Kërkesë për Shfuqizim të pjesshëm të Aktit Normativ me fuqinë e Ligjit Akt nr. 9, datë 16.12.2019 titull “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 97/2019, në datën 18.12.2019, konkretisht shfuqizim të Kreut VI, Procedurat e Prokurimit Publik, nenet 40 – 44, dhe neni 4, pika 7 dhe pika 9.

Ky Akt Normativ me fuqinë e Ligjit, në opinionin dhe arsyetimin e Organizatës tonë, në pjesën për Prokurimet Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019, cenon një të drejtë kushtetuese që është ajo lirisë së veprimtarisë ekonomike, parashikuar në nenin 11 të Kushtetutës.

Duke cenuar Lirinë për Veprimtari Ekonomike krijohen hapësira për pabarazi, klientelizëm, kontraktim preferencial, favorizim dhe veprime Korrupsioni në dëm të Fondeve Publike.

Ky Akt Normativ ka vendosur me Ligj Llojin e ProcedurësAfatet për PjesëmarrjeAfatet për Ankimim dhe Vlerësim duke anashkaluar Legjislacionin Kombëtar për Prokurimet Publike dhe duke kufizuar të drejtën për garë dhe barazi.

Palë të Interesuara në këtë Padi janë Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.

Disa nga momentet ku Akti nr. 9 me Fuqi Ligji diskriminon lirinë ekonomike dhe interesin publik për përdorim me eficensë të Parasë Publike:

  • Procedurë ku Nuk Garantohet Gara. Akti Nr. 9 Zgjedh Procedurë të Përshpejtuar dhe më tej i jep Qeverisë të drejtë që të përcaktojë me VKM nr. 199, datë 04.03.2020 llojin e Procedurës Prokurim i Kufizuar (procedure me dy faza) . Kjo nuk garanton garë me ofertë, dëmton konkurrencë e operatorëve, e nxjerr procesin nga sistemi elektronik dhe e zhvendos në fazën e dytë në negocim në tryezë ku risku për klientelizëm është i lartë. Procedura e Përshpejtuar aplikohet për sektor specifik ku numri i operatorëve veprues është i ulëtNë rastin konkret po prokurohen kryesisht ndërtime (banesa dhe objekte arsimore) dhe natyra e prokurimit në raport me gjendjen e tregut shqiptar të kompanive që operojnë në fushën e ndërtimit është shumë e favorshme dhe Procedura e Përshpejtuar dhe e Kufizuar nuk janë të nevojshme.
  • Afatet kufizuese për Paraqitjen e Dokumentacionit nga  operatorët ekonomikë, në pjesën e Ligjit që ne kërkojmë të shfuqizojmë, afati vetëm 10 ditor ka kufizuar në mënyrë drastike konkurrencën, pasi është pothuajse e pamundur të përgatitësh një set të madh dokumentesh dhe preventivave teknik për një periudhë 10 ditore.
  • Diskriminohen Bizneset e Huaja. Gjithashtu afati 10 ditor i përjashton “de facto” ofertat e operatorëve të huaj. Vlen të përmendim këtu se një operator i Huaj ka detyrimin që dokumentacion zyrtar ta paraqesë me vulë apostille.
  • Afati jo serioz vetëm 2 ditë për Ankimin ndaj kritereve të procedurës së prokurimit, i përcaktuar në Aktin Normativ nr. 9 është jashtëzakonisht kufizues për operatorët ekonomikë të cilët mund të ngrejë pretendime për kritere kualifikimi jo ligjore. Sqarojmë faktin se janë pikërisht kriteret e kualifikimit ato të cilat krijojnë premisa / incentiva apo e pamundësojnë pjesëmarrjen në një procedurë prokurimi.
  • Afati jo objektiv vetëm 3-ditor i trajtimit të ankesës nga ana e Komisionit të prokurimit Publik është tërësisht jo – objektiv. Në ligjin nr. 9643 afati i trajtimit të ankesës është 15 ditë ndërsa Ligji nr. 162/2020 është 30 ditë.
  • Akti me Fuqi Ligji ka shkurtuar afatet e vlerësimit të ofertave me 5 ditë dhe duke marrë në konsideratë faktin se kryesisht procedurat e prokurimit që zhvillohen në bazë të aktit normativ nr. 9 janë procedura mbi kufirin e lartë monetar, dhe kanë volum dokumentacioni atëherë afati 10 ditor i vlerësimit të ofertave e vë në vështirësi serioze cilësinë e vlerësimit dhe mundësinë e verifikimit objektiv të të gjithë dokumentacionit të paraqitur nga ofertuesit.
  • Vlera e sigurimit të kontratës e parashikuar në masën 5% më e lartë në Aktin Normativ krahasuar me Ligjin nr. 9643 dhe ligjin nr. 162/2020, vërehet një hap regresi dhe diskriminim të operatorëve ekonomikë që konkurrojnë dhe nënshkruajnë procedura të përshpejtuara, në raport me operatorët ekonomikë që konkurrojnë apo përzgjidhen fitues në procedura normale prokurimi.

AIS paraqet kërkesën për pezullimin dhe shfuqizim të Aktit Normativ me Fuqi Ligji, pjesa për Prokurimet për shkak se sjell pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve.

Autoritet kontraktore në të njëjtën kohë nuk kanë asnjë pasojë nga kjo pezullimi dhe shfuqizimi që ne kërkojmë para Kushtetueses (Pezullimi dhe Shfuqizimi), pasi Fondi i Rindërtimit, mund të tenderohet përmes Ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, hyrë në fuqi në 31 mars 2021, si ligj organik që rregullon në mënyrë tërësore fushën e prokurimeve publike, i hartuar sipas direktivave të legjisacionit të BE-së në fushën e prokurimit, i cili i jep zgjidhje cdo situate, qoftë emergjente, qoftë normale, në të cilën gjenden autoritet kontraktore.

Organizata ka monitoruar të Gjitha Kontraktimet që Lidhen ne Programin e Rindërtimit pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Deri tani janë tenderuar 33.14 miliard Lekë për 337 kontrata me 192 Bashkime Operatorësh. Kliko për tu njohur me listën e kontratave dhe kontraktorëve.

AIS njohur si Open Data Albania është regjistruar si person juridik – organizatë jofitimprurëse  – me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr. 3048, datë 28.03.2011.

Organziata është duke zbatuar Projekte që lidhen me Shpenzime, Prokurimet , Kontraktimet Publike, Çështje të Mirëqeverisjes dhe të Antikorrupsionit, disa prej tyre si vijon:

  • OpenData, Akses dhe Transparencë për Sektorë të ekspozuar dhe me rrisk për Korrupsion.
  • OpenContractingAlbania Risk Assesment & RedFlag
  • Kontrata Publike në gjendje të Katastrofave Natyrore, Forcimi i Mekanizmave të Pavarur të Monitorimit

AIS ka krijuar sisteme databazë të monitorimit të Tenderimit dhe Kontraktim si Open Procurment Albania http://openprocurement.al/ ,
Sistem monitorimi për kontraktime Programi Shtetëror i Rindërtimit http://openprocurement.al/sq/tender/rindertimi
Sistem për vlerësim risku (automatikisht) në tenderim http://openprocurement.al/sq/index/redflag
DataBaza për monitorim të Shpenzimeve Publike dhe Integritetit të të Zgjedhurve dhe Emëruarve të Lartë Publik http://spending.data.al/

Padinë e depozituar në Gjykatë Kushtetuese e gjeni në faqen e NdiqParate.Al