Aksion Qytetar – Pastro Kepin e Rodonit ( 24-26 Gusht, 2012 )

Tirana Ekspres dhe Smart Toursit Albania www.smarttourist.al , Ju ftojnë të bëheni pjesë e Klubit “Rojat e Kepit”. Ky organizim synon të ndërmarrë në data 24-26 gusht një aksion konkret për të parandaluar degradimin e një prej zonave më piktoreske dhe të veçanta të bregdetit shqiptar: Kepi i Rodonit.

Degradim nga ndotja. Kepi i Rodonit është një zonë bregdetare pa ndërtime të vona në dy dekada të tranzicionit urbanistik. Gjithashtu kjo zonë shtrihet larg akseve të rrugëve nacionale. Megjithëse jo i populluar dhe frekuentuar Kepi i Rodonit ka ndotje të theksuar nga mbetjet urbane dhe inerte. Shkak i kësaj janë prurjet e lumenjve dhe deltave ujore të cilat përdoren si vende për depozitim dhe shkarkim të mbetjeve të zonave të banuara. Përkatësisht mbeturina shkarkohen në lumenjtë Ishëm dhe Mat. Në lumin Ishëm lundrojnë drejt Kepit mbetje urbanë që shkarkohen në Tiranë (Lana dhe Lumi i Tiranës bashkohen ne Kamës dhe më tej bëhen pjesë e Lumit Ishëm në afërsi të fshatit Tërkuzë); Laknas; Rinas; Prezë dhe e gjithë Malësia e Ishmit. Me lumin Mat lundrojnë drejt Kepit mbetje të hedhura në luginën e lumit që nga zona e Fanit; Krahina e Matit e më tej Milot; Kurbin; Fushë – Krujë; Fushëkuqe etj.
Këto tonelata mbetje të cilat lundrojnë drejt grykëderdhjeve të deltave depozitohen në brigjet piktoreske të Kepit të Rodonit. Aktualisht ky kep me vlera natyrore dhe historike është shndërruar në një kosh gjigand mbeturinash.

“Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit” është një nismë qytetare për aktivizimin e vullnetarëve të cilët në datat 24 deri 26 gusht do të pastrojnë bregun duke mbledhur dhe dërguar në depot e riciklimit mbetjet përkatëse. Gjithashtu ky aksion synon sensibilizim dhe presion qytetar për të ndërprerë hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbaneve të bashkive dhe komunave përgjatë lumenjve dhe përrenjve që derdhen në bregun e Adriatikut. Grupi iniciator synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e grumbullimit të mbetjeve për riciklim si zgjidhje e duhur për problematikën e ndotjes.
Është koha e duhur, dhe aktivizimi qytetar mund të japë rezultate për të pasur një Kep të Rodonit promovues të turizmit, natyrës dhe trashëgimisë historike të vendit tonë.
Bashkohuni me “Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit”, kjo nismë është qytetare dhe realizohet nga vullnetarë të ndërgjegjshëm se problemet janë për tu zgjidhur. Vepro tani bëhu pjesë e këtij Aksioni.

Shtrirja gjeografike. Kepi i Rodonit njohur ndryshe si Kepi i Skënderbeut ndan Gjirin e Rodonit nga Gjiri i Lalzit. Si vazhdim i kurrizit kodrinor të Rodonit, kepi bie thikë mbi det duke formuar një breg piktoresk. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Bukuri Natyrore dhe Vlera Historike. Veç vlerave historike që lidhen me betejat dhe qëndresën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kepi mbart si toponim vlera që përkojnë më mitologjinë Ilire. Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Posedoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët tanë mes tyre Prof. Hasan Ceka.

Është koha e duhur, dhe aktivizimi qytetar mund të japë rezultate për të pasur një Kep të Rodonit promovues të turizmin, natyrës dhe trashëgimisë historike të vendit tonë.
Bashkohuni me “Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit”, kjo nisëm është qytetare dhe realizohet nga vullnetar të ndërgjegjshëm se problemet janë për tu zgjidhur. Vepro tani bëhu pjesë e këtij Aksioni.

Për tu bërë pjesë e “Klubi i Rojeve të Kepit”, dhe për të marrë informacion mbi nisjen në Kep dhe organizimin bashkohu me rrjetin social në Facebook Tirana Ekspres – The Alternative Art Space of Tirana. Gjithashtu në median sociale @Smart Tourist Albania dhe në http://ais.al. Për më tepër informacion ejani në datën 21 gusht ora 19.00 në Ambientet e Tirana Ekspres (magazinat e Stacionit të Vjetër të Trenit, Rr Karl Gega, Tiranë).