Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Tiranë e ftuar në Tonight Ilva Tare, flet për presidencën e BE dhe procesin integrues të vendit
E ftuar në programin televiziv “Tonight Ilva Tare”, zonja Dewi van de Weerd , Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, vend i cili mban Presidencën e BE për këto 6 muaj, është shprehur se nëse reforma në drejtësi nuk do të miratohet, atëherë populli shqiptar do të vuajë shume dhe kjo do të pengojë procesin integrues të vendit.
Sidoqoftë për këtë reformë ka njerëz të përkushtuar dhe që po punojnë shumë dhe për Ambasadoren kjo mund të jetë një kthesë për politikën shqiptare, duke arritur të gjejnë konsensusin për të miratuar këtë reformë.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Ambasadorja tha se ngeli e habitur me faktin që Kryeprokurori riorganizoi strukturën antikorrupsion, duke qenë se kjo është një nga prioritetet e Shqipërisë.
Azilkërkuesit shqiptarë në Holandë kanë 0% mundësi për ta përfituar azilin dhe sipas Ambasadores të gjithë shqiptarët duhet të përpiqen të ndertojne të ardhmen në vendin e tyre.
Si mbajtëse e Presidencës së radhes së BE, Hollanda do të luaje rolin e ndërmjetësit të paanshëm me Shqipërinë dhe se vendi yne duhet të fokusohet më shumë tek puna sesa tek fjalët.
Në programin televiziv Tonight Ilva Tare në Ora News, u prezantuan edhe disa programe të mbështetura nga Mbretëria e Holandës, mes tyre edhe programi i organizatës AIS titulluar Money Government and Politics. Ky program synon krijimin e mjeteve për transparencë dhe kontroll qytetar mbi qeverisjen me qëllim fuqizimin e qytetarëve dhe reagimin pjesmarës.