Deklarata dhe Interesa Pasurore për Kryebashkiak të zgjedhur në 21 qershor 2015
Në kuadër të programit Money, Government & Politics, në portalin Spending Data Albania, rubrika Para dhe Pushtet janë përditësuar të dhëna për pasurinë e deklaruar të Kryebashkiakëve të Zgjedhur më 21 qershor 2015 dhe të pjesëtarëve në lidhje familjare me ta. Të dhënat janë publikuar në respekt të aksesit për informim, parimeve të transparencës dhe llogaridhënies. Përmes këtyre publikimeve çdo gazetar apo qytetar, mund të informohet mbi të ardhura vjetore të çdo kryebashkiaku sipas burimit nga paga; të ardhura nga qira, shitblerje, pronësi intelektuale, dhurata, çelje trashëgimie etj.
- Në rastin e punësimit të personave të familjes përmes deklarimeve, mund krijohet informacion mbi marrëdhëniet e punës në sektorin publik apo privat dhe në ndonjë rast gazetarë investigues mund të vlerësojnë edhe nëse jemi në kontekstin e nevojshëm për kontroll të konfliktit të interesit.
- Deklaratat përmbajnë edhe informacion mbi të ardhura nga jashtë Shqipërisë sikurse kredi në banka të huaja, dhe prona të paluajtshme jashtë territorit.
- Në rastin e drejtuesve të Bashkive, me mjaft interes është njohja me prona të patundshme apo biznese të familjeve të cilat përbëjnë interesa individuale ekonomike. Duke zbardhur të dhënat mbi pasurinë, krijohet edhe mundësia për monitorim qytetar, nëse vendimmarrja sipas kompetencës territoriale do të favorizojë zhvillimin e këtyre pronave dhe bizneseve.
Po në këtë rubrikë vijojnë të jenë të dhëna për deklarata dhe asete të drejtuesve apo gjyqtarëve të nivelit të lart. Duke ju falënderuar për vëmendjen me të cilën ju na ndiqni, ju rikujtojmë se ju mund ti përdorni të dhënat e publikimeve tona pa asnjë kufizim, por gjithmonë duke ju shprehur dëshirën për ta cituar portalin Spending Data Albania, rubrikën Para dhe Pushtet realizuar në kuadër të projektit të organizatës tonë AIS me titull Money, Government and Politics.