Deklaratë e përbashkët e anëtarëve të Dhomës Zgjedhore mbi administrimin e proçesit zgjedhor

Dhoma Zgjedhore përmes anëtarëve të saj si KZLN dhe ISP ka monitoruar proçesin zgjedhor dhe tani do të vazhdojë të monitorojë proçesin e numërimit të votave. Përmes portalit online zalart.al është bashkëpunuar me qytetarët për të siguruar një proçes të rregullt zgjedhor.

Fakti që qindra qytetarë në të gjithë Shqipërinë i janë përgjigjur thirrjes për të raportuar në portalin zalart.al duke denoncuar çdo shkelje të evidentuar, përbën një lajm të mirë dhe tregon një angazhim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Proçesi votimit në përgjithësi u zhvillua në kushtet e një situate normale të rendit dhe sigurisë. Sjellja e policisë së shtetit vlerësohet të ketë qenë në përputhje me ligjin zgjedhor.

Gjithashtu vlerësojmë se media po luan një rol tepër të rëndësishëm në pasqyrimin minutë pas minute të situatës zgjedhore në mbarë vendin.

Daljet publike të partive politike në ditën e votimit megjithëse të kufizuara krahasuar me zgjedhjet e shkuara kanë thyer heshtjen zgjedhore. Gjithashtu në kundërshtim me ligjin u vëzhguan pranë qendrave të votimit dhe mjediset rreth tyre të kandidatëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë politikë. Gjatë ditës së sotme është konstatuar se komisionet e Qendrave të Votimit nuk kanë marrë masa për zbatimin e kërkesave të ligjit, që në 150 m larg QV të mos ketë materiale propagandistike. Raste të tilla janë raportuar në disa qytete.

Për shkak të ndarjes me vonesë të bazës materiale dhe mungesës së komisionerëve hapja e proçesit të votimit të bëhet me vonesë në disa QV apo për hapjen e tyre pa praninë e të gjithë anëtarëve.

Gjithashtu u konstatua se personave me aftësi të kufizuar nuk i janë krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës.

Në disa raste, niveli i pamjaftueshëm i përgatitjes profesionale të komisionerëve të qendrave të votimit, ka bërë që disa votues të mund të fotografojnë votën e tyre në fletën e votimit dhe ta postojnë këtë nëpër rrjetet sociale. Një sjellje e tillë krijon kushte për shitblerjen e votës dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Në disa raste në QV të Durrësit, Kavajës dhe Vorës u tentua që disa zgjedhës të mos lejoheshin të votojnë megjithëse e kishin emrin në listë.

Në këtë moment vullneti i votuesve shqiptar është shprehur me qetësi në kutitë e votimit. Anëtarët e Dhomës Zgjedhore bëjnë apel që çdo votë e Shqiptarëve të numërohet me korrektësi dhe zëri i tyre të dëgjohet nga palët në proces.

Anëtarët themelues të Dhomës Zgjedhore:

Bëjnë thirrje për një mirë-administrim të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore.

Bëjnë thirrje forcave politike që të tregojnë vullnetin e tyre në mënyrë që komisionerët e tyre të zbatojnë ligjin zgjedhor për numërimin, vlerësimin dhe tabelimin e rezultateve zgjedhore

I bëjnë thirrje administratës zgjedhore dhe në veçanti grupeve të numërimit të zbatojnë me përpikmëri kërkesat e ligjit.

Ripërsërisin qëndrimin e tyre që për çdo rast të konstatuar të thyerjes së ligjit të fillojë hetimi kryesisht nga organet ligjzbatuese.

Dhoma Zgjedhore, përmes KZLN do të monitorojnë hap pas hapi proçesin e numërimit të votive në të 90 qendrat e numërimit.