Dhoma Zgjedhore 2015 – Iniciativë e Shoqërisë Civile
02 Qershor, 2015
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit për herë të parë do të monitorohen dhe vlerësohen nga një koalicion prej 7 organizatash jo-qeveritare vendase të cilat në një zë të përbashkët do të kordinojnë informacionet dhe ekspertizën e tyre në lidhje me ecurinë e të gjithë procesit zgjedhor
Dhoma Zgjedhore është një iniciativë tërësisht shqiptare e projektuar si një platformë për shkëmbimin e informacionit ndërmjet të gjithë aktorëve që punojnë për zgjedhjet, për të zhvilluar bashkëpunimin dhe reagimin e shpejtë ndaj krizave të lidhura me procesin zgjedhor.
Kjo nismë e organizatave me përvojë në monitorimin e zgjedhjeve mbështetet nga Fondacioni “Soros”, me qëllim perftimin e një vlerësimi serioz dhe të besueshëm të faktorit shqiptar mbi cilësinë e proçeseve zgjedhore.
Pjesë e kësaj inciciative është edhe Instituti Shqiptar i Shkencës, që do japë kontibut në kuadër të projektit Za’lart 2015 një portal “online”, që u ofron qytetarëve mundësinë për të kontribuar në zgjedhje të ndershme dhe të lira në vend.
Znj. Aranita BRAHAJ, Drejtoreshë e AIS u shpreh se në raportimet e bëra për Za’Lart evidentohet se fushata zgjedhore e 2015 ka nisur me shkelje e problematika, duke vënë theksin në tentativat abuzive për rekrutim dhe korruptim të votuesve të herës së parë në shkollat publike, si dhe në përdorimin e sektorit publik për qëllime elektorale.
Permes krijimit të dhomës së situatës zgjedhore dhe të portalit online, shoqëria civile u bën thirrje qytetarëvë t’i bashkohen kësaj nisme, për të denoncuar çdo problem të hasur gjatë procesit të votimit, për ta bërë atë sa më demokratik dhe transparent.