Gjykata Kushtetuese të Shfuqizojë Ligjin Korruptiv – Partia Demokratike mbështet Padinë e Përgatitur nga Shoqëria Civile
Datë: 17 Janar, 2022
Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatë Kushtetuese Kërkesë Padi për Pezullimi dhe Shfuqizimi të Kreut VI, të Aktit Normativ me fuqinë e Ligjit nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Ligji cenon Lirinë e Veprimtarisë Ekonomike si liri Kushtetuese. Kontraktimet për Programin e Rindërtimit pas Tërmetit 2019, me fond rreth 120 miliard Lekë po bëhen me kontraktor të përzgjedhur pa garë të hapur. Duke kufizuar Liritë Ekonomike. Ligji krijon premisa për përzgjedhje të Bizneseve me mënyra klienteliste me dëm të lartë financiar. Kjo Padi është përgatitur nga Organizata AIS/OpenData Albania, dhe është depozituar në Kushtetuese në shtator 2021. Gjykata Kushtetuese refuzoi shqyrtimin e Kërkesë Padisë me arsyetimin se Shoqata nuk justifikon interes të drejtpërdrejtë me Kërkimin. Duke vlerësuar të drejtë thelbin e Padisë, dhe duke ju përgjigjur kërkesës së Organizatës për të vënë Gjykatën Kushtetuese në lëvizje me çdo kusht, Partia Demokratike, mbështet Kërkimin e bërë nga Shoqëria Civile, dhe ka depozituar këtë Padi me nënshkrim të 28 Deputetëve të saj. Tashmë Gjykata Kushtetuese duhet shqyrtojë anti-kushtetueshmërinë e ligjit.
Etapa të Procesit:
- Data 28.09.2021 AIS depoziton në Gjykatë Kushtetuese Padi kundër Ligjit nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, Cënon Liri Kushtetuese dhe krijon Klientelizëm. Padi në Shqip dhe Anglisht.
- Data 26.11.2021 AIS deklaratë publike Gjykata Kushtetuese po vonon Shqyrtimin e Padisë, 100 miliard lek tenderohen me klientelizëm.
- Me vendim Nr 132, të marrë në datën 15 nëntor 2021, Publikuar për palët 1 dhjetor 2021, Gjykata Kushtetuese Vendos Moskalimin e Çështjes për Shqyrtim në Seancë Plenare Relator znj. Elsa Toska gjyqtare. Vendim Refuzim Shqyrtimi nr. 132.
- Janar 2022 Partia Demokratike, me 28 Firma Deputetësh përcjell në Gjykatë Kushtetuese Padi për Pezullimin dhe Shfuqizimin e Kreut VI, Procedurat e Prokurimit Publik, nenet 40 – 44, dhe neni 4, pika 7 dhe pika 9, të Aktit Normativ me fuqinë e Ligjit nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 97/2019, në datën 18.12.2019.
- DataBaza Kontraktime Programi i Rindërtimit Bashki- https://openprocurement.al/sq/tender/rindertimi
- DataBaza Kontraktime Programi i Rindërtimit Fondi Shqiptar i Zhvillimit – https://openprocurement.al/sq/albaniandf/rindertimi