Inventarizimi Dixhital i Fondit Etnografik në Zonën para-Alpe

Instituti Shqiptar i Shkencave ka filluar punën për zbatim të Projektit “Inventarizimi Dixhital i Fondit Etnografik të Zonës para-Alpe”. Janë fshatrat Iballë, Mërtur Guri dhe Arsmiliska në rrethin e Pukës, qarku Shkodër objekt i këtij projekti.

Zona është tepër interesante për shkak të një mbi-shtresëzimi etno-kulturash tërësisht autoktone. Ajo ka shtrirje si territor qytetin e Mesjetës së Hershme Koman (shek VIII – XI). Kundrejt vlerave që zona mbart, fenomeni i braktisjes dhe mos vlerësimi i objekteve të vjetra e ka bërë tepër të rrezikuar këtë lloj pasurie. Në këto tre fshatra ende gjenden banesa të veçanta dhe objekte etnografike që dëshmojnë kulturë dhe traditë e që kanë potencial të mirë për të mbrojtur tezën e një populli të hershëm europian, sikurse për të nxitur atraksion të turizmit kulturor në zonë.

Projekti synon të evidentojë objekte arkitekturore shtëpi, kulla apo punishte të fortifikuara e pa status monumenti, të paregjistruara pranë fondit të Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore Kombëtare. Gjithashtu objekte të spikatura etnografike të kësaj zone si kostume popullore, set mjetesh artizanati për prodhime veglash muzikore apo veshjesh; instrument muzikor mbi 70 vjeçar si lahuta apo fyej. Për secilin objekt parashikohet kartelizim dhe inventarizim dixhital. Objektivat e projektit drejtpërdrejt synojnë të evidentojnë vlera të karakterit etnografik dhe kulturorë, por njëkohësisht aktivitetet i japin vlerë edhe turizmit të integruar me atraksionin për zona të veçanta për natyrën e njëkohësisht për elemente antropologjik që mbartin.

Ky program realizohet me mbështetje nga Ministria e Kulturës në Kuadër në kuadër të mbështetjes për iniciativa në fushën e Trashëgimisë Kulturore.  Instituti Shqiptar i Shkencave ka realizuar disa projekte të ngjashme si “Inventarizimi Dixhial i Fototekës “Sotir” apo Ekspozita “Lahuta e Eposit Shqiptar”.

Koordinator Programi Znj. Besjana Hysa [email protected]