Java e Përdorimit të Internetit – Get Online Week Albania 2012

Instituti Shqiptar i Shkencave në partneritet me Telecentre Europe organizon për herë të parë në Shqipëri fushatën: Get Online Week 2012 – Java e Përdorimit të Internetit 2012. Kjo fushatë organizohet prej tre vitesh në vende të Bashkimit Europian. Qëllim i kësaj fushate është nxitja dhe aftësimi i sa më shumë personave në përdorimin e internetit. Këtë vit Telecentre Europe ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të Komisionit Europian dhe disa organizmave të rëndësishëm ndërkombëtar. Synimi është shtrirja e  kësaj fushate në vende të ndryshme të Europës. Instituti Shqiptar i Shkencave do të përcjellë dhe konkretizojë në Shqipëri qëllimin e fushatës për dobishmëri dhe zgjerim të përdorimit të internetit nga qytetarët. Në fushatën 2012 në fokus qëndron aftësimi i grave për të përdorur internetin,  si dhe tek përdorimi i internetit në punësimin e të rinjve.

Sipas Eurostat Europa është ende larg për të arritur përdorimin e gjerë të internetit nga popullsia e saj. Vitin e fundit niveli i rritjes ishte vetëm tre përqind duke shënuar kalimin nga 65% tek 68%. Kjo dëshmon që ka shumë për të bërë. Në Shqipëri niveli vjetor i rritjes është shumë më i lartë, por numri i përdoruesve të internetit dhe përdorimi për aftësim dhe dobishmëri janë proçese dinamike që kërkojnë vëmendje dhe kontribut. Gjatë kësaj fushate një javore në 30 vende evropiane, nëpërmjet 15 000 qendrave të internetit synohet të realizohet aftësimi në përdorim i rreth 200 000 personave. Në Shqipëri fushata Get Online Week 2012 synon nxitjen e mbi 500 qytetarëve në përdorim apo aftësim të mëtejshëm në internet. Instituti Shqiptar i Shkencave fton qytetarët, organizatat jofitimprurëse, institucionet e edukimit, median dhe këdo tjetër të interesuar të përfshihen dhe bashkëpunojnë në Javën Shqiptare të Përdorimit të Internetit 26 – 30 mars 2012.