TRANSPARENCY, ACCOUNTABILITY AND CIVIC ENGAGEMENT
AIS Newsletter Dhjetor 2018Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese jo-funksionale, AIS i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Më 19 Nëntor, AIS i është drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Evropës me kërkesën për të trajtuar me përparësi ankimimin e AIS-së kundër Shqipërisë. AIS i drejtohet Gjykatës së Strasburgut në mungesë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, dhe i kërkon shqyrtim të themelit për një çështje të mbetur pezull si rekurs në Gjykatën e Lartë. Argumenti përkon me pretendimin për mos respektim të të drejtës për Gjykim në afat. Konkretisht shkelje të Nenit 6, Nenit 10 dhe Nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo kërkesë vjen në kushtet kur Gjykata e Lartë ku është bërë rekurs, dhe Gjykata Kushtetuese janë jo funksionale, për shkak të mungesës së gjyqtarëve të rrëzuar në Vetting. Etapat e çështjes për të cilën kërkohet Gjykim në themel, janë të publikuara në faqen zyrtare të AIS.
A nevojitet vetting për politikanët? – Programi Exclusive zbardh të dhëna nga deklarimi i pasurisë së Deputetëve
Vetting dhe kontroll i aseteve, pasurive dhe interesave ekonomike për përfaqësues e politikanë ligjbërës. Kjo ka qenë një nga çështjet e diskutuara, që është konkretizuar edhe më një propozim ligjor në Parlamentin e Shqipërisë. AIS promotor për Open Data Albania dhe Instituti i Studimeve Politike kanë realizuar analizat e tyre mbi përfaqësimin në parlament të personave me pushtet ekonomik, konfliktin e interesave për deputet biznesmen, e lidhje të parasë me politikën. Programi televiziv "Exclusive" në TV Kombëtar “Top Channel”, ka investiguar mbi përmasat e këtij fenomeni dhe nevojën për një vetting mbi Pasurinë e Deputetëve. Investigimi ka titullin Varfëria e Milionerëve. Në datën 21 Dhjetor 2018 në Kuvend u votua kundër ligjit të propozuar nga Partia Demokratike për Vetting për figurën e Deputetit.
Edukimi i Hapur TIK për punësueshmërinë e të rinjve - projekti ndërkufitar që po zbatohet nga ODK dhe AIS
Open Data Kosova (ODK) dhe Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS) po implementojnë Projektin “Edukimi i hapur TIK për punësueshmërinë e të rinjve”. Ky është një projekt ndër-kufitar IPA, i financuar nga EU. Përfitues të projektit janë Universitete dhe Shkolla të mesme në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë. Objektivë e projektit është nxitja e aftësimit për punë të të rinjve duke ofruar qasje të hapur në njohuritë dhe aftësitë në TIK, dhe duke forcuar bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet institucioneve mësimore. Përmes këtij projekti po krijohet platforma e parë online e mësimit për TIK në gjuhën shqipe.