AIS i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, në mungesë të një Gjykate të Lartë dhe Kushtetuese i kërkohet shqyrtim themeli për çështje në rekurs

Në datën 19 Nëntor AIS i është drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut , Këshilli i Evropës me kërkesën Për të Trajtuar me përparësi ankimin e AIS kundër Shqipërisë dhe për të shqyrtuar themelin e kësaj çështjeje për shkelje të nenit 6, nenit 10 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut.

Kjo kërkesë vjen në kushtet kur Gjykata e Lartë ku është bërë rekurs dhe Gjykata Kushtetuese janë jo funksionale.

Etapa të Çështjes për të cilën kërkohet Gjykim në themel, janë parashtruar për Gjykatën e Strasburgut si vijon:

Në datën 9 qershor 2015, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), një OJF shqiptare, i dërgoi një kërkesë zyrtare tre subjekteve kryesore zgjedhore, përkatësisht Partisë Socialiste (PS), Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) duke iu kërkuar atyre informacionin e mëposhtëm:

1.         listën e donatorëve të fondeve jopublike, nga të cilët ata kanë përfituar që nga data 21 maj 2015, mbi 100 000 (njëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në shërbime ose mallra;

2.         Listën e çdo shpenzimi të kryer që nga data 21 maj 2015, duke përdorur fondet vjetore të përfituara nga buxheti i shtetit në vitin 2015.

Subjektet e mësipërme zgjedhore nuk iu përgjigjën kërkesës sonë. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 24 të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën (aksesin) e informimit”, AIS, në datën 7 korrik 2015, paraqiti ankesë përpara Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në datën 25 korrik 2015, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale na njoftoi për vendimin e tij nr. 44, datë 22.07.2015 “Për refuzimin e ankesës”. Komisioneri e refuzoi ankimin tonë nr. 675, datë 9.07.2015, me arsyetimin se “informacioni i kërkuar duhet të administrohet nga organizatat e parashikuara me këtë ligj dhe nenin 2 të tij, të cilat nuk janë përcaktuar si autoritete publike në kuptimin e mënyrës sesi ato janë të organizuara, si ato veprojnë dhe kuadrit të tyre rregullator”.

Në zbatim të Nenit 25 të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Instituti Shqiptar i Shkencave paraqiti një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës.

Pas përfundimit të seancave gjyqësore, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë u shpreh me vendimin nr. 5687, datë 10.11.2015, sipas të cilit: “Gjykata rrëzon kërkesë-padinë e Institutit Shqiptar të Shkencave kundër Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lëvizjes Socialiste për Integrimin e Shqipërisë, i cili kërkon “Shfuqizimin e vendimit nr. 44, datë 22.07.2015 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale” si padi që nuk bazohet në prova apo në ligj.” Gjykatës iu të vendoste partive politike (subjekteve zgjedhore), përkatësisht Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që t’i japin Institutit Shqiptar të Shkencave informacionin e kërkuar për financimin e fushatave të tyre zgjedhore sipas kërkesës së saj (AIS) të datës 9 qershor 2015.

Në datën 25 nëntor 2015, Instituti Shqiptar i Shkencave depozitoi në Gjykatën Administrative të Apelit ankim kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr. 5236, datë 22.11.2017, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Çështja është në pritje të gjykimit nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Në datën 18 maj 2016, AIS iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke i kërkuar asaj të shprehet për proceset gjyqësore dhe nëse ato përbëjnë shkelje të Neneve 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Siç mund ta jeni në dijeni, në datën 22 korrik 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 17 amendamente kushtetuese të nevojshme për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke synuar ndryshimin e imazhit të tij, duke e bërë atë më të pavarur, llogaridhënës dhe efikas. Këto ndryshime kushtetuese, ndër të tjera, përfaqësojnë zbatimin e Ligjit të Verifikimit, i njohur si rivlerësimi i përkohshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Procesi i rivlerësimit të anëtarëve të sistemit gjyqësor, i njohur ndryshe si procesi i verifikimit (vetting), filloi në nëntor 2017 dhe do të përfshijë mbi 800 gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe një numër të punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më sot, nga rezultatet e procesit të verifikimit, në Gjykatën e Lartë vetëm 4 gjyqtarë kanë kaluar procesionin e rivlerësimit dhe dy prej tyre janë ende në procedurat e rishikimit në Kolegjin e Apelimit.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është institucioni që është goditur më rëndë nga procesi i rivlerësimit. Nga nëntë anëtarë, vetëm dy prej tyre kanë kaluar me sukses procesin dhe njëri prej tyre është në procesin e apelimit para Kolegjit të Apelimit.

Askush në Shqipëri nuk është në gjendje të parashikojë kur do të krijohen dhe do të bëhen funksionale Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Rrjedhimisht, askush në Shqipëri nuk mund të japë përgjigje për kohën se kur do të gjykohet rekursi i AIS-së në Gjykatën e Lartë dhe, nëse është e nevojshme, në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, çështja e kërkesës dhe e gjithë situata humbet aktualitetin, sepse kërkesa për transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje u paraqit në vitin 2015, dhe ende nuk ka përgjigje përfundimtare nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme vendore do të zhvillohen në qershor 2019.

Gjithashtu, duam të shtojmë në kërkesën e AIS përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut argumentet ligjore dhe kërkesën për shqyrtimin e pretendimit për shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga Shqipëria.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rastin Magyar Helsinki Bizottsag kundër Hungarisë ka pranuar se një e drejtë e tillë për informim ose detyrim për të dhënë informacion mund të lindë në dy kategori rastesh: (1) kur dhënia e informacionit është vendosur me vendim gjyqësor të ekzekutueshëm dhe (2) në rrethanat ku aksesi në informacion është i dobishëm për ushtrimin e të drejtës së individit për lirinë e shprehjes dhe kur mohimi i saj përbën një ndërhyrje në atë të drejtë.

Më tej, Gjykata ka përcaktuar katër parime, të marra nga rastet e fundit të jurisprudencës së saj në lidhje me aksesin në informacion, të cilat mund të përdoren për të përcaktuar nëse një mohim i aksesit përfshihet në kategorinë e dytë të rasteve.

Qëllimi i kërkesës për informacion: është një kusht, përpara shqyrtimit të sferës së zbatimit të Nenit 10, ku informacioni që kërkohet të jetë i nevojshëm për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes. E drejta e votimit mund të konsiderohet si liri e shprehjes dhe njohja përpara datës së zgjedhjeve me  financimet e partive politike është parakusht për zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo mund të vlerësohet kur mohimi i dhënies së informacionit do të pengonte ose dëmtonte ushtrimin e të drejtës së individit.

Natyra e informacionit të kërkuar: informacioni për të cilin kërkohet akses, në përgjithësi, duhet të përmbushë “testin e interesit publik”, në mënyrë që dhënia e tij të jetë i nevojshëm sipas nenit 10.

– Roli i kërkuesit: kur individi kërkon akses në informim me qëllim të informimit të publikut në cilësinë e tij si vëzhgues publik ose shoqëror, kjo do të jetë një vlerësim i rëndësishëm në përcaktimin nëse zbatohet Neni 10.

Informacioni i gatshëm dhe i disponueshëm: shkalla në të cilën informacioni i kërkuar është i gatshëm dhe i disponueshëm, gjithashtu, do të jetë një kriter i rëndësishëm kur përcaktohet nëse Neni 10 është i zbatueshëm për një rast kur një individi i është mohuar aksesi në informim.

Bazuar në këto kushte, ju lutem merrni parasysh kërkesën tonë për të shqyrtuar edhe themelin e rastit të paraqitur në kërkesën AIS kundër Shqipërisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut të paraqitur në  datën 18 maj 2016 lidhur me shkeljen e nenit 6, nenit 10 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane. Gjithashtu merrni në konsideratë dhe mundësinë e përshpejtimit të procedurës për shqyrtimin e kërkesës/ankesës së AIS-it në Strasburg, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Duke shpresuar se kërkesa jonë do të merret parasysh.

Aranita Brahaj –
Drejtore Ekzekutive e AIS

Përfaqësuesi Ligjor  Avokat Viktor Gumi

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Këshilli i Evropës

Etapa të mëparshme të Procesit Gjyqësor AIS vs Parti Politike për Transparencë me Financat Elektorale