Para dhe Pushtet- Publikon të dhëna për pasuritë, të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara nga funksionarë të lartë publik

Në portalin Open Spending Albania në rubrikën Para dhe Pushtet (One Stop Integrated Data Source) janë publikuar të dhëna për pasuri, të ardhura dhe shpenzime të deklaruara nga funksionarë të lartë publik. Të dhënat përmbajnë deklarime zyrtare të një viti të caktuar apo deklarim fillestar përpara marrjes së detyrës. Në çdo rast informacioni flet për datën e plotësimit të dokumentit për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive ILKDP. Veç subjektit në deklarim përfshihen edhe persona të tjerë pjesëtarë të familjes me detyrim ligjor për të deklaruar. Deklarimi vjetor karakterizohet nga informacioni për të ardhura të krijuara në atë vit; pasuri të fituara gjatë vitit në fjalë; sikurse shpenzime për të cilat subjektet kanë detyrim ligjor për deklarim. Subjektet për të cilat ka informacion në këtë rubrikë janë funksionarë të lartë publik: President, Anëtar të Këshillit të Ministrave, Kryetar të Bashkive Kryesore, Përfaqësues të Parlamentit, Gjyqtar të Nivelit të Lartë, Kryeprokuror dhe titullarë të institucioneve të pavarura. Ky informacion bëhet i hapur dhe transparent, me qëllim informimin e publikut mbi interesat ekonomike dhe pasuritë e funksionarëve të lartë publik që përfaqësojnë dhe qeverisin në vend. Të dhënat e Money & Power janë të ndërlidhura me të dhëna të Open Corporates Albania për shoqëri biznesi që janë pjesë e deklarimit të një subjekti individual. Për çdo subjekt është dhënë edhe numri i indeksit të dokumentit zyrtar të dorëzuar pranë ILKDP, dokument nga ku janë cituar të dhënat.