Propozime dhe Diskutime në Dëgjesën e Datës 23 mars 2017 në Komsionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Në përgjigje të ftesës së Komsionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për konsultim dhe dëgjesë me aktorë të shoqërisë civile, Instituti Shqiptar i Shkencave (akronim anglisht AIS) një organizatë joqeveritare me mision advokimin për transparencë, mirëqeverisje dhe llogaridhënie, po referon disa shqetësime mbi rregullime ligjore aktuale dhe propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Organizata njihet si promotore e të dhënave të hapura dhe transparente (Open Data Albania). Veç publikimit në format Open Data të deklarimeve mbi shpenzime dhe të ardhura të subjekteve zgjedhore, AIS përmes programeve të saj Money Government and Politics dhe Za’Lart ka zbardhur, analizuar dhe sensibilizuar në mënyrë të vazhdueshme mbi detaje dhe problematika të Financimeve Zgjedhore në fushatat e fundit. Në proçeset zgjedhore 2013 dhe 2015, AIS është angazhuar edhe në iniciativën për Dhomën Zgjedhore, iniciativë e disa organizatave për të monitoruar dhe kontribuar për zgjedhje të rregullta dhe të drejta. Aktualisht AIS është palë kërkuese në një Proces Gjyqësor kundrejt tre partive më të mëdha politike. Gjykatës i është kërkuar të shprehet nëse Partitë Politike si subjekte elektorale, kanë detyrim t’i përgjigjen kërkesave për informim mbi burime të financimit zgjedhor, në çdo kohë, e konkretisht në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore. Procesi aktualisht është në Gjykatën e Lartë.

Propozimet dhe Diskutimet që do të parashtrohen kanë të bëjnë vetëm me pjesën e Financimit të Fushatës, konkretisht nene 86 deri 92 të Kodit Zgjedhor.

Në një përmbledhje ajo ç’ka ne propozojmë e renditur në pika të përgjithshme është si vijon:


  1. Dhurime vetëm përmes llogarive bankare.

    Të vendosej detyrimi ligjor për deklarim dhe dhurim me sistem bankar (jo kesh) për çdo vlerë dhurimi fond jo publik, e jo vetëm për vlera të dhurimeve mbi 100 mijë lekë. Ndryshim në Nenin 90 pika 2 e Kodit Zgjedhor. Në fushata të mëhershme sikurse edhe kjo e fundit, dhurimet në kesh arrijnë deri në 50% të totalit të fondeve jo publike të siguruara për fushatën.


  2. Informim në kohë reale mbi donacione të fushatës (donacion në instrument monetar).

    Në fakt ky lloj rregullimi ka bazë në Kushtetutë neni 9 paragrafi i tretë; ku shprehimisht thuhet Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. Ky rregullim ka qenë më herët edhe në Kod por është hequr me ndryshimet e bëra për nenin 90 paragrafi 1 kur dikur thuhej: Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Por me ndryshimet e bëra me Ligjin nr 74.2012 datë 19. 07. 2012 kjo fjali është hequr duke krijuar regres në të drejtën për informacion publik mbi mbështetësit e një partie politike përmes donacioneve, edhe përpara datës së votimit.


  3. Të shmanget me parashikim të qartë ligjor, çdo marrëdhënie donacioni, subvencioni apo kreditim ndërmjet subjekteve elektorale dhe subjekteve mediatike.

    Neni që parashikon konfliktin e interesit,  neni 89 e përjashton subjektin që ushtron veprimtari mediatike apo është aksioner në një subjekt të tillë, nga e drejta për të qenë donator i një subjekti elektoral.  Dhe kjo është mjaft korrekte në respekt të parimit të pavarësisë së medias, dhe ndarjes së këtyre dy pushteteve. Nga ana tjetër Neni 84, paragrafi 6 i Kodit Zgjedhor krijon një burim financiar shtesë për partitë e rëndësishme politike. Media detyrohet me ligj të dhurojë një pjesë të minutave për partitë që kanë konsumuar një kohë të caktuar reklame kundrejt pagesës. Ky nen duhet shfuqizuar pasi: 1 krijon një marrëdhënie dhurimi kontradiktore me rregullimin e nenit 98; 2. krijon vështirësi në monitorim; 3. është përdorur në mënyrë arbitrare edhe në zgjedhje për pushtetin vendor ndërsa ligji e parashikon vetëm për zgjedhje të përgjithshme; 4. nuk jemi në situata ku partitë kanë mungesa dhe vështirësi në mbulim të kostove financiare të reklamës. Reklama politike është bërë tepër masive në emetime mediatike të fushatës, dhe do ishte mirë që të orientohet çdo subjekt politik drejt cilësisë së mesazhit dhe reklamës, dhe jo drejt sasisë.

    Gjithashtu jemi në kontekste të tjera ku media edhe audovizive, nuk qëndron ngushtësisht në cilësinë e mediave të licencuara si media kombëtare. Ka formate të ndryshme të emetimit audioviziv bazuar në teknologjinë e re.

    Po kaq i gabuar dhe kontradiktor do të konsiderohet edhe rregullimi për reklamën pa pagesë i bërë në ndryshimin e Ligjit për Partitë në Maj 2017. Ligj që bie ndesh me Kodin aktual.

    Kodi i ri elektoral, do të duhet të respektojë në mënyrë shteruese ndalesën për pozicionin e donatorit për subjektet mediatike. Subjektet mediatike duhet të jenë palë të partive dhe subjekteve elektorale vetëm përmes kontratave tregtare të cilat do ishte mirë të ishin gjithashtu të aksesueshme nga publiku për rastin e kontraktimeve në fushatë zgjedhore. Po kështu duhet parë me kujdes edhe situata e faturave të papaguara dhe situatave debitore. Subjektet tregtare e kanë të drejtën e tyre të kërkimit të detyrimeve. Por kur subjekti debitor është një parti politike me pushtet, kërkimi i debive është një çështje e  mundshme intimidimi dhe influence. Për të mos lejuar situata të tilla ku borxhi kthehet në donacion, ligji zgjedhor duhet të parashikojë edhe ndërhyrje të KQZ gjatë shpërndarjes së fondit vjetor apo zgjedhor për partitë, duke i dhënë prioritet  në likuidim të detyrimeve të deklaruara si të njohura e të papaguara gjatë fushatës. I njëjti prioritet likuidimi me fondet publike duhet të jetë edhe për debitorë të palikujduar të fushatave që nuk janë subjekt mediatik.


  4. Rregullim më efikas i rasteve të parashikuara si konflikt interesi për donatorët.

    Të vendosen parashikime ligjore më të zgjeruara për parandalimin; deklarimin dhe kontrollin e konfliktit të interesit për Donatorët. Kodi Zgjedhor përmes nenit 89 parashikon disa situata të ndaluara. Ky nen kërkon rregullim dhe zgjerim të parashikimeve. Kështu fjala aksionar do ishte mirë të zëvendësohej me fjalën zotërues. Përveç parashikimit për kontrata dhe fonde publike të parashikohej si konflikt interesi edhe rasti i përfitimeve nga programe të subvencionit publik; kreditimit të garantuar me fonde publike; përfitues në privatizime të aseteve publike; përfitues nga legalizime; përfitues nga programe publike në dobi të biznesit. Etj.


  5. Parashikim ligjor i verifikimit administrativ për rastet në konflikt interesi.

    Do të ishte me vend që KQZ të kishte kompetencë për verifikim dhe hetim administrativ. Kjo përmes kërkesës për informacion pranë institucioneve publike në lidhje me respektimin e parashikimeve dhe ndalimeve si konflikt interesi. Verifikim pranë tatimeve mbi debitorët; pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike mbi kontrata publike; pranë Regjistrit Koncesionar për kontratat koncensionare dhe kështu me radhë. Gjithashtu edhe sanksioni për donatorët në rast të deklarimit të rremë të mospasjes konflikt interesi është një sanksion që duhet të parashikohet në Kod.


  6. Afate më reale të periudhës nën raportim të fushatës zgjedhore.

    Në kontekstin aktual Kodi njeh si periudhë për raportim dhe auditim zgjedhor periudhën 30 ditore. Ndryshimet në Ligj krijuan premisa por jo detyrim ligjor për një periudhë më të gjatë. Mirë është që ky afat të rregullohet me ligjin zgjedhor Kodi. Dhe afati i raportimit financiar për shpenzime zgjedhore të jetë më shumë se 30 ditë përpara fillimit.


  7. Kufizimi i totalit të shpenzimeve zgjedhore është i pabazuar, sjell premisa për mosdeklarim.

    Nuk kemi pse të kemi kufizime të tilla. Le t’u japim mundësi Partive dhe Subjekteve të legalizojnë dhe të tregohen transparent në raportimin e mbështetjes dhe mundësive të tyre për të siguruar instrumente financiare të ligjshme për fushatën. Mbledhja e fondeve për subjektet elektorale në fushatë nuk duhet parë vetëm si mundësi por edhe si një shprehje e besimit të votuesve edhe përmes donacioneve. Propozohet kështu shfuqizimi i nenit 90 paragrafi 3. 


  8. Ruajtja e financimit miks fonde publike dhe jopublike për subjektet elektorale.

    AIS nuk mbështet propozime për të kaluar në financim me një lloj burimi financiar për fushatën. Jemi kundër propozimeve për të mbuluar plotësisht me para publike fushatat, kjo pasi i bën partitë të identifikohen me subjekte buxhetore shtetërore.


  9. Rregullim më i qartë i burimit të financimit përmes kredive dhe deklarimit të të dhënave të kreditimit nëpërmjet një regjistri të posaçëm.

    Neni 87 / 1 pika ç Kreditë. Do të duhet të parashikohet edhe deklarimi i të dhënave të kreditimit duke paracaktuar dhe listuar kategoritë e të dhënave për deklarim. Garantët e kreditimit, kushtet, afatet, barra siguruese, forma e aplikimit, të dhëna të identitetit të subjektit kreditues. Duhet parashikuar a mund të merren kredi në institucione jo të licencuara për veprimtari financiare; duhet saktësuar a lejohet kreditimi apo garantimi i tij nga subjekte të huaja.


  10. Të konsiderohet mundësia për raportim financiar edhe sipas degëve të partive politike në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe sipas shtabeve të kandidatëve për kryebashkiak, në rastin e zgjedhjeve lokale.

    Ky parashikim nuk është në Kod dhe as në ligjin Për Partitë Politike. Do të ishte me vend që të kërkohej një disiplinim më i mirë i raportimit financiar sipas zonave elektorale.


  11. Ligji Zgjedhor (Kodi) do të duhet të vlerësojë më qartë nëse pranon dhurime nga subjekte të regjistruara si organizma jofitimprurës (jo qeveritare).

    Kodi nuk ka ndonjë ndalesë. Po kështu ligji për OJF ka rregullime jo shteruese. Aktualisht në disa vende të rajonit dhe Europës konsiderohet si shqetësim financimi i partive politike me fonde me burim të huaj përmes OJF-ve lokale. Ligjvënësi do ishte mirë që edhe pse nuk kemi shqetësim aktual të evidentuar të konsiderojë mundësinë e një rregullimi ndalues apo të mirë-rregulluar.

Ligji do të duhet të kërkojë raportim të saktë të shpenzimeve dhe kontraktorëve në raste kur ato janë subjekte të huaja. Në secilin nga këto raste të kërkohet raportim me një format të veçantë të identitetit të kontraktorit; përkatësia e së drejtës tregtare që rregullon ekzistencën e këtij kontraktori; të dhëna financiare të kontratës dhe të dhëna objekti i kontratës