Amnistia Fiskale dhe Deklarimet Vullnetare të Pasurive në Shqipëri

Amnistia Fiskale dhe Deklarimet Vullnetare të Pasurive në Shqipëri

AIS promotor i Open Data Albania po publikon një Raport me Fakte dhe Historik nga procese si amnisti, falje, legalizim asetesh apo procedura të deklarimit vullnetar të aplikuara nga Qeveritë në vend në dekadat e fundit. Raporti ka të dhëna mbi Historikun e Iniciativave dhe Akteve Ligjore sikurse ka cekur edhe efektet, masën e legalizimeve dhe deklarimeve që ka shënuar procesi.

Historiku i amnistive fiskale në Shqipëri – Propozimi i parë për amnisti fiskale në Shqipëri i përket vitit 1999, me iniciativë të ish-Presidentit Rexhep Meidani, por që nuk u pranua as nga qeveria dhe as nga opozita e asaj kohe. Gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri ka pasur të paktën dy iniciativa për amnisti fiskale bazuar në deklarim vullnetar të pasurive (2011 dhe 2020) në kuptimin e qasjes ligjore, por asnjëri prej propozimeve nuk ka gjetur konsensusin politik dhe të faktorit ndërkombëtar. Për këtë arsye, propozimi i vitit 2011 u miratua si iniciativë e thjeshta ligjore, me shumicë të thjeshtë votash dhe pa konsensusin e nevojshëm politik. Ndërsa propozimi i vitit 2020 vijon të jetë projekt, i ndryshuar në vitin 2022 dhe aktualisht në diskutim për dakordësinë e palëve të interesit dhe institucioneve ndërkombëtare. Në Raport janë, të listuara në kronologji kohore, detajohen iniciativat ligjore që kanë rregulluar programet alternative të faljes së detyrimeve fiskale në Shqipëri, deri në projekt-propozimin e fundit të vitit 2022.

  • Raport mbi Historiku i Amnistive Fiskale dhe Deklarimet Vullnetare të Pasurive në Shqipëri Dokument PDF (Link)
  • Tabela Shoqëruese të Raportit në Excel (Link)

Konkluzione të përgjithshme – Nga ana e qeverisë nuk rezulton të jetë bërë një analizë gjithëpërfshirëse e efekteve në ekonomi të programeve të kaluara të faljeve/legalizimeve fiskale, për të konkluduar mbi efektivitetin e tyre, por në bazë të opinioneve dhe vlerësimeve të bëra nga auditimet e KLSH-së, mund të vlerësojmë se programet e amnistisë fiskale (falje të borxhit tatimor) në Shqipëri nuk kanë qenë të suksesshme në rezultatet e arritura për normalizimin e ekonomisë, madje detyrimet e papaguara fiskale janë rritur vit pas viti, tendencë në rritje pas çdo programi amnistie fiskale, apo pritje për një amnisti të re, duke materializuar kështu rrezikun që përsëritja e amnistive mund të sjellë humbjen e besimit të taksa paguesve në sistem, për rrjedhojë shmangien e detyrimeve tatimore në pritje të faljes së detyrimeve të papaguara. Shqipëria vijon të ketë një tregues informaliteti të lartë dhe sipas vlerësimeve të FMN-së më shume se një e treta e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) krijohet nga ekonomia informale, normë kjo dy herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Evropës. Ngarkesa fiskale dhe informaliteti i lartë janë dy nga problematikat kryesore që firmat shqiptare vlerësojnë si faktorë pengues për zhvillimin e biznesit (WB, 2022).