Blerje për Situatën Covid-19, Qeveria Shqiptare aplikon Kontrata Sekrete, i shmanget Pjesëmarrjes dhe Transparencës

Organizata AIS promotore e Open Data Albania. vëren me shqetësim se Qeveria Shqiptare në mënyre antikushtetuese, në paligjmëri dhe pa asnjë nevojë të përligjur ka vendosur të konsiderojë Sekret kontraktimet dhe procedurat për blerje gjatë emergjencës së krijuar për shkak të Covid-19.

Tituj te Kontratave Sekrete Per COVID 19 i gjeni Këtu

  1. Përmes dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM) konkretisht: VKM Nr. 203, datë 26.02.2020 “Për procedurat që përdoren për Lidhjen e Kontratave që Diktohen nga Interesa Thelbësor të Shtetit” dhe Ndryshimeve të bëra me VKM nr. 242 datë 22.03.2020 “Për disa shtesa në Vendimin nr 203, Këshilli i Ministrave i barazon procedurat dhe kontraktimet për shkak të Covid-19 si  Kontraktime Sekrete LINK.
  2. Kjo VKM është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 118 pika 2 të parashikon se: “Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”. Neni 6 i Ligjit të Prokurimit Publik (ku është mbështetur KM për nxjerrjen e kësaj VKM) nuk autorizon nxjerrjen e një Akti Normativ të Veçantë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit. VKM nr. 203 nuk ka përcaktuar përkufizimin e gjendjes, rrethanave, apo rasteve kur kemi të bëjmë me “interesa thelbësorë të shtetit” por këto rrethana i ka lënë rast pas rasti në vlerësim të autoriteteve kontraktore; Pra e thënë shkurt, kushtet kur termi “interesa thelbësorë të shtetit” nuk ka gjetur një rregullim ligjor, ngelet një situatë abstrakte e pa përkufizuar dhe në vlerësimin subjektiv të çdo autoriteti duke rritur riskun për Arbitraritet.
  3. Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituara krijojnë situata ku klienti përzgjidhet pa publikim dhe thirrje për shprehje interesi, çka bën të pamundur identifikimin dhe kërkimin për operator eficent. Në këtë kohë krize, mundësitë për furnizime janë të limituara dhe të karakterizuara nga ndryshime dinamike. Shumë po aplikojnë forma inovatore për të bërë gjurmim dhe evidentim në kohë sa më të shpejtë të furnitorëve Leader, të cilët garantojnë mallra në situatën së krijuar. Këta furnitor, Qeveritë nuk mund ti gjurmojnë duke komunikuar me një klient të vetëm pa lënë asnjë mundësi prezantimi dhe pjesëmarrje. Kjo përqasje cenon çdo Parim të Pjesëmarrjes dhe Konkurrencës.
  4. Qeveria ka bërë një ndërhyrje të papërligjur sa kohë që Legjislacioni Shqiptar (Ligji nr. 9643/2016) ka të rregulluar mjaft mirë Procedurën e Negocimit dhe Procedurën e Kufizuar, çka do të ofronin blerje të shpejta, eficente dhe të dobishme pa qenë nevoja për veprime sekrete. Këto dy procedura të parashikuara në Legjislacionin kombëtar e garantojnë mundësinë për furnizime në situata emergjencash dhe fatkeqësish, duke krijuar garanci të Proporcionalitetit.
  5. Nga ana tjetër të gjithë elementët e kontratës si objekti i blerjes; çmimi; karakteristikat dhe specifikat e mallit apo shërbimit që blihet, duke qenë sekret nuk i nënshtrohen Publikimit; Transparencës; Llogaridhënies me qëllim Besimin dhe Kontrollin Publik.
  6. Shkelet Parimi i Qeverisjes së Hapur Transparente. Qeveria Shqiptare po shmang parimin e Qeverisjeve të Hapura (Open Government). Kjo në një moment që Legjislacionet e Reformuar në Sektorin e Kontraktimeve në disa vende evropiane dhe jo vetëm, kanë të sanksionuar në Ligj detyrimin që të Gjitha kontratat e Rasteve të Emergjencave duhet të publikohen të plota në formatin e Hapur (open data). Kujtojmë që Shqipëria që prej vitit 2009 është pjesë e Partneritetit Për Qeverisje të Hapura OGP duke ndërmarrë angazhime të veçanta në kontekstin e Sektorit të Prokurimeve, angazhime të paplotësuara.
  7. Klasifikimi sekret për shkak të interesave thelbësore të shtetit i këtyre kontratave (procedurave), bie ndesh edhe me vetë Aktin Normativ të Qeverisë Për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, akt ku nuk ka parashikim për kufizime të të Drejtës Kushtetuese për Informim (neni 23 Kushtetuta).

Organizata jonë konsideron këto veprime të Qeverisë si antikushtetues, jo ligjore, jo të përligjura  dhe në cenim të parimeve bazë të mirëqeverisjes që janë Llogaridhënia dhe Transparenca. Negocimi i Drejtpërdrejtë (neni 33 i Ligjit për Prokurimet) dhe Kërkesa sipas Procedurës së Kufizuar (neni  31 Ligji për Prokurimet) janë të mjaftueshme për të garantuar Kontraktime dhe Prokurime të shpejta, eficente, inteligjente dhe proporcionale me Interesat Thelbësore të Popullsisë së një Shteti.

 AIS i bashkohet Rekomandimeve të Open Contracting Partnership për Qeveritë, rekomandime për Blerje në situatën e krijuar Covid-19, Blerje të Shpejta, Të zgjuara dhe Transparente (Open) https://www.open-contracting.org/what-is-open-contracting/covid19/