KLSH me aplikacione web për monitorim dhe rritje të transparencës
Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi për të dytin vit rradhazi ‘Muajin e Hapur 2018’, në periudhën 25 Tetor – 14 Dhjetor 2018. Gjatë dy ditëve të hapura, Instituti Shqiptar i Shkencës u ftua nga KLSH për të prezantuar instrumentet e zhvilluara për këtë institucion, në kuadër të zbatimit të Projektit të USAID, ‘Transparenca në Sistemin Shëndetësor’.
Më 15 dhe 21 Nëntor, Instituti Shqiptar i Shkencave prezantoi në ambjentet e KLSH-së katër instrumentet e zhvilluar, përkatësisht Red Flags dhe Open Data në ditën e parë dhe Data Mining e Mekanizmin e Ankesave ditën e dytë. Të katër këto instrumente janë zhvilluar me qëllim rritjen e transparencës së KLSH-së dhe lehtësimin e procedurave për evidentimin e problematikave dhe publikimin e rezultateve nga raportet e auditimit.
Këto aplikacione synojnë të fuqizojnë institucionin e pavarur e rrisin transparencën e tij, duke i dhënë atij mundësi monitorimi të procedurave të prokurimit të realizuara nga institucionet publike; sinjalizimi në kohë reale të tenderave apo kontratave me probabilitet për keqpërdorim, pabarazi në garë, favorizim, klientelizëm apo korrupsion; komunikimi më të lehtë e eficient me qytetarët; publikimi të raporteve në formatin e të dhënave të hapura (më lehtë për t’u lexuar, shkarkuar e ri-përdorur); krijimi të një baze të dhënash me artikuj të përgatitur nga punonjës të KLSH-së e artikuj me tematika që janë në fokus të KLSH.
Pyetjes së publikut mbi vazhdimësinë e këtyre instrumenteve, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Znj Islami ju përgjigj se të gjitha indiciet që do të merren nëpërmjet këtyre instrumenteve, do të përfshihen në planin e auditimeve të KLSH-së si dhe përdorimi i mekanizmave është bërë pjesë e rregullores së brendshme të KLSH, duke filluar që nga mekanizmi Red Flags.