Forum: Të rinjtë dhe emigracioni – Korrupsioni si shtysë për t’u larguar drejt një vendi më të mirë
Të premten, më 1 korrik, AIS Open Data Albania mbajti forumin me teme “Të rinjtë dhe emigracioni: Korrupsioni si shtysë për t’u larguar drejt një vendi më të mirë”. Aktiviteti u zhvillua si pjesë e projektit Open Data, Access and Transparency over Sectors Exposed to Risk of Corruption, në kuadër të të cilit AIS po përgatit Open Data Fellowship Network, një grup të rinjsh që do të aftësohen të analizojnë të dhënat dhe t’i përdorin ato në debate me interes publik.
Përgjatë 3 orëve që zgjati forumi, u fol mbi ikjen e popullsisë, si një nga problemet më të mëdha që po përballet vendi, me efekte shqetësuese që pritet të shtrihen në vitet e dekadat në vijim. Të udhëhequr nga analistë të fushës, të rinjtë debatuan mbi shkaqet që kanë ndikuar këtë fenomen, si mund të analizojmë përmasat e tij nëpërmjet të dhënave, si lidhet ai me çështje të tjera të spikatura, si korrupsioni dhe papunësia.
Spiker në event, sollën perspektiva të ndryshme të emigrimit të popullsisë në vend:
Sociologia Donalda Tanellari e trajtoi fenomenin nga pikëpamja e zhvillimeve shoqërore, Blerina Shehu gazetare me fokus ekonominë, foli për emigracionin dhe zhvillimet demografike, ndërkohë që analisti i të dhënave Gjergj Erebara solli një histori të censuseve në vend, duke u ndalur tek të dhënat që mund të përftohen përmes tyre, si dhe si përdoren censuset për të informuar politika të ndryshme qeveritare.
Për informacion më të detajuar mbi qasjet e shtruara gjatë forumit, ju lutem konsultoni agjendën bashkëlidhur