Buxheti 2021 Kosto Publike të Parashikuara për koncesione Partneriteti Publik Privat (PPP)
Open Data Albania po hulumton mbi Kostot e Parashikuara për tu paguar për Partneritetet Publik Privat PPP apo Koncesione, që mbulohen nga Buxheti i Shtetit 2021. Artikulli bën një analizë sipas kontratave koncesionare PPP që janë aktive në vitin 2021 dhe kostot e parashikuara për secilën nga këto kontrata përgjatë periudhës 2018-2023.
Në vitin 2021, sipas Relacionit Shoqërues të Ligjit Nr. 137, datë 16.12.2020 ‘Për Buxhetin 2021’, do të mbështeten me fonde publike trembëdhjetë kontrata koncesione PPP. Në vend janë regjistruar mbi 274 shoqëri koncesionare. Për secilën prej tyre Regjistri Koncesionar i krijuar nga organizata AIS shfaq informacion dhe të dhëna për objektin, menaxhimin dhe performancën. Nga këto kontrata koncesionare PPP, disa buxhetohen dhe paguhen drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit. Totali i parashikuar në vlerë për mbështetje të Koncesioneve nga Fondet Publike për vitin 2021 është planifikuar në vlerën 14 432 692 000 (katërmbëdhjetë miliard e katërqind e tridhjetë e dy milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) Lekë. Nëse e konvertojmë me Euro rezulton rreth 116 769 352 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e treqind e pesëdhjetë e dy) Euro, kjo sipas kursit të këmbimit zyrtar nga Banka e Shqipërisë, mesatarja për vitin 2020.
Të dhënat: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020), Ligji për Buxhetin e Shtetit 2021, Relacioni për Buxhetin e Shtetit 2021, shkarkuar me datë 21.12.2020 , Lista e Investimeve Publike 2021-2023, shkarkuar me date 28.12.2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Kostoja e planifikuar për vitin 2021 që të mbulohet me fonde publike për këto koncesione është sa pesëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e katër (15.74%) për qind e Totalit të Investimeve të Parashikuara në Buxhetin 2021.
Ndërsa në lidhje me Deficitin Buxhetor vlera qëndron në masën trembëdhjetë pikë njëzet e tetë (13.28) për qind e vlerës së parashikuar të deficitit për vitin 2021 .
Gjithashtu kosto e Planifikuar për mbulim të PPP koncesione me fonde publike shprehur në terma të Produktit të Brendshëm Bruto, rezulton zero pikë zero nëntë (0.09) për qind e Produktit të Brendshëm Bruto.
Kusht ligjor për përllogaritjen e Kostove për PPP me mbulim Fonde Publike dhe Buxhetore është që shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Për vitin 2021 kosto e planifikuar për pagesat për kontratat koncesionare PPP përllogaritet në masën tre pikë njëzet e gjashtë (3.26) për qind e të ardhurave tatimore.
Të dhënat: MFE (2020), relacioni për Buxhetin e Shtetit 2021, shkarkuar me datë 21.12.2020
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Me koston më të lartë mes trembëdhjetë kontratave të parashikuara për mbështetje me fonde publike për vitit 2021, qëndron ajo me titull Ndërtimi dhe operimi i Rrugës së Arbrit. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 4 105 100 000 (katër miliardë e njëqind e pesë milion e njëqind mijë) Lekë, ose 28% të kostos së planifikuar për PPP totale për vitin 2021. Kjo është kontrata me vlerën më të lartë dhe është kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këtë kontratë e zbaton shoqëria konsecionare Gjoka 87. Kontrata është lidhur në vitin 2018 me shoqërinë Gjoka Konstruksion. Gjatë periudhës 2019-2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore nga fonde publike për këtë Kontratë vlerësohen 16 529 100 000 (gjashtëmbëdhjetë miliardë e pesëqind e njëzet e nëntë milionë e njëqind mijë).
Kontrata e dytë me peshën më të lartë në koston e parashikuar totale është ajo me titull Koncesion/PPP (Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale). Vlera e parashikuar në vitin 2021 për këtë kontratë që mbulohet me fonde publike është 1 704 982 000 (një miliardë e shtatëqind e katër milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy mijë) lekë, ose 12% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale. Kjo kontratë menaxhohet nga shoqëria koncesionare SaniService dhe është lidhur në vitin 2015 me këtë shoqëri. Gjatë periudhës 2018-2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike parashikohen 10 027 713 000 (dhjetë miliardë e njëzet e shtatë milionë e shtatëqind e trembëdhjetë mijë) lekë.
Kontrata e tretë me peshën më të lartë në koston e parashikuar totale është ajo me titull Shërbimi i Skanimit në Dogana. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 1 580 698 000 (një miliard e pesëqind e tetëdhjetë milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë) Lekë, ose 11% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon shoqëria 2S Albania, Kontrata është lidhur në vitit 2013 me shoqërinë Rapiskan dhe është ndryshuar me Ligj në vitin 2015. Për periudhën 2018 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 9 667 011 000 (nëntë miliardë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e njëmbëdhjetë mijë) lekë.
Kontrata e katërt me peshën më të lartë në koston e parashikuar totale është ajo me titull Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 1 386 921 000 (një miliard e treqind e tetëdhjetë e gjashtë milion e nëntëqind e njëzet e një mijë) Lekë, ose 10% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë/Bashkia Tiranë. Këtë kontratë koncesionare e zbaton shoqëria Integrated Energy BV SPV e zotëruar nga GeoGenix. Kontrata është lidhur në vitit 2017. Për periudhën 2018 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike për këtë projekt kocesionar vlerësohen 7 474 381 000 (shtatë miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e katër milionë e treqind e tetëdhjetë e një mijë) lekë.
Në renditje pason Projekti PPP për Ofrimin i Shërbimeve Laboratorike Spitalore. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 1 280 444 000 (një miliard e dyqind e tetëdhjetë milion e katërqind e dyzet e katër mijë) Lekë, ose 9% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale. Këtë kontratë koncesionare e zbatohet nga shoqëria LABORATORY NETWORKS. Kontrata është lidhur në vitin 2019 me konsorciumin me bashkim operatorësh Labopharma Sh.p.k & Exalab Francë & AB Laboratory Solutions B.V. Për periudhën 2021 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore për këtë kontratë dhe që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 6 923 565 000 (gjashtë miliardë e nëntëqind e njëzet e tre milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë.
Koncesion/PPP Kontrolli bazë i popullsisë 35-70 vjeç (check up) është parashikuar të paguhet gjatë 2021 për këtë kontratë vlera 876 090 000 (tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milion e nëntëdhjetë mijë) Lekë, ose 6% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon shoqëria 3P Life Logistic . Kontrata është lidhur në vitin 2015. Për periudhën 2018 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 5 256 523 000 (pesë miliardë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e njëzet e tre mijë) lekë.
Një kontratë tjetër koncesioni që është aktive dhe mbulohet me fonde publike është ajo me titull Ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës Milot-Morinë. Vlera e parashikuar për këtë kontratë për vitin 2021 është 800 259 000 (tetëqind milionë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë mijë) Lekë, ose 5.5% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon shoqëria koncesionare “ALBANIAN HIGHWAY CONCESSION”. Kontrata është lidhur në vitin 2016 me fitues konsorciumin ‘Catalyst Viva Das General Contracting LLC, Salillari, sh.p.k, Bee Tech-Violiap Ateve dhe Kastrati, sh.a’’. Për periudhën 2019 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 3 704 262 000 (tre miliardë e shtatëqind e katër milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë) lekë.
Kontrata tjetër aktive në vitin 2021 që mbulohet me fonde publike është ajo me titull Koncesion/PPP (Ofrimi i Shërbimit të Dializës në 5 spitale rajonale). Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 779 000 000 (shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë) Lekë, ose rreth 5.4% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon shoqëria koncesionare DiaVita. Kontrata është lidhur në vitin 2016. Për periudhën 2018 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 4 475 539 000 (katër miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë) Lekë.
Një kontratë tjetër koncesionare është ajo me titull Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 752 770 000 (shtatëqind e pesëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë mijë) Lekë, ose rreth 5.2% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon shoqëria Integrated TechnologyWaste Treatment Fier. Kontrata është lidhur në vitin 2016. Për periudhën 2018 – 2022 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 3 763 852 000 (tre miliardë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë e dy mijë) lekë.
Projekt koncesionar aktiv në vitin 2021 është ajo me titull Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës. Vlera e parashikuar për këtë projekt është 658 325 000 gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë milionë e treqind e njëzet e pesë mijë) Lekë, ose rreth 5% të kostos së planifikuar totale për vitin 2021. Aktualisht kemi dy kontrata për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore përmes PPP Koncesione (njohur si shkollat koncesionare). Kontrata Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës në Zonën zbatohet nga Shoqëria Koncesionare Z.M.A. Kontrata është lidhur në vitin 2018 pasi bashkimi i operatorëve ekonomikë: AGI KONS shpk, MET ENGENEERING shpk dhe ZENTI&CO shpk fituan garën. Po për këtë projekt zbatohet Kontrata Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës në Zonën 4 . Zbatuese është Shoqëria Koncesionare Tirana 4. Kontrata është lidhur në vitin 2020 me koncesionarin e përbërë nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Alba Konstruksion shpk, FUSHA, ED KONSTRUKSION, ERZENI/SH, SON Engineering & Construction dhe A & E ENGINEERING sh.p.k.Për periudhën 2020-2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike për këtë projekt vlerësohen 4 649 443 000 (katër miliardë e gjashtëqind e dyzet e nëntë milionë e katërqind e katërdhjetë e tre mijë) lekë. Ky projekt mbështetet përmes taksës së përkohshme për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, taksë që paguhet vetëm në bashkinë Tiranë.
Ndërtimi dhe operimi i rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat ( Ura e Shen Elizes). Vlera e parashikuar për këtë kontratë në 2021 është 393 979 000 (treqind e nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë) Lekë, ose rreth 3% të kostos së planifikuar totale për PPP për vitin 2021. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këtë kontratë koncesionare e menaxhon Shoqëria Koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”. Kontrata është lidhur në vitin 2019 me “GJIKURIA” sh.p.k. Për periudhën 2020 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 2 903 318 000 (dy miliardë e nëntëqind e tre milionë e treqind e tetëmbëdhjetë mijë) lekë.
Ndërtimi dhe operimi i Rrugës Milot-Balldren është një tjetër kontratë koncesionare aktive që përbën kosto për Buxhetin. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) Lekë. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këtë kontratë koncesionare e zbaton Shoqëria BARDH KONSTRUKSION. Kontrata është lidhur në vitin 2019 me shoqërinë ANK sh.p.k si Koncesionari dhe Shoqëria “BARDH KONSTRUKSION” si Shoqëria Koncesionare. Për periudhën 2020 – 2023 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike vlerësohen 1 464 945 000 (një miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e nëntëqind e dyzet e pesë mijë) Lekë.
Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit është kontrata tjetër koncesionare që do të jetë aktive në vitin 2021 dhe mbështetet me fonde publike. Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 49 124 000 (dyzet e nëntë milionë e njëqind e njëzet e katër mijë) Lekë. Kjo kontratë është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këtë kontratë koncesionare e zbaton Shoqëria ALBTEK ENERGY. Kontrata është lidhur në vitin 2014 nga ish autoriteti kontraktor Ministria e Mjedisit me shoqërinë Albtek Energy dhe është ndryshuar në vitin 2015. Për periudhën 2018 – 2021 pagesat e parashikuara si mbështetje buxhetore që mbulohen nga fonde publike për këtë projekt vlerësohen 2 033 626 000 (dy miliardë e tridhjetë e tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë) lekë.
Në Portalin OpenCorporates.Al janë krijuar pasaporta për çdo shoqëri koncensionare PPP dhe zotëruesit e tyre. Përmes menu Shoqëri Koncesionare mund të listohen dhe klikohen 274 shoqëri të tilla (të regjistruara deri shkurt Janar 2020).