Dhënie mendimi gjatë Konsultimit Publik të Draft Strategjisë Ndër Sektoriale Kundër Korrupsionit 2024 – 2030

Në përgjigje të Ftesës së Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, për pjesëmarrje në Konsultim Publik të Draft – Strategjisë Kombëtare Antikorrupson, lancuar në Korrik 2024, organziata AIS mori pjesë në Takimin me Shoqërinë Civile dhe adresoi gjithashtu me shkrim sugjerime dhe dhënie mendimi. Duke vlerësuar dokumentin e realizuar dhe mundësinë për pjesëmarrje në konsultim publik AIS sugjeron një Objektiv Shtesë për Strategjinë.

No photo description available.

Më poshtë shkresa drejtuar Institucionit.

Dhënie mendimi gjatë Konsultimit Publik

Drejtuar:             Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorruspion

Lënda:                 Dhënie mendimi gjatë Konsultimit Publik të Draft Strategjisë Ndër Sektoriale Kundër Korrupsionit 2024 – 2023

Nga:                    Organziata Instituti Shqiptar i Shkencave AIS, promotor i OpenDataAlbania

Data:                   30 Gusht 2024

 

E nderuar zonja Ministre,

Të nderuar zyrtarë të Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorruspion.

Përmes kësaj shkrese më lejoni t’ju përcjell konsideratë për punën e realizuar nga Institucioni juaj për hartimin e Draft Strategjisë Ndër sektoriale kundër Korrupsionit. Gjithashtu dëshiroj t’ju falënderoj për gjithë procesin për konsultim dhe marrje mendimi të realizuar me aktorë të shoqërisë civile dhe biznesit. Duke e vlerësuar dokumentin, qëllimet, objektivat dhe masat prioritare të parashikuara, Organizata Instituti Shqiptar i Shkencave (akronim AIS), e njohur si Promotor i OpenData për Shqipërinë dëshiron të parashtrojë edhe dy propozime për përfshirje në Strategji si vijon:

  1. Të Shtohet tek Objektiv Specifik  1.3 edhe Parandalimi i Korrupsionit, Depolitizimi dhe Përmirësimi i Integritetit i Ndërmarrjeve me Zotërim Publik

Sugjerohet që Pjesë e Strategjisë përveç Sektorëve të cituara në draft, të konsiderohet edhe sektori i Shoqërive dhe Ndërmarrjeve me Zotërim Publik SOC (state-owned enterprise/corporates). Ky sektor ka rëndësi të veçantë pasi menaxhon asete shtetërore dhe burime njerëzore. Po njësoj disa nga Kompanitë e këtij sektori ofrojnë shërbime ekskluzive për qytetarët (ujë , energji) apo veprojnë në sektor me rëndësi sa i përket sigurisë kombëtare (furnizimi me ujë, portet etj). Organziata jonë  sikurse edhe aktorë të tjerë, prej vitesh e ka konsideruar këtë sektor me rrisk sa i përket menaxhimit, kontrollit financiar dhe përdorimit të aseteve dhe burimeve publike. Po njësoj keqpërdorimi i aseteve dhe burimeve publike në fushata zgjedhore është evidentuar sistematikisht në sektorin e SOC.

Sa më lart do dëshironim që një nga Objektivat Specifik të Strategjisë ti përkushtohej edhe rishikimit të Legjislacionit dhe Statuteve (përmes zotëruesve Ministri apo Njësi të Qeverisjes Vendore), duke garantuar Rregullim Ligjor, Nënligjor dhe Statutore të Shoqërive SOC-eve. Rregullimet në kuadrin ligjor dhe nënligjor duhet të jenë të tilla që garanton menaxhim me meritokraci (kritere dhe konkurrim), rregulla të qarta për depolitizim të drejtuesve dhe menaxherëve të lartë, parashikime të qarta statutore për auditimet e brendshme, auditim të jashtëm dhe kontrollin financiar.

Sektori SOC është i rëndësishëm sa i përket edhe plotësimit të kritereve dhe kushteve të vendit si vend Kandidat për anëtarësim në EU, konkretisht kritereve për Kontrollin Financiar  (kapitull 32).

  1. Përfshirja e Shoqërinë Civile, Organziata. Objektiv 3.3.2

Duke e konsideruar këtë aspekt si mjaft të rëndësishëm sa i përket Politikave Antikorrupsion do të sugjeroja targetim të më shumë rezultateve duke mos u mjaftuar vetëm me fushata ndërgjegjësuese. Parimisht do të sugjeroja aplikimin e marrëveshje bashkëpunimi të Ministrisë me Organizata të Shoqërisë Civile që punojnë në mbikëqyrje, denoncim dhe forcim të Eficencës së ligjit në sektorët e përzgjedhur si sektor me rrisk. Këto marrëveshje do të garantonin edhe shkëmbim të evidencave, raporteve , produkteve të këtyre aktorëve civil (shoqata jo qeveritare, shoqata biznesi apo grupe interesi). Po njësoj evente të përbashkëta pёr ndërgjegjësim, edukim, rritje kapacitetesh për mirëqeverisje. Marrëveshjet e Institucioneve me OJQ apo Paktet e Integritetit (kryesisht sektori prokurim publik) janë mekanizma që janë aplikuar me sukses në përmirësimin e situatave Antikorruspion në disa vende EU apo kandidate. Këto lloj marrëveshjesh do të lehtësonin punën e aktorëve watchdog dhe do të garantonin adresim më të saktë të gjetjeve mbi vlerësimin e riskut që bën shoqëria civile.

Po njësoj do të sugjeroja që ky Objektiv përveç Fushatave Ndërgjegjësuese të konsideronte si rezultat edhe bashkëpunime të institucioneve me aktorët civil në dedektim dhe parandalim të rasteve korruptive.

Duke ju përgëzuar edhe një herë për dokumentin Draft Strategji, ne shpresojmë që propozimet më lart të konsiderohen për përfshirje sikurse ju urojmë suksese në finalizim dhe zbatim të kësaj Strategjie.

Me respekt

Aranita BRAHAJ – Drejtore Ekzekutive AIS