Raport i Ndërmjetëm ZA’LART 2015

Deri në datën 12 qershor, në portalin ZA’LART kanë mbërritur 200 raportime qytetare. Ato përmbajnë informacion dhe denoncime për abuzime në kuadër të fushatës zgjedhore. Raportimet janë të ndara në 12 kategori shkeljesh ku numri kryesor i raportimeve ka të bëjë me raste të keqpërdorimit të administratës dhe sektorit publik. Për këto lloj shkeljesh ka një sensibilitet të lartë që përkon me 44% të rasteve të raportuara apo thënë ndryshe me 98 raportime. Tentativa për blerje të votës kundrejt parave dhe shërbimeve, apo  kundrejt interesave të drejtpërdrejta është raportuar në 21 raste. Në raportime qytetarë zënë vend edhe njoftimet për tensione dhe parregullsi sikurse ndërhyrja apo prezencë e forcave të policisë së shtetit.

Raportimet Qytetare në ZA’LART ju mund ti gjeni duke klikuar tek Raportime.

Persa i  përket përdorimit të sektorit publik konstatohen raste të urdhëruara të prezencës së punonjësve të administratës në mitingje elektorale, kërkesa për ta deklaruar dhe premtuar votën kundrejt mundësisë për të mbajtur vendin e punës. Raste tipike janë largimet e bluzave të bardha nga spitalet dhe qendrat shëndetësore për pjesëmarrje në takime elektorale gjatë orarit zyrtar të punës, duke lënë pa kujdes pacientët. Këto raportohen në Librazhd, Fushë Arrëz, Mirditë dhe Berat.

Gjithashtu konstatohen raste më të përshkallëzuara të përdorimit të sektorit publik në bashki ku rikandidojnë kryetarët aktual. Tentativa për të patur votën e 18 vjetarëve duke rekrutuar ata në shkolla publike është një detaj që është raportuar në Vorë, Rrëshen, Kukës, Kamëz dhe Lezhë.

Probleme janë vënë re edhe me objektet që do të përdoren si qëndra për KZAZ ku raportohen se shumë prej tyre janë në godina publike të papërshtatshme si: godina të bashkive, objekte të institucioneve që refuzojnë të vënë sallat në dispozicion të KZAZ-ve apo raste të godinave të shkollave të mesme të cilat në datën 19 qershor vetëm 48 orë para votimeve do të jenë në dispozicion të maturës shtetërore.

Deri më tani janë 21 raste raportimi për Blerje Vote. Ato nuk përbëjnë raste tipike të vërtetuara, të blerjes së votës kundrejt shumave konkrete, por nisur edhe nga eksperienca me ZA’LART 2013, ngjarje të tilla shënohen me intensitet në javën e fundit të fushatës.

Të dhëna të portalit dhe rrjeteve sociale ku mund të gjeni Za’Lart janë:

WEB: http://zalart.al

FB: ZA’LART – Raised Voice Albania (community)

Twitter – ZA’LART @ZaLartAlbanian

YouTube – ZA’LART 2015

Untitled