Parlamenti po voton Kontrata Koncesionare PPP në Gjendje Fatkeqësi Natyrore

Deputetët e Kuvendit do të votojnë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19, konkretisht në seancën  parlamentare të  datës 30 Prill një Ligj për Miratim të Ndryshimit, Shtesës Koncesionare të Portit Porto Romano Durrës.

Kjo vendimmarrje Politike e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit, në opinionin tonë bëhet në kundërshtim të Ligjit për Koncesionet dhe Partneritetet Publike dhe Private Nr 125/2013 konkretisht neni 33 Rregullat për Dhënien e Punëve dhe Shërbimeve shtesë për Konsulencat Partneritetet PP, ku shtesa të objektit koncesionar duhet të bëhen vetëm në disa kushte specifike që lidhen me nevojën për kryerjen e punës apo shërbimit të parashikuar  në kontratën ekzistuese. Në asnjë rast nuk lejohet negocim dhe vendimmarrje politike për shtesa dhe zgjerime të objektit koncesionar jashtë procedurës së prokurimit duke shtuar të drejtat  dhe përfitimet e koncesionarit.

Në qershor 2015 Qeveria Shqiptare dha në koncesion të formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit) të Porto Romano në Durrës për të bërë përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësisë mbi 20 mijë ton, ku koncesionari mund të përpunojë anije që transportojnë hidrokarbure me zhytje mbi tetë metra. Shoqëria Koncesionare Porti MBM http://www.opencorporates.al/sq/nuis/L51621501S atëherë zotërohej nga Adriatic Petrolium Platform ltd me 97% të kapitalit dhe Salillari shpk ; ATEC srl dhe Mampaey Offshore Industies BV me nga 1% secila.

Në shkurt 2019 ndryshoi përmes dhurimeve dhe blerjeve të kuotave struktura e zotëruesve ku në përfundim Salillari zotëron 3% të totalit të kapitalit ndërsa Adriatic Bay Investment Group shpk zotëron 97% të kapitalit. Kjo e fundit është një shoqëri paketën kontrolluese të të cilës e zotëron shoqëria Kastrati Grup http://www.opencorporates.al/sq/nipt/k21711502v  shoqëri tregtare me objekt edhe import eksport për hidrokarbure.

Në datën 24 shkurt 2020 Koncesionari i bën kërkesë Qeverisë të ndryshojë objektin duke e zgjeruar nga Përpunim i mjeteve lundruese që transportojnë hidro karbure në përpunim i mjeteve të transportit të mallrave të tjera. Kjo shtesë e Objektit Koncesionar është pranuar nga Qeveria Brenda pak ditësh dhe në datën 31 mars është lidhur kontrata shtesë e koncesionit, në emër të qeverise shqiptare përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo shtesë kontrate ka kaluar edhe në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend dhe pritet të votohet në sesionin parlamentat të të enjtes datë 30 maj. Një ndryshim i tillë në Objektin Koncesionar sjell efekte sa i takon transportit detar të mallrave në vend dhe rajon.

Dokumente të Këtij Koncensioni përfshi Projekt Ligjin, dhe Shtesën e Kontratës mund ti gjeni në pasaportën e këtij koncesioni tek Regjistri i Koncensioneve databaza Open Corporates Albania http://www.opencorporates.al/sq/nuis/L51621501S

Ndryshimi dhe shtimi i objektit koncesionar nuk është bërë me procedurë konkurruese por thjesht me vullnet politik. Po njësoj ndryshimi i objektit koncesionar nuk është shoqëruar me studime tregu, ndryshime tarifash koncesionare, ndryshime të vlerës së investimit, studime teknike apo konsultime dhe vlerësime te efekteve.

Mos respektimi kërkesave ligjore për Miratimin e kontratave koncesionare dhe për më keq me vendimmarrje politike dhe në kohë të një situate të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një papërgjegjshmëri politike e mazhorancës aktuale.

Kontratat Koncesionare dhe Partneritetet Publike e Private pritet të afektojnë fort ekonominë e vendit dhe financat publike në vitet që vijnë. Vendimmarrjet pa rregullim ligjor, arbitrare në emër të vendimmarrjes politike pa rregull prokurimi janë momente me risk të lartë për këtë sektor ekonomik.

Po këto dit Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur tenderin për Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës me vlerë fond limit prej 669 384 858 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milion e treqind e tetëdhjetë e katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë) Lekë ekuivalent me 5.44 Milion Euro duke i dhënë prioritet këtij porti përmes fondit investime të buxhetit të shtetit për vitin 2020. http://openprocurement.al/en/arsh/view/id/116

Organizata AIS promotore e Open Data për Shqipërinë monitoron kontrata dhe tenderime publike. Puna jonë konsiston në mirë-strukturim të informacionit dhe dokumenteve të procesit të kontraktimit, si dhe krijimit të algoritmeve për vlerësim të riskut gjatë procedurës kontraktore.

Të tjera shënime dhe qëndrime mbi problematika të Kontraktimit Publik gjatë gjendjes së jashtëzakonshme janë publikuar në faqen e AIS: http://ais.al/new/en/