Prokurime Transparente: 7 Bashki tendera për Përmirësim Komuniteti Rom Kushte Banimi
Organizata AIS, përmes projektit të saj Open Local Government Procurement OpenLGP bën të mundur monitorimin e të gjitha prokurimeve publike, të njësive të qeverisjes vendore në vend 61 Bashki. Projekti ka në fokus çdo tender dhe kontratë publike (me çdo lloj vlerë) të realizuar nga muaji korrik 2015 e në vijim. Transparenca me Kontratat Publike është e rëndësishme jo vetëm si pjesë e transparencës mbi shpenzime të fondeve publike, por edhe për faktin se nga shpërndarja dhe ekzekutimi i kontratave të tilla varet cilësia e jetës dhe e shërbimeve ndaj komuniteteve të ndryshme.
Përmes këtij emali po ju prezantojmë disa prokurime apo kontrata publike, të realizuara me Objekt Ndërtim ose Rikonstruksion banesash për komunitetin Rom dhe Egjiptian. Këto kontrata janë publikuar tek OpenLGP dhe përkojnë më shtatë kontrata në dobi të komunitetit Rom në shtatë bashki si vijon:
- Bashkia Sarandë, në datën 24. 08. 2015 ka shpallur tenderin e hapur me Objekti Rikonstruksionin i 6 banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian. Vlera Fond Limit pa TVSH, për Rikonstruksionin e 6 banesave është 2 750 000 lekë. Në garë morën pjesë 8 operator ekonomik. Kontrata Publike është fituar dhe nënshkruar në datën 6. 10. 2015 nga Firma Shendelli SHPK. Kohëzgjatja e kontratës 20 ditë.
- Bashkia Mirditë, në datën 31. 08. 2015 ka shpallur procedurën e hapur për konkurrim në tenderin me Objekt: Rikonstruksion i 15 (pesëmbëdhjetë) shtëpive të komunitetit Rom dhe Egjiptian, Bashkia Mirditë Rrëshen. Fondi Limit për këtë tender pa TVSH është 4 416 670 lekë. Tenderi është anuluar në fazën e parë pasi asnjë konkurrent nuk ka plotësuar kushtet e pjesëmarrjes në garë. Është rishpallur më tej dhe me pjesëmarrje të 5 operatorëve konkurrent është shpallur fitues me lidhje kontrate (datë 11.11. 2015), subjekti AEK MUNELLA SHPK. Kohëzgjatja e punimeve 1 muaj nga data e lidhjes së kontratës.
- Bashkia Lezhë në datën 28.12. 2015 ka shpallur se me negocim është lidhur kontrata me vlerë me TVSH 3 815 200 lekë për Ndërtim Banesa sociale për 8 (tetë) familje rome. Operatori Privat i zgjedhur për ndërtim është Junik SHPK.
- Bashkia Divjakë në datën 4 . 03. 2016 ka shpallur procedurën për tender përmes Kërkesës për Propozim me Objekt: Rikonstruksion i Banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Njësinë Administrative Grabian (18 Familje) , Bashkia Divjakë. Fondi Limit pa TVSH është shpallur 8 514 590 lekë. Tenderi është anuluar me arsyetimin e Gabime në Përllogaritje të Preventivit. Dhe është rishpallur pa pasur ende njoftim për fitues dhe lidhje kontrate.
- Bashkia Rrogozhinë ka shpallur në datën 10. 03. 2015 një procedurë tenderi të hapur me objekt: Ndërtim Banese Sociale, 2(dy) Katëshe, për Komunitetin Rom dhe Egjiptian, në Bashkinë Rrogozhinë. Tenderi do të mbahet në datën 30 Mars, dhe në dokumentacionin e tenderit specifikohet se realizohet me fonde të Bankës Botërore. Ecurinë e Tenderit dhe fituesin e Kontratës Publike do ta gjeni në javët në vijim të përditësuar po tek Prokurime Transparente.
- Bashkia Krujë ka shpallur në datën 16. 03. 2016, një njoftim për Tender të Hapur me fond limit pa TVSH në vlerën 18 122 330 lekë, dhe objekt: Ndërtim e Rikonstruksion i 35 Banesave të Komunitetit Rome, Fshati Arrameras Fushë-Krujë . Tenderi do të mbahet në datën 8. 04. 2016 dhe afati i përmbylljes së Kontratës është 4 muaj.
- Bashkia Elbasan përmes procedurës Kërkesë për Propozim në datën 16. 03. 2016 ka shpallur njoftimin për mbajtje tenderi me Objekt: Përmirësimi i Kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian, lagjja 5 Maji. Vlera Limit e tenderit është 5 522 100 lekë. Afati për paraqitje dokumentacioni është vetëm 14 ditë dhe shpallja e fituesit pritet të bëhet në datën 29. 03. 2015.
Aktualisht të tjera Bashki me prezencë të komuniteteve në nevojë nuk kanë anoncuar gjatë periudhës korrik 2015 – mars 2016 tender dhe kontrata publike me këtë objekt. OpenLGP Prokurime Transparente, ju fton të ndiqni në ditët në vijim të tjera informacione mbi ecurinë e prokurimeve dhe kontratave publike për përmirësimin e kushteve të komuniteteve në nevojë. Po kështu ftojmë gazetar investigativ apo organizata lokale me mision monitorim të punës së njësive të qeverisjes vendore, të vëzhgojnë në terren eficensën e zbatimit të këtyre kontratave.
Open Local Government Procurement OpenLGP, është një projekt që zbatohet nga AIS, organizatë promotore e Open Data Albania.