“Kalatë e bregut tim” është një aksion i një grupi vullnetarësh të projektit “Act Now as a Smart Tourist” http://smarttourist.al . Aksioni synon pastrim nga mbeturinat dhe promovim të monumenteve fortifikime në Brigjet e Shqiperise. Këtë rradhë Aksioni ishte në Kalanë e Bashtovës dhe u realizua në datën 1 Maj 2014. Ky projekt mbeshtetet finaciarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë.
Kalaja Bashtovës është monument i kategorisë së parë dhe ngrihet pranë fshatit të Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota.
Pavarësisht se shumë pranë Tiranës, shumë pak prej nesh janë në dijeni apo e kanë vizituar këtë monument.
Veç kontributit me pastrim në fillim të sezonit turistik veror, aktiviteti ynë synon edhe sensibilizim për menaxhim më të mirë të monumenteve dhe mjedisit të tyre, krijimin e më shumë mundësive për të shfrytëzuar potencialin kulturor e turistik që ato mbartin. Gjithashtu edhe promovimi dhe ftesa publike për të nxitur të tjerë të vinë dhe të vizitojnë zonën jo vetëm për natyrën e bregut piktoresk por edhe për vlerat kombëtare e monumentale.