
TRANSPARENCY, ACCOUNTABILITY AND CIVIC ENGAGEMENT
AIS Newsletter Qershor 2025


Nismë për Transparencë dhe Llogaridhënie në Legjislacion: ACER dhe AIS Trajnojnë OJF-të për Vlerësim Antikorrupsion të Projektligjeve në Parlament
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike ACER, në bashkëpunim me AIS / Open Data Albania dhe me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy WFD në Shqipëri, po zbatojnë një nismë që synon forcimin e angazhimit të shoqërisë civile për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procesit legjislativ në Parlament. Më datë 30 qershor, dy organizatat udhëhoqën një trajnim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që veprojnë në fushat e shtetit të së drejtës, integrimit europian, mirëqeverisjes, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrjes qytetare. Njëmbëdhjetë ekspertë nga tetë organizata u trajnuan mbi procesin legjislativ, indekset për matjen e korrupsionit dhe vlerësimin parandalues të akteve ligjore të Kuvendit. Nisma do të vijojë me rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile përmes: trajnimit mbi metodologjinë Corruption Proofing of Legislation (CPL); mbështetjes teknike dhe mentorimit për hartimin e tre opinioneve ligjore; analizës së projektligjeve të reja që do të shqyrtohen dhe miratohen gjatë legjislaturës që nis në shtator 2025. Këto opinione do të prezantohen përpara deputetëve, komisioneve parlamentare dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit. Westminster Foundation for Democracy Albania ka mbështetur zbatimin e kësaj metodologjie në Shqipëri, duke përfshirë edhe vlerësimin e projektligjeve për Lojërat e Fatit dhe Policinë e Shtetit. Metodologjia e ofruar përmes asistencës së WFD është tashmë e përfshirë në procedurat formale të shqyrtimit të projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.
Parlamenti Shqiptar pas Zgjedhjeve të Majit 2025 – AIS Publikon Deklarime mbi Integritetin për 140 Deputetët e Zgjedhur
Më 11 maj 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku u përzgjodhën 140 anëtarë të Parlamentit. Më shumë se gjysma e tyre do të shërbejnë për herë të parë në Kuvend. Portali Spending Data Albania, përmes databazës së tij “Para dhe Pushtet”, u jep mundësi qytetarëve të njohin më mirë figurën dhe profilin e secilit deputet. Kjo databazë, e krijuar dhe zotëruar nga organizata joqeveritare AIS, bën të aksesueshme për publikun informacione të plota dhe dokumente zyrtare lidhur me integritetin, përvojën profesionale dhe interesat ekonomike të çdo deputeti të ri apo të rizgjedhur. Për secilin Deputet, në dispozicion të publikut janë dokumentet e mëposhtme: Curriculum Vitae (CV); Formulari i Dekriminalizimit; Deklarata e Pasurive dhe Interesave. Kjo iniciativë ka për qëllim të forcojë mbikëqyrjen publike, të sigurojë transparencën institucionale dhe të ndërtojë besim në përfaqësimin demokratik, duke ofruar qasje të lehtë në të dhëna të verifikuara për zyrtarët e zgjedhur. Publikimi i dokumenteve lidhur me integritetin dhe deklaratat e pasurive për secilin deputet është një standard kyç për një Parlament të Hapur.
Ka nisur zyrtarisht OpenDataFellowship 2025 nga AIS – Fuqizojmë të Rinjtë për Luftën Kundër Korrupsionit përmes Të Dhënave të Hapura
Organizata Albanian Institute of Science (AIS) me krenari njofton fillimin e programit OpenDataFellowship Youth Empowerment Against Corruption 2025, ku një grup i vogël dhe i përzgjedhur studentësh dhe aktivistësh nga katër universitete publike dhe jo-publike, po përfitojnë nga një trajnim ekskluziv dhe praktikë intensive në përdorimin e të dhënave të hapura për kërkime, analiza dhe advokim kundër korrupsionit. Ky program inovativ u ofron të rinjve të talentuar mundësinë unike për të zhvilluar aftësi të avancuara në përdorimin e databazave publike dhe metodave më të mira për identifikimin dhe parandalimin e korrupsionit në Shqipëri. Pjesëmarrësit – studentë në degët e Shkencave Ekonomike, Gazetarisë, Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, si dhe aktivistë nga organizata joqeveritare – po ndjekin një rrugëtim praktik që përfshin sesione informimi dhe pune praktike. Praktika do të kulmojë në tetor me pjesëmarrje në eventin DataThon Albania (Data+Marathon), ku do të mentorohet për projekte konkrete dhe inovative. Në fund të programit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata prestigjioze, do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me AIS për projekte pjesë të advokimit me të dhëna dhe do të kenë akses në burime dhe databaza ekskluzive. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të brezit të ri dhe krijimit të një shoqërie transparente dhe përgjegjëse.
Quick Links
Albanian Institute of Science
“Asim Vokshi”
Nr 13 /25, Kati 3
1001, Tirana