Hyrje e shkurtër
Interneti “u mundëson
njerëzve që të kenë akses në informacion dhe shërbime, për t’u lidhur dhe për të
komunikuar, si dhe për të ndarë ide dhe njohuri globalisht. Ai siguron mjetet
thelbësore për pjesëmarrje dhe shqyrtim në aktivitete politike dhe aktivitete të
tjera të interesit publik.”[1]
Sipas
Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut interneti është “një mjet informacioni
dhe komunikimi veçanërisht i ndryshëm nga shtypi i shkruar, në veçanti për
kapacitetin e tij të ruajë dhe transmetojë informacion. Rrjeti elektronik që i
shërben biliona përdoruesve të tij në mbarë botën nuk mund të jetë subjekt i të
njëjtave rregullime dhe kontrolli. Rreziku i dëmit që paraqitet nga përmbajtja
dhe komunikimi në internet për ushtrimin dhe gëzimin e të drejtave dhe lirive të
njeriut, ….është qartësisht më i lartë sesa ai që paraqitet nga shtypi.”[2]
Për më tepër, në çështjen
Ahmet Yildirim v Turqisë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut theksoi
se “interneti është bërë tashmë një nga mjetet më parësore për të ushtruar të
drejtën e lirisë së shprehjes dhe informacionit.”[3]
Po ashtu Gjykata njohu se “shpifja dhe lloje të tjetra të fjalës së
paligjshme, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën që nxit dhunë mund të shpërndahen
si kurrë më parë, në mbarë botën, vetëm në pak sekonda dhe në disa raste qëndrojnë
përherë të shfaqura në media.” [4]
Gjykata
Europiane për të Drejtat e Njeriut ka sanksionuar se kërkesa e parë dhe më e rëndësishme
e nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeirut është se ndërhyrja e
çdo autoriteti publik në lidhje me të drejtën e shprehjes duhet të jetë e
ligjshme. Në mënyrë që të jetë në përputhje me këtë kërkesë të rëndësishme, ndërhyrja
nuk kërkon thjesht një bazë në të drejtën e brendshme të vendit. Ligji vetë duhet t’i korrespondojë disa kërkesave
të rëndësishme të “cilësisë”. Në veçanti, një normë mund të konsiderohet si
ligj vetëm në rastet kur është hartuar me precizion që t’u mundësojë shtetasve
që të rregullojnë sjelljen e tyre. [5]
Masa e precizionit varet, në një masë të konsiderueshme, në përmbajtjen e
instrumentit në fjalë, fushës për të cilën ai është dizenjuar të mbulojë, si
dhe numrit dhe statusit të atyre që ai iu drejtohet.[6]
Ndërsa nocioni i parashikueshmërisë zbatohet jo vetëm gjatës fazës së
implementimit të sjelljes, por edhe në “formalitet, kushte, kufizimet apo
sanksionet” të cilat i bashkëlidhen një sjellje të tillë, nëse koonsiderohen
si shkelje e ligjit të brendshëm të vendit.[7]
Rekomandime
1. Përqasja
për të rregulluar cështjen e “shpifjes në internet”[8] në të njëjtën kohë
dhe me të njëjtin akt ligjor që rregullohen media audiovizive dhe komunikimet elektronike,
nuk është e rekomandueshme. Rregullimi i medias audiovizive/komunikimeve
elektronike dhe transferimi i rregullimit të çështjes së shpifjes edhe në fushën
e internetit në to është një qasje e gabuar legjislative.
2. Të drejta e njeriut nuk e përjashtojnë
ndalimin dhe ndëshkimin e shpifjes, edhe për sa i përket fushës së internetit.
Liria e shprehjes së individit zbatohet edhe në internet, sikundër është e
zbatueshme në çdo lloj mjeti tjetër të komunikimit. Kufizimet janë të lejueshme
vetëm nëse kalojnë testin e tre pjesëve (three – part test): legalitetin,
legjitimitetin dhe proporcionalitetin. Ndërhyrjet
në lirinë e shprehjes janë legjitime nëse: a) parashikohen me ligj, b) ndjekin
qëllim të ligjshëm; c) janë të nevojshme ne një shoqri demokratike.
3.
Bazuar në sa më sipër AIS është e
mendimit se autoritetet publike kanë të gjithë “hapësirën e vlerësimit”
për të rregulluar me ligj çështjen e shpifjes në internet. Gjithsesi, kjo çështje
duhet të rregullohet vetëm me një ligj të vecantë – ligj integral – që i dedikohet dhe mbulon vetëm
këtë çështje e pavendosur dhe shtuar/ndryshuar ligje të tjera, qofshin këto të
fundit në lidhje komunikimet elektronike. Modeli i Defamation Act 2013 në Mbretërinë
e Bashkuar mund të shërbejë si model i vlefshëm për përmbajtjen dhe teknikën
legjislative të rekomandueshme në këtë rast.
4. Ligji i ri integral nuk duhet të ketë si qëllim
në vetvete ndëshkimin, por përcaktimin e alternativave zhvilluese, përqasje të specifikuara
dhe efektive ligjore, të cilat janë të përshtatshme për karakteristikat unike të
internetit. Vetërregulli
duhet të jetë i parashikuar si një mjet efektiv për t’iu adresuar gjuhës së
urrejtjes, shpifjes, ekstremizmit, etj dhe si i tillë duhet të promovohet.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe përpjekjet edukuese për të
promovuar mundësinë e gjithësecilit për t’iu përfshirë në mënyrë autonome, vetënxitëse
dhe në mënyrë të përgjegjshme në internet duhet të jetë element përbërës i
ligjit të ri integral. Në këtë drejtim sipas së drejtës ndërkombëtare shteti ka
një sërë detyrimesh pozitive që duhet të përmbushë. Ky komponent njihet ndryshe
si “internet literacy”.
5. Gjuha e përdorur në tekstet e neneve duhet të
rishikohet. Afatet e parashikuara në projektligj janë të tilla dhe fillojnë
psh: Kërkesa për të drejtën e përgjigjes
duhet të paraqitet tek OSHPE-ja brenda 7 ditësh nga publikimi i fakteve dhe
informacioneve që pretendohen jo të sakta. Në rast se shkelet ky afat kërkesa
nuk paraqitet ose edhe kur paraqitet nuk merret ne shqyrtim.
Afati në këtë nen dhe në nene të tjera nuk duhet lidhet
me datën e publikimit të informacionit, por me datën e marrjes dijeni nga
ankimuesi dhe provës se kur ai ka marrë dijeni. Psh një person mund të vihet në
dijeni se ndaj tij është bërë shpifje nga një portal me një muaj vonesë (sepse
personi nuk sheh fare portale) dhe jo brenda disa ditësh nga publikimi, siç e
parashikon ligji.
6. Ligji i ri integral (sikundër edhe dy
projektligjet në konsultim) duhet të eleminojë sa më të tepër që të jetë e
mundur fjalë të përgjithshme. Psh cfare do të thotë informacione “jo të sakta për një person” ose “Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik
duhet të sigurojë që trajtimi i ngjarjeve përfshirë cështjet që janë tema të
debatit publik, të jetë i drejtë për të gjithë subjektet e interesuara në këto
cështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme.” Ky përcaktim
është i vështirë që të kuptohet dhe për më tepër edhe të zbatohet. Në rast se
një person hap blogun e vet dhe shpreh mendimet e tij psh për të kundërshtuar
hyrjen në Bashkimin Europian të Shqipërisë ateherë si duhet të rregullojë
sjelljen e vet ky bloger për të qënë i vërtetë dhe i paanshëm??!!. Blogu në
internet sipas parashikimeve të të dy projekligjeve përfshihet në fushën e
veprimit të tyre.
Shprehje të tjera të përgjithshme të përdorura në
projekligje, dhe që ndikojnë në standartin e precizionit të kërkuar nga ana e Gjykatës
Europiane për të Drejtat e Njeriut që kërkojnë rishikim janë “Ofruesi i shërbimit
të publikimit elektronik: nuk duhet të cënojë dinjitetin dhe të drejtat
themelore të njeriut”, ose “të respektojë rregullat e moralit publik”; ose “të
mos cënojë sigurinë e publikut“, etj. etj.
7. Ligji i ri integral dhe parashikimet e bëra në
dy projekligjet në konsultim nuk duhet të vendosë rregjistrimin e medias online,
në cdo formë të saj, si kusht për të operuar këto të fundit në mënyrë të lirë.
Është kuptueshme që kushte rregjistrimi në AKEP (ose kudo tjetër) mund të
vendose psh në rast se këto portale aplikojnë për të marrë ndihmë financiare nga
shteti, por në cdo rast rregjistrimi duhet të jetë i thjeshtë, me procedurë
transparente dhe e paanshme politikisht, si dhe në cdo rast të mos ndikojë në
pavarësinë editoriale.
8. AIS vlerëson se i vetmi institucion që mund dhe
duhet të urdhërojë bllokimin/pezullimin[9] duhet të jetë vetëm
gjykata e rrethit gjyqësor përkatës, seksioni civil. Nuk ka arsye, sikundër
parashikohet në projekligj, të shtohet një rrugë tjetër ajo administrative. Për
më tepër më procedurat e vettingut në gjyqësor – që janë në realizim e sipër – shtojnë
garancitë për vendimmarrje nga një gjyqësor i pavarur jashtë ndikimit politik dhe
profesional edhe në këtë fushë. Ligji i ri integral duhet të përmbajë edhe për
gjykatën në detaje dispozita që të garantojë proces të rregullt gjyqësor. Në këtë fushë
rregullime të procedurave gjyqësore jashte kodit të procedurës civile janë
aplikuar edhe në rastin e ligjit “Për masat ndaj dhunës në familje”. Për pasojë
procedura të shpejta, efektive, transparente dhe në përmbushje të procesit të
rregullt gjyqësor janë të mundshme të parashikohen në këtë ligjin e vecantë
integral. Vendimi i bllokimit/pezullimit do të jetë si cdo vendim gjyqësor i
arsyetuar dhe ku do të parashikohen edhe mënyrat e ankimit të tij.
Masa e pezullimit të përkohshëm gjithashtu duhet të jepet me vendim të arsyetuar të gjykatës. Ligji i ri integral, për cdo faze shqyrtimi gjyqësor, duhet të parashikojë afate të shpejta dhe efikase gjykimi dhe vendimmarrjeje.
9. Ligji i ri integral duhet të parashikojë se
masa e bllokimit/pezullimit të aksesit në faqe të caktuara internet përbën masën
shumë serizoe të ndërhyrjes me lirinë e shprehjes. Si e tillë masa e bllokimit
duhet të konsiderohet me ligj si masa e fundit ekstreme që mund të ndërmerret
vetëm në raste të mirëspecifikuara në ligj dhe që justifikojnë një gjë të tillë.
Këto masa mungojnë në tekstin e projektligjit, sepse lidhen vetëm me një kriter
numerik të kundërvajtjes administrative, e cila vështirë se kalon testin e
shkeljes ekstreme.
10. Të njëjtat të drejta për njerëzit që janë off line (jashtë fushës së veprimit të internetit) të drejta, detyrime, politika sjelljeje janë të njëjta edhe kur përdorin internetin, vecanërisht e drejta e shprehjes së tyre dhe aksesi në informacion. Fjalët, kushtet dhe rrethanat se kur do të bllokohet/pezullohet aksesi në internet duhet të jenë të mirëpërcaktuara në ligj dhe jo më formulime të përgjithshme.
Edhe
në interpetimin e tyre nga gjykata, ligji i ri duhet të sanksionojë se ato
duhet t’i referohen qartë konceptit më të ngushte dhe pak kufizues të mundshëm.
11. Cdo faqe interneti që bllokohet/pezullohet
duhet të ketë edhe informacionin e nevojshem në një një gjuhë jo të zhargonit
profesional juridik se kush e ka kërkuar bllokimin, arsyet e vendimit të
bllokimit, vendimi i gjykatës, koha kur është i vlefshëm ky bllokim etj.
Pezullimi/bllokimi
i të gjithë faqes së internetit si rregull nuk duhet të jetë i lejueshëm. Çdo
urdhër gjykate për bllokim/pezullim duhet të jetë konkret dhe cdo informacion
tjetër i ligjshëm, edhe nëse është aksesor në faqen e internetit, nuk duhet të jetë
subjekt i bllokimit/pezullimit.
AIS
[1] Rekomandimi
CM (Rec) (2011)8 i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare për mbrojtjen
dhe promomovimin e universalietit, integritetit dhe hapjes së internetit, miratuar nga Komiteti i
Ministrave ne 11 shtator 2011.
[2] Çështja Editorial Board of Pravoye Delo and Shtekel
v Ukraines, vendim i datës 5.05.2011, para 63.
[3] Çështja Ahmet Yildirim v Turqise, vendimi i
datës 18.12.2012.
[4] Çështja Defli AS v Estonia, vendim i datës 16
qershor 2015, paragrafi 110.
[5] Çështja Lindon, Otchakovsky-Lauren, and July v
Frances, aplikimi nr. 21279/02, paragrafi 41.
[6] Çështja Groppera Radio AG dhe te tjerët v Zvicrës,
vendim i datës 20 mars 1990, paragrafi 68.
[7] Çështja Kafkaris v Qipro, aplikimi nr. 21906/04,
paragrafi 140.
[8] “Rregullimi i
shpifjes në internet” është terminologjia që i ka paraprirë prezantimit dhe më
pas e ka shoqëruar fazen e hartimit dhe te publikimit të ketyre dy
projekligjeve që janë në konsultim publik.
[9] Megjithëse masa
të tilla mund të shërbejnë për interesat e rëndësishme shtetërore – veçanërisht
mbrojtjen e sigurisë kombëtare ose mbrojtjen e rendit publik – ose të mbrojnë
të drejtat individuale – si liria, siguria dhe barazia – ato ndërhyjnë me
lirinë e shprehjes dhe të drejtën e aksesit në informacion dhe, rrjedhimisht,
mund të ketë implikime negative mbi vlerat demokratike.
Liria e shprehjes
përfshin të drejtën e shpërndarjes së informacionit ose ideve që “ofendojnë,
trondisin ose shqetësojnë shtetin ose çdo sektor të popullsisë” siç thuhet nga
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.