Transparencë, Monitorim dhe Vlerësim për tender të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara është një institucion shtetëror i krijuar në vitin 2018 me qëllim përqendrim të blerjeve të mallrave dhe shërbimeve për Ministrinë dhe Institucionet e tyre të vartësisë. Qeveria Shqiptare krijoi këtë institucion me qëllim rritjen e eficensës dhe impaktin antikorrupsion në përdorimin e parave publike për shpenzime korrente. AIS ka krijuar një instrument monitorimi dhe vlerësimi mbi riskun për Favorizim dhe Klientelizëm në këto tendera. Nga Shkurt 2018 deri Maj 2019 Agjencia ka prokuruar në total 293 Kontrata nga të cilat 65 janë tender me mungesë gare apo konkurrence. AIS konstaton vonesa në publikimin e lidhjeve të kontratave dhe mos publikim të dokumenteve të monitorimit të ekzekutimit të kontratës në databazën për prokurime transparente. Monitorimi i kësaj Agjencie do të vijojë për 2 vitet e para të punës së saj.

Vlerësimi i riskut Redflag : 18% e tenderëve Bashki në 2018 janë me risk për korrupsion, Lista

Tendera pa garë negocime të drejtpërdrejta apo pa konkurencë me vetëm një operator ekonomik në garë, janë tendera me risk të lartë për parregullsi dhe keqpërdorim të kontratave dhe fondeve publike.  Përmes programit për Prokurime Transparente AIS ka konstatuar se 18% e totalit të tenderave të realizuar nga Bashkitë kanë të paktën një element risku në tenderim. Ky vlerësim bëhet përmes algoritmit për RedFlag si instrument antikorrupsion. Bashkitë dhe institucionet e tyre njoftuan nga 1 janari deri 31 dhjetor 2018 një numër prej 5642 kontrata me vlerë në lekë prej 21.9 miliard. Po në të njëjtën periudhë sistemi markoi me RedFlag 997 kontrata të tenderuara çka përbën 18% të totalit. Databaza për Prokurime Transparente Bashki ofron mundësi për të monitoruar dhe vlerësuar çdo tender të Bashkive në mandatin e parë qeverisës 2015-2019.

Programi televiziv 31 Minuta një përpjekje për gazetari kualitative.

Programi Televiziv 31 Minuta është një nga përpjekjet për gazetari kualitative. Programi po transmetohet prej pak muajsh në ekranin e televizionit publik si një bashkëpunim i Radio Televizionit Shqiptar me Qendrën për Gazetari Cilësore. Albanian Institute of Science AIS u bë pjesë e mbështetësve të programit duke ndihmuar gazetarët në realizimin e historive të tyre me karakter investigative. Nxitja e gazetarisë cilësore të bazuar në fakte dhe ekspertizë është një nga elementët më të rëndësishëm që lidhen përtej lirisë edhe me cilësinë e gazetarisë. Programi 31 Minuta vijon duke depërtuar më në thellësi të problemeve dhe duke analizuar në një mënyrë të pavarur dhe të guximshme.

Dita e Europës në Tiranë, prezantohet kursori.org platforma për aftësimin e të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë

Në kuadër të Ditës së Europës 9 Maji, në Tiranë u prezantua platforma kursori.org. Ky instrument në gjuhën shqipe është krijuar në kuadër të projektit të zbatuar nga ODK dhe AISEdukimi i Hapur TIK për punësim të të Rinjve. Projekti ofron kurse falas për teknologji informacioni pranë shkollës profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë, Gjimnazeve “At Shtjefën Gjecovi” Laç, “At Shtjefën Kurti” Gorre, “Arif Halil Sula”Mamurras, Gjimnazit Milot dhe Universiteteve “Ukshin Hoti”Prizren e “Haxhi Zeka” Pejë. Aftësimi për punë në teknologji informacioni është një mundësi shumë e mirë për punësim në tregun Europian pa emigruar nga vendi. Projekti mbështetet nga delegacioni i EU si IPA ndërkufitar Shqipëri-Kosovë. Ambasadori Soreca u bë pjesë e promovimit të Kursorit dhe aktiviteteve me dobishmëri për aftësimin profesional e ekonomik të të rinjve.

DEKLARATE E AKTORËVE TË SHOQËRISË CIVILE SHQIPTARE MBI KRIZËN POLITIKE DHE PROPOZIME PËR ZGJIDHJEN E SAJ

Ne sot jemi dëshmitarë të:

  • grindjeve mes aktorëve politikë sa herë që vendi ndodhet përballë vendimeve të rëndësishme,
  • një polarizimi gjithmonë e më të madh mes qëndrimeve të partive politike,
  • një tendence të konsoliduar për t’i zgjidhur këto konflikte politike përmes pazaresh mes kryetarëve të partive,
  • dëmit të madh  publik që konfliktet e vazhdueshme politike kanë shkaktuar duke penguar funksionimin normal të institucioneve shtetërore,
  • akuzave për bashkëpunimin e krimit të organizuar me politikën të hedhura nga aktorët kryesorë politike të vendit,
  • një tendence në rritje të dëshirës për të emigruar jashtë vendit, veçanërisht mes të rinjve,
  • pengesave që grindjet ndërmjet aktorëve politikë krijojnë për ecurinë e reformave të ndërmarra në vend dhe për vendim pozitiv te Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE
  • një krize në rritje të përfaqësimit politik e cila manifestohet në shkëputjen e dukshme të politikanëve shqiptarë nga shqetësimet e qytetarëve që ata përfaqësojnë

Nderkohë, shoqëria shqiptare dhe elementë të caktuar të jetës politike po përpiqen të ripërcaktojnë marrëdhëniet e qytetarit me politikën, dhe të reagojnë ndaj saj. Organizata nga shoqëria civile, lëvizje qytetare, akademikë dhe ekspertë të ndryshëm kanë hapur një debat të gjerë mbi nevojën e ndryshimit të sistemit. Nisma të reja, peticione, lëvizje rinore dhe aksione të tjera të vazhdueshme qytetare me qasje nga poshtë-lart po i mobilizojnë qytetarët për një ndryshim rrënjësor të sistemit aktual politik. Ky debat po zhvillohet dhe në parlament, në media e më gjerë.

Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm që kjo dinamikë pozitive mund të humbasë mes vendimeve të pjesshme, marrëveshjeve politike të marra në mënyrë jo transparente apo vendimeve të bazuara në informata të pasakta dhe në keqinformim.

 

Komponentët e krizës

Ne besojmë se në kushtet aktuale është jetike që çdo përpjekje për ndryshim të adresojë rrënjët e problemit, të jetë e qëndrueshme, dhe në sinkron me rrugën e vendit drejt BE-së. Si pasojë, çdo ndryshim i tillë duhet të prekë:

  1. Reformën zgjedhore, duke përfshirë miratimin e një sistemi zgjedhor që garanton përfaqësim sa më të mirë dhe qeverisje të qëndrueshme, si dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë brenda partive politike,
  2. Forcimin e angazhimit të qytetarëve shqiptarë në vendimmarrjen e politikave përmes rishikimit të kuadrit ligjor për peticionet, referendumet dhe nismat ligjore,
  3. Forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, të fokusuar tek mirëqeverisja e tyre dhe lufta kundër krimit të “jakave të bardha”.

Në kushtet aktuale, sfida kryesore për një demokraci funksionale në Shqipëri është funksionimi i duhur i mekanizmit të përfaqësimit politik. Sot përfaqësimi politik ushtrohet nëpërmjet një sistemi zgjedhor, i cili nuk nxit demokracinë brendapartiake. Ndërkohë partitë e sotme politike janë ato që kontrollojnë pushtetin dhe aktorët kryesorë të vendimmarrjes politike. Si të tilla, ato janë të prirura të identifikohen me pushtetin shtetëror.

Cfarëdolloj reforme e sistemit zgjedhor nuk mund të jetë e plotë pa reformuar sistemit e funksionimit të partive politike, dhe vendosjen e demokracisë brenda-partiake. Reforma e përfaqësimit demokratik nis me reformimin e funksionimit të partive politike dhe të konkurrencës mes tyre.

Neni 9 i Kushtetutës shqiptare përkufizon qartë se si duhet të funksionojnë partitë politike, por aktet ligjore të nevojshme duhet të kompletohen, përmirësohen dhe të zbatohen. Çdo ndërhyrje duhet të bazohet në Kushtetute dhe të fokusohet tek:

  1. organizimi dhe funksionimi demokratik i partive politike;
  2. ndërveprimi i partive politike me rendin kushtetues dhe me shtetin;
  3. detyrimi për transparencë të përhershme financiare të partive politike.

 

Rruga drejt zgjidhjes

  1. i) Si pasojë e shohim të nevojshme hartimin e një ligji të ri tërësor që rregullon funksionimin e partive politike dhe që mes të tjerash:
  • siguron zbatimin e demokracisë të brendshme funksionale, duke përfshirë edhe procedurën e vendimmarrjes;
  • siguron konkurrim të brendshëm të shëndetshëm bazuar tek vlerat dhe meritokracia;
  • krijon një mekanizëm të zgjedhjeve që nxit garën e brendshme; krijon kushte për transparencë më të madhe në hartimin dhe zbatimin e rregullave të brendshme të partive; dhe bën të detyrueshëm publikimin e regjistrit të anëtarëve të partisë.

 

  1. ii) Lidhur me ndërveprimin e partive politike me institucionet e shtetit, shohim nevojën për vendosjen e mekanizmave të duhur që kufizojnë përdorimin e pushtetin politik nga partitë politike si mjet për të kontrolluar institucionet e shtetit për interesa afatshkurtra të partive, ndërkohë që në afatgjatë dëmtojnë interesat shtetërore. Këto mekanizma duhet:
  • të sigurojnë që strukturat dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve të mbeten të depolitizuara,
  • të kufizojë dhe shpjerë drejt minimizimit absolut të ndikimit të partive politike mbi administratën publike dhe politikat publike,
  • të forcojë institucionet kushtetuese dhe jo drejtuesit e partive,
  • të lejojë zbatimin efiçent, monitorimin dhe transparencën e mekanizmave kushtetues të kontrollit.

 

iii) Në lidhje me detyrimin për transparencë të përhershme financiare të partive politike, duhet të krijohet mundësia për zbatimin e përkufizimit kushtetues të “transparencës së përhershme”, duke mos lejuar asnjë akt ligjor, nënligjor apo procedurë t’i shmanget këtij parimi kushtetues.

Ky qëllim të arrihet përmes ndryshimeve ligjore, të plotësuar me mekanizmat e verifikimit, kontrollit gjatë fazës së zbatimit, të cilat:

  • Ndajnë qartë burimet shtetërore nga fushatat zgjedhore;
  • Lejojnë hetimin e thellë të financimeve informale dhe / apo jozyrtare të partive politike.

 

Tiranë më 8 Maj 2019

Shkarko deklaratën në PDF Deklarate e aktorëve të shoqërisë civile shqiptare mbi krizën politike

 

Themeluesja dhe Aktivistja e AIS fiton çmim përkontribut unik me transparencë përmes OpenCorporatesAlbania

Besjana Hysa themeluese dhe aktiviste e organizatës AIS promotor të Open Data për Shqipërinë u nderua me çmimin “Pëllumbi i Bardhë” një çmim mirënjohjeje dhe vlerësimi për figura të cilët përmes veprimeve civile të guximshme kanë kontribuar në më të mirë të publikut të gjerë. Çmimi u akordua me motivacionin për kontribut unik në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies me asete publike përmes platformës OpenCorporates.Al

Ceremonia u zhvillua në datën 3 Prill në Tiranë.

Ky çmim është në vijimësi të zbatimit të një nisme të Partners Shqipëri në bashkëpunim me Partners për Ndryshim Demokratik në Sllovaki në kuadër të forcimit dhe përmirësimit të partneritetit dhe bashkëpunimit të Organizatave Jo Fitimprurëse me qeverisjen vendore, për një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse. Open Corporates Albania është një platformë me të dhëna të hapura për shoqëri biznesi të cilat janë njëkohësisht kontraktore me bashkitë për zbatimin e kontratave të rëndësishme publike në
investime dhe shërbime. Platforma kontribuon në llogaridhënie mbi mënyrën se si janë shpërndarë kontratat publike tek operatorë të ndryshëm ekonomik. Gjithashtu të dhënat e hapura lehtësisht të gjetshme, kuptueshme dhe të dobishme ndihmojnë në skanimin e integritetit të kontraktorëve privat në kontrata publike.

Ftesë për Praktikë Studentore, Student në Informatikë Ekonomike

Instituti Shqiptar i Shkencave promotor i standardit Open Data, fton studentët e Degës së Informatikës Ekonomike (Master), të interesuar për të bërë praktikë pune të konsiderojnë mundësinë e aplikimit pranë organizatës sonë. Kjo praktikë mësimore ju jep mundësinë të praktikoni dhe forconi njohuri më të mira në përdorimin e databazave në MYSQL (dhe QUERY), gjithashtu platformat MVC dhe Laravel Zend Framework.

Praktika e punës parashikon edhe mundësi punësimi pas përfundimit të saj. Të interesuarit të dërgojnë një email të shkurtër në adresën [email protected] deri më datë 20 MAJ 2019 . Titulli i emalit duhet të jetë Aplikim për Praktikë Pune pranë Institutit. Në email duhet të shpjegoni pse jeni të interesuar, çfarë eksperiencash profesionale apo studentore keni dhe cila është mesatarja juaj aktuale. Instituti ka parashikuar edhe plotësimin e formularit të vlerësimit dhe çdo dokumentacion tjetër për studentët që do të realizojnë praktikë studentore pranë nesh.

Kërkohet një specialist përpunim të dhënash Data Enter

AIS është në kërkim të një personi për ta punësuar si staf për përpunim të dhënash. Procesi i punës është i thjeshtë dhe lidhet me përgatitjen e databazave me të dhëna të shoqërive tregtare. Pozicioni i punës nuk ka lidhje me analizë apo përpunim statistikor.

Personi duhet të jetë i diplomuar (edhe trevjecar) në degët financë, kontabilitet, biznes apo juridik. Të ketë njohuri mbi të dhëna të regjistrit të biznesit (QKB) dhe nëse nuk ka njohuri të jetë i aftë të mësojë shpejt mbi përmbajtjen e një regjistri të tillë.

Ora e punës paguhet neto 250 lekë plus kosto të punësimit apo kontraktimit (tatim mbi të ardhurën personale, kontribute shoqërore dhe shëndetësore të detyrueshme).

Kandidati / Kandidatja do ti nënshtrohet një procesi prove.

Cilësitë: i aftë për të mësuar, nivel të lartë përqëndrimi, modest dhe i motivuar për të punuar, i aftë të punjë 8 orë në ditë.  Nëse jeni të interesuar ju lutem shkruani në [email protected] duke përcjellë një CV tuajën në një email me titull Aplikim specialist përpunim të dhënash Data Enter deri më 20 Maj 2019.

 

Pozicion Pune Programues , Webmaster

AIS është në kërkim të një personi për ta punësuar me kohë të plotë në pozicionin e punës Programues ose Web Developer.

Personi duhet të ketë të paktën tre vite eksperiencë pune në këtë profil, njohuri në PHP/ JS / njohuri të mira në administrim databaz-ash në MYSQL (QUERY).

Preferohen edhe kandidatët që kanë njohuri në gjuhën gjermane, pasi kandidatë të suksesshëm mund të transferohen pas 6 deri 12 muajve në një subjekt të ngjashëm në shtetin Gjerman.

Pagesa neto është 900 USD, me kontribute dhe tatime të paguara. Java e punës është 40 orë.

Nëse jeni të interesuar ju lutem shkruani në [email protected] duke përcjellë një CV tuajën në një email me titull Aplikim Web Developer, deri më 20 Maj 2019.