51 Parti kanë përfituar 2.17 miliard lek nga Taksapaguesit në 10 vite 2011 – 2022.
AIS sapo ka publikuar tek Faqja Open Data Albania një artikull ku zbardhet Vlera Para Publike që Partitë Politike kanë marrë në 10 vite. 2011 – 2022.
Të dhënat e artikullit zbardhin financime publik me para të taksapaguesve të shpërndara sipas Partive Përfituese (51), sipas Viteve, sipas llojit të financimit vjetor apo elektoral, etj.
Për çdo të dhënë si referencë është marrë databaza Spending Data Albania Transaksione Thesari.
Ky artikull është punuar nga ekipi rinor që punon pranë organizatës AIS si pjesë e një Network-u për të Dhëna të Hapura dhe është prezantuar fillimisht në Eventin Open Data Albania.
Link Artikulli: Transferta Thesari për Partitë Politike 2012-2022 – Open Data Albania (ndiqparate.al)
Disa të dhëna të tij:
- Në dhjetë vite, 2012-2021 Partitë Politike kanë përfituar financim publik në vlerën 2.174 miliard lekë.
- 1.784 miliard lekë janë për aktivitet normal vjetor të partive politike, ndërsa 390 milion lekë janë akorduar për fushatat elektorale (Zgjedhje të Përgjithshme 2013, Zgjedhje Vendore 2015, Zgjedhje të Përgjithshme 2017, Zgjedhje Lokale 2019, dhe Zgjedhje të Përgjithshme 2021).
- Shpenzimet e Buxhetit si mbështetje për Partitë Politike për Fushata Zgjedhore kanë qenë në masën e 65 milion lekëve deri në vitin 2021, ndërsa në këtë vit këto transferta janë dyfishuar duke shkuar në 130 milion lekë.
- Financimi publik për fushatë elektorale për Partitë Politike përbënte rreth 20-27% të totalit të financimit publik për partitë gjatë viteve 2013, 2015, 2017 dhe 2019, ndërsa në vitin 2021 përbën pothuajse gjysmën ose 47%.
- Mesatarisht në një vit elektoral janë transferuar nga Buxheti i Shtetit si mbështetje për partitë politike 265 milion lekë, ndërkohë që në vite jo-elektorale janë akorduar për Partitë 170 milion lekë ose 36% më pak.
- Të dhënat e Thesarit tregojnë që ndër vite Partia Socialiste është ajo që ka përfituar vlerë më të lartë transfertash nga Buxheti i Shtetit. Ndryshim përbëjnë vitet 2012 dhe 2014, kur Partia Demokratike është ajo që ka përfituar më shumë fonde publike.
- Në total janë 50 parti politike që kanë arritur të thithin financim nga Buxheti i Shtetit në vitet 2012-2021. Në vitin 2022, Fonde ka arritur që të marrë edhe Partia Nisma Thurje, duke e çuar numrin e partive politike me përfitim transfertash nga thesari në 51 parti.
Open Data Albania databazë e zotëruar nga AIS ka zbardhur vit pas viti të dhëna mbi financime dhe kosto të fushatave zgjedhore dhe partive politike. Një grup artikujsh mund ti lexoni në Rubrikën Shpenzime Elektorale ose në rubrikën Procese Zgjedhore. Me dëshirën për transparencë dhe përmirësim të situatave zgjedhore Organizata ka krijuar metodologji dhe projekte në kërkim fondesh për Monitorim Qytetar në Zgjedhje.