Nismë për Transparencë dhe Llogaridhënie në Legjislacion: ACER dhe AIS Trajnojnë OJF-të për Vlerësim Antikorrupsion të Projektligjeve në Parlament

Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), në bashkëpunim me AIS / Open Data Albania dhe me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy (WFD) në Shqipëri, po zbatojnë një nismë që synon forcimin e angazhimit të shoqërisë civile për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procesit legjislativ në Parlament.

Më datë 30 qershor, dy organizatat organizuan një trajnim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që veprojnë në fushat e shtetit të së drejtës, integrimit europian, mirëqeverisjes, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrjes qytetare. Njëmbëdhjetë ekspertë nga tetë organizata u trajnuan mbi procesin legjislativ, indekset për matjen e korrupsionit dhe vlerësimin parandalues të akteve ligjore të Kuvendit.

Shiko agjenden Këtu

Nisma do të vijojë me rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile përmes:

  • trajnimit mbi metodologjinë Corruption Proofing of Legislation (CPL);
  • mbështetjes teknike dhe mentorimit për hartimin e tre opinioneve ligjore;
  • analizës së projektligjeve të reja që do të shqyrtohen dhe miratohen gjatë legjislaturës që nis në shtator 2025.

Këto opinione do të prezantohen përpara deputetëve, komisioneve parlamentare dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit.

Westminster Foundation for Democracy Albania ka mbështetur më parë zbatimin e kësaj metodologjie në Shqipëri, duke përfshirë edhe vlerësimin e projektligjeve për Lojërat e Fatit dhe Policinë e Shtetit. Metodologjia e ofruar përmes asistencës së WFD është tashmë e përfshirë në procedurat formale të shqyrtimit të projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Informacion Shtesë mbi Trajnimin – 30 Qershor 2025

📍 Titulli i trajnimit: “Procesi Legjislativ, Indekset e Matjes së Korrupsionit dhe Vlerësimi Parandalues në Aktet Ligjore të Kuvendit”

Përmbledhje e pjesëmarrjes:

  • Numri total i pjesëmarrësve: 15 persona
  • Të trajnuar përfitues: 11 ekspertënga 8 organizata
  • Raporti gjinor: 9 femra, 2 meshkuj

Organizatat pjesëmarrëse përfaqësojnë fusha të ndryshme, si:

  • 3 organizata në fushën e sundimit të ligjit (Rule of Law)
  • 3 organizata në fushën e aktivizmit dhe të drejtave të njeriut
  • 3 organizata mediatike të angazhuara në media cilësore dhe verifikim faktesh

Lista e organizatave përfituese:

  1. Qendra ALTRI
  2. Institute for Strategic Development Centre
  3. Together for Life
  4. Faktoje
  5. BIRN Albania
  6. Drejtësia Sociale
  7. Center for Legal Empowerment (CLE)
  8. Citizen Channel

 

Shkurt Rreth Metodologjisë CPL

Metodologjia Corruption Proofing of Legislation (CPL) synon të identifikojë, që në fazat e hershme të procesit ligjvënës, elementët në projektligje që mund të krijojnë hapësira për korrupsion gjatë zbatimit apo interpretimit të tyre.
Kjo është një qasje sistematike, që mund të aplikohet nga Parlamenti, institucionet e specializuara antikorrupsion ose organizatat e shoqërisë civile.
Zbatimi i CPL kontribuon në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe cilësisë së legjislacionit që miratohet.