AIS dhe ACER shprehin shqetësim për situatën në institucionin më të lartë të sektorit të prokurimit publik
Dy organizatat joqeveritare të angazhuara në çështje të antikorrupsionit, AIS dhe ACER, shprehin shqetësim për situatën e krijuar në funksionimin dhe integritetin e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), organi më i lartë shtetëror në fushën e prokurimeve publike.
E drejta e bizneseve për të pasur akses në një mekanizëm efikas ankimi gjatë konkurrimit në prokurime publike është cenuar për shkak të vakancës, mungesës së kuorumit për vendimmarrje deklarative dhe mosrespektimit të afateve.
Fakte të paraqitura:
Komisioni i Prokurimit Publik është institucioni më i lartë administrativ që shqyrton dhe merr vendime për ankesat ndaj procedurave të prokurimit. Ky Komision përbëhet nga pesë anëtarë, njëri prej të cilëve zgjidhet si Kryetar.
Prej datës 30 qershor, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një prej anëtarëve të Komisionit, konkretisht Kryetari, është marrë i pandehur dhe është pezulluar nga detyra për veprën penale “Pabarazi në tendera”.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, vendimet merren me kuorum prej 3 anëtarësh për tenderë nën kufirin e lartë monetar dhe me 5 anëtarë për tenderë mbi këtë kufi (tenderë ndërkombëtarë).
Për shkak të mungesës së kuorumit me 5 anëtarë, institucioni nuk është në gjendje të funksionojë me efikasitet dhe integritet në shqyrtimin e ankesave për tenderë të rëndësishëm.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement Albania, aktualisht (ditët korente) janë mbi 30 ankesa të administruara në KPP vetëm në 5 sektorë të monitoruar nga ky program: tenderë të qeverisjes vendore, të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Ky numër pritet të rritet në javët në vijim, duke përfshirë tenderë me vlera të konsiderueshme në totalin vjetor të prokurimeve publike.
Mosfunksionimi i institucionit me kuorum të plotë dhe pezullimi i Kryetarit kanë sjellë një situatë që rrezikon parimet e konkurrencës së ndershme dhe transparencës në prokurimet publike.
E drejta për një mjet juridik efektiv dhe për qasje në një organ të pavarur rishikimi janë standarde të detyrueshme për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
AIS dhe ACER i bëjnë thirrje Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit të ri, i cili do të nisë punën në shtator, të ndërhyjnë me prioritet për të rikthyer institucionin në funksionalitet të plotë dhe në përputhje me standardet e integritetit.
Kjo është e domosdoshme për të garantuar funksionimin e mekanizmit të apelimit dhe për të mbrojtur të drejtat ligjore të bizneseve dhe autoriteteve kontraktuese në sektorin e prokurimeve publike.