Dixhitalizimi i Trashëgimisë Etnografike – Fototeka “SOTIR”
Projekti “Inventarizimi i Fototekës Private Sotir Korçë” u ideua dhe po zbatohet nga Instituti Shqiptar i Shkencave AIS, Fototeka “Sotir” dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Qëllimi i këtij projekti është ruajtja, evidentimi, regjistrimi dhe promovimi i një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Realizimi i projektit sjell kontribut për fondin e fotografisë tonë artistike. Inventarizimi dixhital ndihmon për vlerësimin e traditës kulturore dhe trashëgimisë kombëtare në tërësi. Përmbajtja e imazheve është dëshmi e qytetarisë, traditës, nacionalizmit dhe modelit të familjes dhe shoqësirë së trevës së Korçës në fillim shekullin XX. Ky arkiv i çmuar u la në harresë në kohën e monizmit. Po njësoj ka munguar vëmendja nga institucione shtetërore lokale apo qendrore. Vlerat e kësaj Fototeke janë të ngjashme edhe me Fototekën “Marub”, por vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi ka qenë plotësisht e munguar. Projekti inicioi një vit më parë me përpjekje konkrete për sigurimin e një fondi modest për të mbuluar shpenzimet për procesin e skanimit dhe inventarizimit. Instituti Shqiptar i Shkencave bëri përpjekjet për ngritje fondi dhe thirrjes ju përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderime të veçanta janë për zonjat dhe zotërinjtë e nderuar Louis dhe Linda Fundo; Albert Fundo; Diane dhe Perry Pero; Richard dhe Viosa Lukaj; Philip dhe Sally Giantris; Nicholas dhe Dorothy Vangel; Jason George; Mark Fundo; Steven Fundo; Lauren Fundo. Mbështetja financiare për këtë projekt është e çmuar dhe simbolizon dëshirën dhe bujarinë e shqiptarëve në emigracion për t´ju gjendur vendit të origjinës. Projekti ka iniciuar në Korrik 2013 dhe përfundon brenda Shtator 2013.