Posts

Të përdorësh Open Data kundër korrupsionit. Gjykata Kushtetuese heq mandatin e një deputeti.

Në vitin 2014 për herë të parë në Shqipëri përmes një projekti të shoqërisë civile u zbardhën për publikun të dhëna për çdo transaksion të Thesarit të Shtetit duke dhënë datën, qëllimin e transaksionit, numrin e faturës dhe përfituesin. Përmes Open Spending Albania rubrika Transaksione Thesari qytetari shqiptar kishte të drejtë të kuptonte se si shpenzoheshin paratë e taksapaguesve (Where does my Money Go). Në muajin Gusht 2014, opinioni publik përmes të dhënave të hapura tek Transaksione Thesari, mori dijeni për dhjetëra pagesa nga disa institucione buxhetore kundrejt një shoqërie tregtare ABISSNET aksionet e të cilës i përkasin (në datën e transaksioneve dhe kontratave që mundësojnë pagesat) deputetit të mazhorancës zoti Koco Kokëdhima. Tabletat e transaksioneve u shfaqën në faqet e para të të gjitha gazetave si Tema, RD, Ora News, Gazeta Shqiptare, ABC , u bënë pjesë e statuseve në Facebook e Twitter të njerëzve të rëndësishëm të debatit publik e në fund shkaktuan edhe reagimin mediatik e më pas institucional të grupit parlamentar opozitar Partia Demokratike.

Abissnet spending

Një grup deputetësh i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të heqë Mandatin e Deputetit për zotin Koco Kokedhima, bazuar në nenin 70 pika 3 dhe 4 e Kushtetutës. Ky nen i Kushtetutës ndalon deputetët të ushtrojnë aktivitet ekonomik e përfitime me para publike. Kërkesa e deputetëve të grupit parlamentar opozitar bazohej gjithashtu në nenet 7 dhe 13 të rregullores së Kuvendit dhe neni 28 i Ligjit nr. 9367, datë 7. 04. 2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Mocioni dhe Padia e dorëzuar nga deputetët, në Gjykatën Kushtetuese kishte si prova tabela edhe nga databaza open data e portalit tonë Spending Data Albania (faqja 2 dhe 3 nënçështja Fakte dhe Rrethana).

Pas disa mbledhjeve të Komisionit Kuvendor për Shqyrtimin e Mandateve, dhe një procesi të gjatë gjyqësor iniciuar nga Deputet të Grupit Parlamentar Opozitar sot në datën 9 maj 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi Papajtueshmërinë e mandatit të Deputetit Koco Kokëdhima dhe vendosi Heqjen e mandatit e Deputetit.

Që prej vitit 2014 janë me dhjetëra artikujt mediatik dhe deklaratat mediatike të bazuara në të dhëna të hapura të Transaksione Thesari Spending Data Albania. Ky rast është tipik një rast i mirë i përdorimit të Open Data dhe Open Knowledge për të kontrolluar konfliktin e interesit, nepotizmin, shpërndarjen e parasë publike, abuzimin apo korrupsionin përmes saj.

AIS një organizatë joqeveritare shqiptare vijon të hapë të dhëna për Transaksione Thesari, Kontrata dhe Tender Publik, Buxhete Publike, Pasuri të Pushtetarëve dhe Gjyqtarëve të nivelit të Lartë, Shpenzime Elektorale. Kjo me qëllim nxitje të transparencës dhe monitorim qytetar përmes hapjes së të dhënave publike. Projektet tona Para, Qeverisje dhe Politikë MGP, dhe ProkurimeTransparente vijojnë të krijojnë instrumente për fuqizim qytetar përmes Informacionit, transparencës dhe monitorim qytetar përmes hapjes së të dhënave publike.