Regres në evidencat statistikore mbi gjyqësorin, Ministria Drejtësisë nuk përgatit vjetarin 2016
Edhe në muajin e nëntë të vitit 2017, Ministria e Drejtësisë nuk ja ka dalë të përmbush detyrimin për Vrojtim, Përpunim, Analizë dhe Publikim të Evidencës mbi Sistemin Gjyqësor në vitin pararendës 2016. Çdo tremujor të parë të vitit, ky institucion prezanton për publikun Vjetarin Statistikor. Ky vjetar përmban të dhëna statistikore mbi ecurinë e punës në Gjykata, numrin e çështjeve, respektimin e afateve gjyqësore sipas gjyqtarëve, dënimet për grup vepra penale, procedime gjyqësore sipas rretheve etj. Evidenca statistikore vjen në formën e një publikimi në PDF, ajo i shërben publikut, punonjësve të sistemit të drejtësisë, gazetarëve, akademikëve dhe kërkuesve shkencor. Në vitin 2015 metodologjia e publikimit u pasurua me një grup treguesish mbi çështje penale në fushën e korrupsionit. Publikimi i këtij vjetari është një detyrim sipas Ligjit për Organizmin e Ministrisë së Drejtësisë, dhe një sërë aktesh nënligjore. AISsi organizatë promotore e të drejtës së informimit dhe të dhënave transparentë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me kërkesën për të bërë të aksesueshme të dhëna të evidencës statistikore për sistemin e drejtësisë gjatë vitit 2016 dhe në vijim. Transparenca me evidencën statistikore për sistemin gjyqësorë bëhet edhe më e rëndësishme në momentin që sistemi po i nënshtrohet procesit të Vetingut. Zvarritje dhe vonesa në publikime ka ndodhur edhe më parë në vite të ngjashme karakterizuar nga rotacioneve dhe ndryshimit të titullarit Ministër Drejtësie.