Ka nisur zyrtarisht OpenDataFellowship 2025 nga AIS – Fuqizojmë të Rinjtë për Luftën Kundër Korrupsionit përmes Të Dhënave të Hapura

Organizata Albanian Institute of Science (AIS) me krenari njofton fillimin e programit OpenDataFellowship Youth Empowerment Against Corruption 2025, ku një grup i vogël dhe i përzgjedhur studentësh dhe aktivistësh nga katër universitete publike dhe jo-publike, po përfitojnë nga një trajnim ekskluziv dhe praktikë intensive në përdorimin e të dhënave të hapura për kërkime, analiza dhe advokim kundër korrupsionit. Ky program inovativ u ofron të rinjve të talentuar mundësinë unike për të zhvilluar aftësi të avancuara në përdorimin e databazave publike dhe metodave më të mira për identifikimin dhe parandalimin e korrupsionit në Shqipëri. Pjesëmarrësit – studentë në degët e Shkencave Ekonomike, Gazetarisë, Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, si dhe aktivistë nga organizata joqeveritare – po ndjekin një rrugëtim praktik që përfshin sesione informimi dhe pune praktike. Praktika do të kulmojë në tetor me pjesëmarrje në eventin DataThon Albania (Data+Marathon), ku do të mentorohet për projekte konkrete dhe inovative. Në fund të programit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata prestigjioze, do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me AIS për projekte pjesë të advokimit me të dhëna dhe do të kenë akses në burime dhe databaza ekskluzive. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të brezit të ri dhe krijimit të një shoqërie transparente dhe përgjegjëse.

 

 

 

Mbi evente te mëparshme të Networkut