AIS Shqetësime mbi Projekt-Ligjin Për Ndryshime Ligji Prokurim Publik, në kundërshtim me MSA dhe me risk potencial për korrupsion

Të nderuar Miq,

Në datën 8 Shkurt 2024 Parlamenti do të kalojë në Votim në seancë plenare një Projekt Ligj për Shtesa në Ligjin për Prokurimin Publik Nr.162/2020.

Duke u njohur me draftin e Projekt Ligjit që po shqyrtohet këtë javë në Komisione Parlamentare, AIS shpreh shqetësim të theksuar për dy aspekte të Projekt Ligjit:

Bashkëlidhur dhe Shkresa e Organizatës AIS pёr Parlamentin (komisionet respektive)

Oponence. Projekt-Ligj Për Ndryshime Ligji Prokurim Publik

  1. Neni 48 pika 2, e bën ligjin me risk të lartë për Korrupsion dhe me hapësira për Kontraktime me risk për abuzime. Si i tillë ky nen bie në kundërshtim dhe me Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit neni 74.
  1. Draft Ligji, iniciative e Qeverisë Shqiptare parashikon ndërhyrje për një Sistem Elektronik të Integruar për PP, por Relacioni që shoqëron Ligjin nuk ka parashikuar Kostot Financiare të ndërhyrjes dhe Parlamenti nuk mund të kalojë një Ligj pa Parashikime të Sakta Financiare nga Qeveria (Ministria e Financave).

Sa më lart AIS i ka kërkuar Parlamentit me shkresë të heqë nenin 48 pika 2 nga Projekt Ligji pasi në analizën tonë për corruption proofing of legislation ky nen ka risk të lartë.

Përmbajtje e Neni 48, Dispozita kalimtare pika 2. ”Brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore/publike në nivel qendror të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje konsulence ndërkombëtare brenda fushës së kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik, në drejtim të aplikimit të inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, infrastrukturës kritike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithashtu Ky Projekt Ligj nuk duhet të kalojë në Seancën Plenare të datës 8 Shkurt, pa u shoqëruar me Relacion të Detajuar nga KM për Kostot Financiare dhe pa shqyrtuar me kujdes problematikat qe bien ne Kundërshtim me MSA.

I sugjerohet Kuvendit që përpara shqyrtimit Final në Seancë të inicioje, kërkojë edhe një Takim Konsultues me organizata qe veprojnë si Shoqata Biznesi, Shoqata qe Punojnë në Fushën e Shtetit të Së Drejtës, Integrimit Evropian dhe Transparencës.

Organizata AIS e njohur si Open Data Albania ka marrë pjesë më parë në Procesin e Konsultimit Publik të Qeverisë Shqiptare për këtë Draft Ligj (qershor – shtator 2023). LINK

 

 

Me respekt

Aranita BRAHAJ

Drejtore AIS / Open Data Albania