Dita e Europës në Tiranë, prezantohet kursori.org platforma për aftësimin e të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë

Në kuadër të Ditës së Europës 9 Maji, në Tiranë u prezantua platforma kursori.org. Ky instrument në gjuhën shqipe është krijuar në kuadër të projektit të zbatuar nga ODK dhe AISEdukimi i Hapur TIK për punësim të të Rinjve. Projekti ofron kurse falas për teknologji informacioni pranë shkollës profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë, Gjimnazeve “At Shtjefën Gjecovi” Laç, “At Shtjefën Kurti” Gorre, “Arif Halil Sula”Mamurras, Gjimnazit Milot dhe Universiteteve “Ukshin Hoti”Prizren e “Haxhi Zeka” Pejë. Aftësimi për punë në teknologji informacioni është një mundësi shumë e mirë për punësim në tregun Europian pa emigruar nga vendi. Projekti mbështetet nga delegacioni i EU si IPA ndërkufitar Shqipëri-Kosovë. Ambasadori Soreca u bë pjesë e promovimit të Kursorit dhe aktiviteteve me dobishmëri për aftësimin profesional e ekonomik të të rinjve.

DEKLARATE E AKTORËVE TË SHOQËRISË CIVILE SHQIPTARE MBI KRIZËN POLITIKE DHE PROPOZIME PËR ZGJIDHJEN E SAJ

Ne sot jemi dëshmitarë të:

  • grindjeve mes aktorëve politikë sa herë që vendi ndodhet përballë vendimeve të rëndësishme,
  • një polarizimi gjithmonë e më të madh mes qëndrimeve të partive politike,
  • një tendence të konsoliduar për t’i zgjidhur këto konflikte politike përmes pazaresh mes kryetarëve të partive,
  • dëmit të madh  publik që konfliktet e vazhdueshme politike kanë shkaktuar duke penguar funksionimin normal të institucioneve shtetërore,
  • akuzave për bashkëpunimin e krimit të organizuar me politikën të hedhura nga aktorët kryesorë politike të vendit,
  • një tendence në rritje të dëshirës për të emigruar jashtë vendit, veçanërisht mes të rinjve,
  • pengesave që grindjet ndërmjet aktorëve politikë krijojnë për ecurinë e reformave të ndërmarra në vend dhe për vendim pozitiv te Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE
  • një krize në rritje të përfaqësimit politik e cila manifestohet në shkëputjen e dukshme të politikanëve shqiptarë nga shqetësimet e qytetarëve që ata përfaqësojnë

Nderkohë, shoqëria shqiptare dhe elementë të caktuar të jetës politike po përpiqen të ripërcaktojnë marrëdhëniet e qytetarit me politikën, dhe të reagojnë ndaj saj. Organizata nga shoqëria civile, lëvizje qytetare, akademikë dhe ekspertë të ndryshëm kanë hapur një debat të gjerë mbi nevojën e ndryshimit të sistemit. Nisma të reja, peticione, lëvizje rinore dhe aksione të tjera të vazhdueshme qytetare me qasje nga poshtë-lart po i mobilizojnë qytetarët për një ndryshim rrënjësor të sistemit aktual politik. Ky debat po zhvillohet dhe në parlament, në media e më gjerë.

Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm që kjo dinamikë pozitive mund të humbasë mes vendimeve të pjesshme, marrëveshjeve politike të marra në mënyrë jo transparente apo vendimeve të bazuara në informata të pasakta dhe në keqinformim.

 

Komponentët e krizës

Ne besojmë se në kushtet aktuale është jetike që çdo përpjekje për ndryshim të adresojë rrënjët e problemit, të jetë e qëndrueshme, dhe në sinkron me rrugën e vendit drejt BE-së. Si pasojë, çdo ndryshim i tillë duhet të prekë:

  1. Reformën zgjedhore, duke përfshirë miratimin e një sistemi zgjedhor që garanton përfaqësim sa më të mirë dhe qeverisje të qëndrueshme, si dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë brenda partive politike,
  2. Forcimin e angazhimit të qytetarëve shqiptarë në vendimmarrjen e politikave përmes rishikimit të kuadrit ligjor për peticionet, referendumet dhe nismat ligjore,
  3. Forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, të fokusuar tek mirëqeverisja e tyre dhe lufta kundër krimit të “jakave të bardha”.

Në kushtet aktuale, sfida kryesore për një demokraci funksionale në Shqipëri është funksionimi i duhur i mekanizmit të përfaqësimit politik. Sot përfaqësimi politik ushtrohet nëpërmjet një sistemi zgjedhor, i cili nuk nxit demokracinë brendapartiake. Ndërkohë partitë e sotme politike janë ato që kontrollojnë pushtetin dhe aktorët kryesorë të vendimmarrjes politike. Si të tilla, ato janë të prirura të identifikohen me pushtetin shtetëror.

Cfarëdolloj reforme e sistemit zgjedhor nuk mund të jetë e plotë pa reformuar sistemit e funksionimit të partive politike, dhe vendosjen e demokracisë brenda-partiake. Reforma e përfaqësimit demokratik nis me reformimin e funksionimit të partive politike dhe të konkurrencës mes tyre.

Neni 9 i Kushtetutës shqiptare përkufizon qartë se si duhet të funksionojnë partitë politike, por aktet ligjore të nevojshme duhet të kompletohen, përmirësohen dhe të zbatohen. Çdo ndërhyrje duhet të bazohet në Kushtetute dhe të fokusohet tek:

  1. organizimi dhe funksionimi demokratik i partive politike;
  2. ndërveprimi i partive politike me rendin kushtetues dhe me shtetin;
  3. detyrimi për transparencë të përhershme financiare të partive politike.

 

Rruga drejt zgjidhjes

  1. i) Si pasojë e shohim të nevojshme hartimin e një ligji të ri tërësor që rregullon funksionimin e partive politike dhe që mes të tjerash:
  • siguron zbatimin e demokracisë të brendshme funksionale, duke përfshirë edhe procedurën e vendimmarrjes;
  • siguron konkurrim të brendshëm të shëndetshëm bazuar tek vlerat dhe meritokracia;
  • krijon një mekanizëm të zgjedhjeve që nxit garën e brendshme; krijon kushte për transparencë më të madhe në hartimin dhe zbatimin e rregullave të brendshme të partive; dhe bën të detyrueshëm publikimin e regjistrit të anëtarëve të partisë.

 

  1. ii) Lidhur me ndërveprimin e partive politike me institucionet e shtetit, shohim nevojën për vendosjen e mekanizmave të duhur që kufizojnë përdorimin e pushtetin politik nga partitë politike si mjet për të kontrolluar institucionet e shtetit për interesa afatshkurtra të partive, ndërkohë që në afatgjatë dëmtojnë interesat shtetërore. Këto mekanizma duhet:
  • të sigurojnë që strukturat dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve të mbeten të depolitizuara,
  • të kufizojë dhe shpjerë drejt minimizimit absolut të ndikimit të partive politike mbi administratën publike dhe politikat publike,
  • të forcojë institucionet kushtetuese dhe jo drejtuesit e partive,
  • të lejojë zbatimin efiçent, monitorimin dhe transparencën e mekanizmave kushtetues të kontrollit.

 

iii) Në lidhje me detyrimin për transparencë të përhershme financiare të partive politike, duhet të krijohet mundësia për zbatimin e përkufizimit kushtetues të “transparencës së përhershme”, duke mos lejuar asnjë akt ligjor, nënligjor apo procedurë t’i shmanget këtij parimi kushtetues.

Ky qëllim të arrihet përmes ndryshimeve ligjore, të plotësuar me mekanizmat e verifikimit, kontrollit gjatë fazës së zbatimit, të cilat:

  • Ndajnë qartë burimet shtetërore nga fushatat zgjedhore;
  • Lejojnë hetimin e thellë të financimeve informale dhe / apo jozyrtare të partive politike.

 

Tiranë më 8 Maj 2019

Shkarko deklaratën në PDF Deklarate e aktorëve të shoqërisë civile shqiptare mbi krizën politike

 

Event Përmbyllës me Gazetar, projektit Monitoro Klient të Bashkive në Kontrata Publike

Në datën 22 Mars, organizata AIS realizoi me përfaqësues të medias një event përmbyllës të projektit Monitoro Klient të Bashkive në Kontrata Publike. Eventi pati fokus në dy tema specifike dhe aktuale për bashkëpunimin media – organizata të shoqërisë civile.

Në event morën pjesë njëkohësisht gazetar të rinj sikurse gazetar të angazhuar prej dy dekadash në median shqiptare. Pjesa e parë e eventit u moderua nga zoti Lutfi Dervishi, Lektor pranë Universitetit të Tiranës, Trajner, analist i zhvillimeve në gazetari dhe gjerë. Tema ishte Media në Internet kundrejt Medias Tradicionale Konteksti 2019. Gjithçka u zhvillua në formën e një forumi me një listim faktesh duke parashtruar pyetjen çfarë sfidash dhe defektesh ka kjo gamë portalesh, cilat janë risitë, vartësia dhe kontrolli i medias në secilin kontekst. rregullimit apo nevoja për rregullim me ligj e medias on line portale dhe web-e informative.

Pjesa e dytë e eventit u moderua nga Mirela Milori, moderatore dhe gazetare e disa programeve televizive në Klan, Zëri i Amerikës, ABC News etj. Tema e referuar përkonte me Gazetari e Bazuar në Fakte si të aksesojmë të dhëna të hapura.

Në takim u prezantua edhe një nga programet më interesante të momentit përgatitur në RTVSH si dhe është programi 31 Minuta program që realizohet me kontributin e Qendrës për Gazetari Kualitative dhe njëkohësisht mbështetet nga Donator të angazhuar në çështje të cilësisë dhe integritetit të medias, mes tyre edhe Projekti Leviz Albania.

Prezantohen Raporte Gjinore Menaxhimi i Shoqërive që Drejtohen nga Bashkitë

AIS si promotor e Open Data për Shqipërinë në bashkëpunim dhe Qendra Burimore e Alternativave të Zhvillimit DARC prezantuan në datën 7 mars 2018 Gjetje mbi përfaqësimin gjinor në drejtimin e Shoqërive të Biznesit të Zotëruara nga Bashkitë. Prezantim zhvillohet në kuadër të Projektit Monitoro Klient të Bashkive në Kontrata Publike financuar nga Lëviz Albania. Në kuadër të këtij projektit AIS hap të dhëna për performancën dhe menaxhimin e disa kategorive Shoqëri Biznesi nën zotërim privat apo publik. Ky është viti i tretë që AIS zbardh të dhëna mbi përfaqësimin gjinor si një angazhim i institucioneve shtetërore për përfaqësim të drejtë të grupeve gjinore.

Raporti i përfaqësimit në administrimin e shoqërive tregtare të zotëruara nga një bashki si njësi e qeverisjes vendore vijon të qëndrojë në nivele të ulëta prej 5 deri 6 %. Një numër i madh shoqërish tregtare me zotërim publik drejtohen totalisht nga borde apo këshilla mbikëqyrës të përbëra plotësisht nga meshkuj. Në takim mori pjesë dhe artikuloi qëndrimin institucional edhe zonja Mirela Rrumbullaku përfaqësuese e institucionit Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Artikulli Analizë e prezantimit është publikuar në Portalin Open Data Albania . Të tjerë artikuj mbi raporte gjinore në shoqërinë apo ekonominë shqiptare janë po në këtë portal tema Raporte Gjinore.

Projektit Monitoro Klient të Bashkive në Kontrata Publike financuar nga Lëviz Albania përkon me ndërtimin e një databaze me të dhëna të hapura për menaxhimin dhe performancën e kompanive që fitojnë kontrata publike me bashkitë. Databaza titullohet Open Corporates Albania dhe është programuar sipas standardit OpenCorporates .

Mbahet në Voskopojë DataThon Albania 2018 Si shpenzon bashkia ku unë paguaj taksa

Në datën 1 dhe 2 nëntor 2018, Organizata AIS me mbështetje të Lëviz Albania organizoi në Voskopojë eventin DataThon Albania. DataThon është një event në formë maratone ku gazetarë dhe aktivist u thirrën për të punuar së bashku për një investigim, vizualizim, analizë fakti duke u bazuar në grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave. Edicioni i këtij viti pati si temë Si shpenzon Bashkia ku unë paguaj taksa.

DataThon u mbajt gjatë dy ditëve më datë 1 dhe 2 nëntor. Gazetarët e ftuar u ndanë në grupe për të gjetur, analizuar, vizualizuar dhe shpjeguar me fakte të thjeshta, procese të buxhetimit, kontraktimit, prokurimit dhe të tjera, që lidhen me menaxhimin e parave publike nga Bashkitë.

Gazetarëve ju kërkua të sillnin një ide, të punonin në grupin tuaj, duke vizualizuar dhe shpjeguar thjesht procese që lidhen me shpenzimet dhe buxhetet bashkiake. Sugjerimi ishte që të dhënat të gjenden në databazat Open Procurement Albania ; Open Corporates Albania; Spending data Albania ; portal për Financat Vendore etj. Pjesëmarrësit u zgjodhën përmes aplikimit online në faqen web të AIS .

Gjatë dy ditëve të punës u krijuan shtatë grupe gazetarësh nga të cilët pesë ja dolën të finalizonin me sukses një analizë dhe punim të caktuar. Eventi synoi familjarizim të gazetarëve me të dhënat e hapura; prezantim të instrumenteve që ekzistojnë; nxitje të kulturës së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe kreativitetit. Për grupet më të mira u dhanë edhe çmime të cilat u zgjodhën me votim nga vetë pjesëmarrësit.

Disa nga punët u publikuan me tej edhe në platformën Porta Vendore.

Tema të sugjeruara për gazetarët pjesëmarrës ishin:

  • Sa shpenzon një bashki për shërbime? A ka mjaftueshëm investim në kopshte rrugë dhe infrastrukturë?
  • Cilat janë bashkitë që nuk kanë marrë asnjë projekt nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve? Cilat janë projektet që ka mbështetur ky fond për zhvillim dhe a kanë impakt të duhur?
  • Performanca e Bashkisë në mbledhje taksash? Sa është e ardhura e taksave për frymë, po shpenzimi për një banor?
  • Investigo për një nga tenderët me RedFlag! Përtej shënimit që bën sistemi, çfarë qëndron pas një procedure me mungesë gare dhe konkurrence?
  • Biznese që fitojnë tender vetëm me negocim dhe pa konkurrent?
  • Biznese që kanë fituar më shumë se 30% të vlerës së tenderëve të një bashkie të caktuar?
  • Kontraktor në lidhje apo konflikt interesi????
  • Biznese që ofrojnë edhe mallra edhe shërbime edhe investime, të gjithanshëm apo preferencial në prokurim???
  • Buxhetim me pjesëmarrje? Duhet infrastrukturë por shpenzohet në shërbime?! Shpërndarja e (pa)drejtë e buxheteve.
  • Si pasurohet kryebashkiaku im, a ka kryebashkiak që përfitojnë direkt dhe indirekt nga investimet e bashkisë???
  • Temë tjetër e zgjedhur dhe propozuar nga ju.

 

Të rinjtë në Kurbin dhe Lezhë përfitues të projekteve IPA ndërkufitare Shqipëri –Kosovë

  • Të rinjtë në Kurbin dhe Lezhë përfitues të projekteve IPA ndërkufitare Shqipëri –Kosovë
  • Aftësimi Profesional në Teknologji Informacioni, Kurbin dhe Lezha mbështetje nga Programet e EU
  • Punësim pa emigruar, ICT një sektor i mundshëm punësimi në distancë

Open Data Kosova dhe AIS kanë dhuruar këtë fillim jave 18 kompjutera në pesë shkolla në Kurbin dhe Lezhë .  Këto kompjutera janë vënë në dispozicion të shkollave në kuadër të Projektit Edukimi i Hapur TIK për Punësimin e të Rinjve” , një projekt ndërkufitar i financuar nga fondet IPA të BE-së. Përfituese në Shqipëri janë shkolla Profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë dhe Katër shkolla të mesme publike në territorin e bashkisë Kurbin, konkretisht shkolla e Laçit; Gorresë; Milotit dhe Mamurrasit. Në ceremonitë e dhurimit marrin pjesë drejtues të zyrës arsimore Kurbin dhe Shkollës profesionale Kolin Gjoka në Lezhë. Nga zbatuesit e Projektit dhurimet u bënë nga Dafina Olluri si përfaqësuese e ODK dhe Besjana Hysa përfaqësuese e AIS.

 

Projekti  synon në rritjen e aftësive profesionale të të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë në sektorin e teknologjisë së informacionit ICT. ODK dhe AIS kanë krijuar një platformë në gjuhën shqipe me emrin Kursori. Platforma shërben për kurse dhe trajnime online, për të rinj të cilët pa kosto dhe nga zona ku banojnë, mund të aftësohen profesionalisht.

 

Sektori i teknologjisë është sektori që ofron numrin më të madh të vendeve të punës në EU dhe Rajon. Punësimi në këtë sektor ka tarifa të mira pagesash dhe është i mundur të aplikohet edhe në distancë, pa emigruar nga zona ku banon. Njohuritë dhe aftësitë profesionale në teknologji informacioni garantojnë punësim të sigurt dhe me tarifa të mira. Aftësitë në përdorimin e teknologjisë së informacionit janë të nevojshme dhe domosdoshme edhe për profesionist të sektorëve të tjerë si turizëm, shërbime, tregti dhe industri. Projekti ka zgjedhur për Shqipërinë zonën e Lezhës dhe Kurbinit, duke vlerësuar përqendrimin e popullsisë në këtë zonë; nevojën për shfrytëzim më të mirë të resurseve dhe potencialit njerëzor dhe natyror që ofron zona. Kurbini dhe Lezha janë dy bashki që për shkak të pozicionit gjeografik dhe potencialit në turizëm, kanë bindshëm mundësi bashkëpunimi dhe shkëmbimi me Kosovën. Projekti synon që mbi 500 të rinj nga  këto pesë shkolla të përfundojnë të paktën një nga programet e aftësimit online në platformën Kursori. Kjo bën të mundur fuqizimin e tyre në tregun e punës. Projekti zbatohet deri në Mars 2020. Nxënësit e shkollave përfituese do të ndihmohen gjatë trajnimit online edhe nga Drejtues teknik të Projektit. Platforma është e hapur për këdo. Vec aftësimit të rinjtë do të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga evente të përbashkëta dhe shkëmbime me student të Universitetit Ukshin Hoti Prizren profilet shkenca Kompjuterike, dhe Universitetin Haxhi Zeka Fakulteti i Biznesit në Pejë.

 

Foto Galeri

Ftesë për Mëngjes Pune, Gazetar të Medias në Internet

AIS organizata promotore e Open Data Albania po planifikon të organizojë një ditë pune me gazetarë të cilët janë të angazhuar pranë Portaleve Informative.

Duke e konsideruar këtë media në internet tepër dinamike dhe si një risi kundrejt modelit të media tradicionale AIS propozon një mëngjes pune me dëshirën të për prezantuar disa nga datasetet tona me të dhëna të hapura për sektorin publik. Mëngjesi i punës ka si qëllim që të prezantojë tek përfaqësues të mediave në internet disa instrumente transparente që mund të ndihmojnë gazetarinë e bazuar në fakte.
Mëngjesi i Punës Mbahet datën 22 mars, ora 9 e 30 me 12 në ambientet e Hotel Dinasty (Rruga: “e Kosovareve”, Nr. 31, H.1, Tirane).

Axhenda:

Regjistrimi mirëseardhja ora 9 e 30 – 10. 15

10.15 – 10.30 Media ne Internet vs Media tradicionale. Konteksti 2019, Referim nga Lutfi DERVISHI gazetar; lektor pranë Universitetit të Tiranës, trajner; anlaist i zhvillimeve në gazetari dhe më gjerë.

10.30 – 11.00 Forum Diskutim të pranishmit mbi risi, alternativa, prurjet, avantazhe,  defektet e medias ne internet  sikurse hapësirat e bashkëveprimit mes modeleve. Moderohet nga L. Dervishi

11.00 – 11.10 Pushim

11.10 – 11 e 40 Gazetaria e Bazuar në Fakte si të aksesojmë të dhëna të hapura Moderon Mirela MILORI dhe Aranita BRAHAJ

11.40 – 12.00 Dy fjalë për një projekt të ri telviziv, Emisjoni 31 Minuta në TVSH (folës një nga përfaqësuesit e Projekti)      

Gazetarët e përzgjedhur për tu bërë pjesë e kësaj tryeze do të njoftohen

AIS kundërshton paketën Ligjore Anti-Shpifje: Jo Censurë pa Vendim nga Gjykata Civile

Gjatë muajit Janar, AIS ka kundërshtuar publikisht dy draft ligje të propozuara nga Qeveria Shqiptare, si pjesë e paketës Anti-ShpifjeAmendimet e propozuara për Ligjin mbi Mediat Audio Vizive dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike, parashikojnë që institucione administrative jo gjykatë, të urdhërojnë mbyllje dhe censurim total të portaleve që janë regjistruar në hapësirën virtuale shqiptare dhe në vende të tjera. AIS ka përgatitur një raport me kundërshtime dhe propozime për paketën anti-shpifje, ka marrë pjesë në disa tryeza të organizuara nga Qeveria apo Institucione jo Qeveritare, dhe i është bashkuar qëndrimit kundër të organizatave në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut.

KLSH me një instrument Inovativ, Zgjidhjet Software Data Mining dobishmëri për Transparencë dhe Anti-Korruspion

Institucioni Shqiptar i Auditit Suprem ka tashmë një instrumentinovativ, të dobishëm dhe transparent për të evidentuar dhe mirëstrukturuara impaktin në media dhe publik. Zgjidhjet Software të modelit Data Mining janë risi në fushën e ICT. Ato janë aplikuar vetëm në dekadën e fundit, fillimisht nga bizneset por aktualisht edhe nga Sektori Publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit KLSH është institucioni i parë në vend që aplikon këtë zgjidhje software për të bërë detektim, mirë-strukturim dhe katalogim të çdo artikulli dhe publikimi teknik që lidhet me Punën dhe Impaktin Institucional. Kjo zgjidhje software është implementuar nga organizata AIS në kuadër të projektit të mbështetur nga USAID, me projektin “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”. Instrumenti është finalizuar në Nëntor 2018 si një instrument me dobishmëri të lidhur me transparencën dhe anti korrupsionin.

Menaxhimi i Shoqërive Tregtare të Zotëruara nga Publiku në periudha Elektorale, AIS starton monitorimin e tyre për Zgjedhjet 2019

Në vend funksionojnë dyqind e njëzet kompani të zotëruara nga një institucion publik bashki apo ministri. Menaxhimi dhe performanca e tyre është me rëndësi, ato janë asete publike, subvencionohen me para publike dhe ofrojnë shërbime utilitare të domosdoshme. Në zgjedhjet e vitit 2017 u artikuluan mjaftueshëm raste të influencës zgjedhore që lidhen edhe me asete të state owned company. AIS ka startuar punën për zbatimin e projektit “Monitorim mbi keqpërdorimin e fondeve publike nga kompanitë shtetërore gjatë periudhave zgjedhore”. Projekti mbështetet nga programi i USAID, “Accelerated Civic Development and Cooperation”. Qëllimi i projektit është të edukojë dhe fuqizojë qytetarët nëpërmjet informacionit dhe transparencës mbi mundësitë e keqpërdorimit të parave të tyre nga kompanitë e zotëruara nga shteti, asetet dhe burimet njerëzore gjatë periudhës Zgjedhore 2019 dhe të kontribuojë në uljen e korrupsionit zgjedhor , sigurojë llogari-dhënien e kompanive publike dhe mirëqeverisjen e tyre.