Themeluesja dhe Aktivistja e AIS fiton çmim përkontribut unik me transparencë përmes OpenCorporatesAlbania

Besjana Hysa themeluese dhe aktiviste e organizatës AIS promotor të Open Data për Shqipërinë u nderua me çmimin “Pëllumbi i Bardhë” një çmim mirënjohjeje dhe vlerësimi për figura të cilët përmes veprimeve civile të guximshme kanë kontribuar në më të mirë të publikut të gjerë. Çmimi u akordua me motivacionin për kontribut unik në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies me asete publike përmes platformës OpenCorporates.Al

Ceremonia u zhvillua në datën 3 Prill në Tiranë.

Ky çmim është në vijimësi të zbatimit të një nisme të Partners Shqipëri në bashkëpunim me Partners për Ndryshim Demokratik në Sllovaki në kuadër të forcimit dhe përmirësimit të partneritetit dhe bashkëpunimit të Organizatave Jo Fitimprurëse me qeverisjen vendore, për një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse. Open Corporates Albania është një platformë me të dhëna të hapura për shoqëri biznesi të cilat janë njëkohësisht kontraktore me bashkitë për zbatimin e kontratave të rëndësishme publike në
investime dhe shërbime. Platforma kontribuon në llogaridhënie mbi mënyrën se si janë shpërndarë kontratat publike tek operatorë të ndryshëm ekonomik. Gjithashtu të dhënat e hapura lehtësisht të gjetshme, kuptueshme dhe të dobishme ndihmojnë në skanimin e integritetit të kontraktorëve privat në kontrata publike.

Kronika ne Top Channel për Shell Companies

Gazetarja: Një pjesë e mirë e koncesioneve në vlera të mëdha monetare dhe në afate të gjata në vendin tonë, i janë dhënë kompanive guaskë, të cilave nuk u dihen aksionerët dhe janë të regjistruara në vende si Holanda.

Aranita Brahaj: N.q.s. ne do të shikojmë vetëm 11 kontrata konçensionare, të cilat kanë mbështetje nga buxheti i shtetit, ne do të shohim që ndër 11 kemi një numër të lartë, ndoshta 50% e tyre, të cilat janë kompani për të cilat ne nuk e kemi të qartë se cilët janë zotëruesit apo paketat e tyre kontrolluese janë të regjistruara në vende të cilat veprojnë për sisteme guackë (shell) kompani ose off shore.

Gazetarja: Sipas znj. Brahaj nuk ka vullnet të autoriteteve për të kontrolluar integritetin e këtyre kompanive të huaja të cilat fitojnë shuma të mëdha monetare në vendin tonë. Këto kompani nuk duhen lejuar të mbështeten me fonde publike.

Aranita Brahaj: Nuk ka asgjë të keqe ndoshta që të pranojmë kompani, të cilat ushtrojnë aktivitet tregtar në Shqipëri, kompani të cilat i rezervojnë të drejtën e konfidencialitetit për zotëruesit, por ama ky kriter nuk duhet të ekzistojë në momentin që këto kompani bëhen kontraktorë publikë.

Gazetarja: Mungesa e kontrollit të detajuar ndaj këtyre kompanive sipas Brahës lidhet edhe me interesa të caktuara të palëve.

Aranita Brahaj: Apo janë kompani të cilat, në ndonjë rast, mund të kenë edhe lidhje ose konflikt interesi, mund të jemi edhe në kushtet e State Capture që do të thotë shteti e ka lenë vetë me mungesë vullneti, pra qeverisja e ka lënë vetë me mungesë vullneti këtë praktikë të pakontrolluar ose disa mungesa në legjislacion për të lënë mundësinë që të ketë kontrata ku palë të caktuara, entitete të caktuara, përfitojnë dhe nuk kemi këtu një qeverisje në interes publik, por kemi një qeverisje e cila është në interes të palëve.

Gazetarja: Në fakt, në vendin tonë ka kompani të cilat nuk kanë ndonjë background në sektorë të caktuar, ndërkohë që shpallen fitues në atë fushë.

 

Të rinjtë në Kurbin dhe Lezhë përfitues të projekteve IPA ndërkufitare Shqipëri –Kosovë

  • Të rinjtë në Kurbin dhe Lezhë përfitues të projekteve IPA ndërkufitare Shqipëri –Kosovë
  • Aftësimi Profesional në Teknologji Informacioni, Kurbin dhe Lezha mbështetje nga Programet e EU
  • Punësim pa emigruar, ICT një sektor i mundshëm punësimi në distancë

Open Data Kosova dhe AIS kanë dhuruar këtë fillim jave 18 kompjutera në pesë shkolla në Kurbin dhe Lezhë .  Këto kompjutera janë vënë në dispozicion të shkollave në kuadër të Projektit Edukimi i Hapur TIK për Punësimin e të Rinjve” , një projekt ndërkufitar i financuar nga fondet IPA të BE-së. Përfituese në Shqipëri janë shkolla Profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë dhe Katër shkolla të mesme publike në territorin e bashkisë Kurbin, konkretisht shkolla e Laçit; Gorresë; Milotit dhe Mamurrasit. Në ceremonitë e dhurimit marrin pjesë drejtues të zyrës arsimore Kurbin dhe Shkollës profesionale Kolin Gjoka në Lezhë. Nga zbatuesit e Projektit dhurimet u bënë nga Dafina Olluri si përfaqësuese e ODK dhe Besjana Hysa përfaqësuese e AIS.

 

Projekti  synon në rritjen e aftësive profesionale të të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë në sektorin e teknologjisë së informacionit ICT. ODK dhe AIS kanë krijuar një platformë në gjuhën shqipe me emrin Kursori. Platforma shërben për kurse dhe trajnime online, për të rinj të cilët pa kosto dhe nga zona ku banojnë, mund të aftësohen profesionalisht.

 

Sektori i teknologjisë është sektori që ofron numrin më të madh të vendeve të punës në EU dhe Rajon. Punësimi në këtë sektor ka tarifa të mira pagesash dhe është i mundur të aplikohet edhe në distancë, pa emigruar nga zona ku banon. Njohuritë dhe aftësitë profesionale në teknologji informacioni garantojnë punësim të sigurt dhe me tarifa të mira. Aftësitë në përdorimin e teknologjisë së informacionit janë të nevojshme dhe domosdoshme edhe për profesionist të sektorëve të tjerë si turizëm, shërbime, tregti dhe industri. Projekti ka zgjedhur për Shqipërinë zonën e Lezhës dhe Kurbinit, duke vlerësuar përqendrimin e popullsisë në këtë zonë; nevojën për shfrytëzim më të mirë të resurseve dhe potencialit njerëzor dhe natyror që ofron zona. Kurbini dhe Lezha janë dy bashki që për shkak të pozicionit gjeografik dhe potencialit në turizëm, kanë bindshëm mundësi bashkëpunimi dhe shkëmbimi me Kosovën. Projekti synon që mbi 500 të rinj nga  këto pesë shkolla të përfundojnë të paktën një nga programet e aftësimit online në platformën Kursori. Kjo bën të mundur fuqizimin e tyre në tregun e punës. Projekti zbatohet deri në Mars 2020. Nxënësit e shkollave përfituese do të ndihmohen gjatë trajnimit online edhe nga Drejtues teknik të Projektit. Platforma është e hapur për këdo. Vec aftësimit të rinjtë do të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga evente të përbashkëta dhe shkëmbime me student të Universitetit Ukshin Hoti Prizren profilet shkenca Kompjuterike, dhe Universitetin Haxhi Zeka Fakulteti i Biznesit në Pejë.

 

Foto Galeri

AIS në Media: Edicioni informativ në TV Kombëtar TopChannel raporton mbi Ankesësn e AIS kundër Shqipërisë në Gjykatë Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Edicioni informativ në TV Kombëtar TopChannel data 3 janar 2019 ka raportuar mbi Ankesësn e një Organizate Jo Qeveritare kundër Shqipërisë në Gjykatë Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë gotitur nga Vettingu dhe për pasojë janë jofunksionale. Për këtë shkak janë me dhjetra, cështjet e mbetura në pritje për shqyrtim. Organziata AIS ka një cështje rekurs të bllokuar në Gjykatën e Lartë. Për këtë organizata i është drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të njeriut me pretendimin se Shqipëria po shkel nenin 6 të Konventës dhe të drejtat e njeriut për gjykim në një afat të arsyeshëm. Gjykatës Europiane i është kërkuar që të shqyrtojë cështjen në themel sa kohë që nuk mund të parashikohet se kur do të rifillojë të funksionojë Gjykata e Lartë në Shqipëri

Për të parë kronikën klikoni këtu

KLSH me aplikacione web për monitorim dhe rritje të transparencës

Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi për të dytin vit rradhazi  ‘Muajin e Hapur 2018’, në periudhën 25 Tetor – 14 Dhjetor 2018. Gjatë dy ditëve të hapura, Instituti Shqiptar i Shkencës u ftua nga KLSH për të prezantuar instrumentet e zhvilluara për këtë institucion, në kuadër të zbatimit të Projektit të USAID, ‘Transparenca në Sistemin Shëndetësor’.

Më 15 dhe 21 Nëntor, Instituti Shqiptar i Shkencave prezantoi në ambjentet e KLSH-së katër instrumentet e zhvilluar, përkatësisht Red Flags dhe Open Data në ditën e parë dhe Data Mining e Mekanizmin e Ankesave ditën e dytë. Të katër këto instrumente janë zhvilluar me qëllim rritjen e transparencës së KLSH-së dhe lehtësimin e procedurave për evidentimin e problematikave dhe publikimin e rezultateve nga raportet e auditimit. 

Këto aplikacione synojnë të fuqizojnë institucionin e pavarur e rrisin transparencën e tij, duke i dhënë atij mundësi monitorimi të procedurave të prokurimit të realizuara nga institucionet publike; sinjalizimi në kohë reale të tenderave apo kontratave me probabilitet për keqpërdorim, pabarazi në garë, favorizim, klientelizëm apo korrupsion; komunikimi më të lehtë e eficient me qytetarët; publikimi të raporteve në formatin e të dhënave të hapura (më lehtë për t’u lexuar, shkarkuar e ri-përdorur); krijimi të një baze të dhënash me artikuj të përgatitur nga punonjës të KLSH-së e artikuj me tematika që janë në fokus të KLSH.

Pyetjes së publikut mbi vazhdimësinë e këtyre instrumenteve, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Znj Islami ju përgjigj se të gjitha indiciet që do të merren nëpërmjet këtyre instrumenteve, do të përfshihen në planin e auditimeve të KLSH-së si dhe përdorimi i mekanizmave është bërë pjesë e rregullores së brendshme të KLSH, duke filluar që nga mekanizmi Red Flags.

Programi Ekskluziv zbardh të dhëna të raporteve mbi deklarimin e pasurisë së Deputetëve

Vetting dhe kontroll i aseteve, pasurive dhe interesave ekonomike për Përfaqësues të Politikës Ligjvënës. Kjo ka qenë një nga çështjet e diskutuara dhe konkretizuar edhe më një propozim ligjor në Parlamentin e Shqipërisë. AIS promotor për Open Data Albania dhe Instituti i Studimeve Politike kanë analizat e tyre mbi përfaqësimin në parlament të njerëzve me pushtet ekonomik, konfliktin e interesave për deputet biznesmen, lidhje të parasë me politikën. Programi televiziv Ekskluziv në TV kombëtar Top Chanell, ka investiguar mbi përmasat e fenomenit dhe nevojën për një vetting mbi Pasurinë e Deputetëve. Investigimi ka titullin Varfëria e Milionerëve. Në datën 21 Dhjetor 2018 në kuvend u votua kundër ligjit të propozuar nga Partia Demokratike për Vetting për figurën e Deputetit.

Monitoro Kontratat nëpërmjet të dhënave, Sektori i Shëndetësisë në Shqipëri

Monitoro Kontratat nëpërmjet të dhënave, Sektori i Shëndetësisë në Shqipëri nxjerr në pah problematikat mbi në shpërndarjen e parave sipas kontraktorëve. 13 mijë kontrata të tenderuar nga institucione të shëndetit publik në vend (2016 – 2018) janë fituar nga 586 kontraktor , shoqëri biznesi. 61% e këtyre kontratave janë finalizuar në tendera me vetëm një operator konkurrues në garë ndërsa 25% e tenderëve janë procedura të mbyllura me negocim . Prokurime Transparente në sektorin shëndetësi jo vetëm open up të dhëna për kontraktimet e sektorit por krijon mundësi edhe për analiza e vizualizime të informacionit. Sëshpejti në këtë databazë do të aplikohet edhe skanimi me algoritëm read flag për tendera që kanë risk për pabarazi, mungesë konkurrence apo situate klienteliste.

Raportet Gjinore në drejtimin e Shoqërive Publike

Open Data Albania prezantoi sot në eventin Leviz Albania për Barazinë Gjinore, Raportet Gjinore në drejtimin e shoqërive publike duke veçuar ato që zotërohen nga Bashkitë. Shoqëri Tregtare, aksione apo kuota të të cilave zotërohen nga një institucion publik dhe buxhetor njihen si shoqëri me zotërim publik, në kontekstin e këtij artikulli shoqëri publike. Në Republikën e Shqipërisë janë të regjistruara në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) dyqind e njëzetë shoqëri publike, nga të cilat njëqind e trembëdhjetë zotërohen nga Bashkitë. Nga këto 113 shoqëri aksionare vetëm gjashtë kanë një administrator të gjinisë femërore. Pra, raporti gjinor i administratorëve të shoqërive publike që zotërohen nga bashki është 5.3% administrator femra dhe 94.7% administrator meshkuj. Nga përditësimi i ndryshimeve kryer nga këto shoqëri pranë QKB në periudhën 2016-2017 rezulton se kanë ndryshuar administrator 21 shoqëri. Nga këto vetëm një shoqëri ka emëruar një administrator të gjinisë femërore.

Lëvizja Lezha e Qytetarëve zbardh kontratën korruptive

Lëvizja Lezha e Qytetarëve zbardh kontratën korruptive . Këto ditë në Bashkinë Lezhë janë zhvilluar disa protesta qytetare nisur nga shqetësimi i mungesës se ujit te pijshëm ne banesa. Një nisem jo qeveritare Lezha për Qytetaret ka investiguar për kontratat dhe pagesat e bëra 2 vitet e fundit për ketë shërbim tashmë të munguar. Investigimi është bazuar në të dhëna të databazave tona dhe në përfundim rezulton qe prokurimi dhe kontrata janë problematike (fiktive dhe koruptive). Procedura e prokurimit është shoqëruar me kualifikime të të gjithë ofertuesve duke lëne një kompani te caktuar e cila është paguar për vlerat e kontratës ne mënyre fiktive.
Lëvizja Lezha e Qytetarëve zbardh kontratën korruptive. Para të shpenzuara dhe punime të munguara. Qytetarët mbeten pa ujë. Të dhëna të DatabazësOpen Procurement Albania zbardh të dhëna për një tender fiktiv me pabarazi dhe manipulime.
Ku shkojnë paratë e qytetareve? Pse tenderët dhe kontratat me shuma te mëdha parash nuk sjellin shërbime as minimale. Çfarë ndodhi me tenderin e ujësjellësit në Troshan Lezhë. Lëvizja Lezha e Qytetareve advokon për te zgjidhur problemin e qytetareve qe kane mbetur pa ujë te pijshëm. Ndërkohe databazat Open Procurement dhe Spending Data Albaniazbardhin historinë e kontratave korruptive ku paratë janë shpenzuar ne mënyre fiktive.

Ky reagim dhe protestë qytetare është përcjellë në edicione tv të mediave lokale dhe kombëtare.
Ora News  
 Report Tv

Qeveria shqiptare ka investuar rreth 1 miliard lekë të vjetra për ndërtimin e ujësjellësit të Troshanit, në njësinë administrative të Blinishtit, por edhe pse ky ujësjellës është marrë në dorëzim prej Bashkisë së Lezhës, si projekt i përfunduar nga ana e kompanisë kontraktuese, banorët nuk marrin furnizim me ujë.
Historia zë fill në muajin mars të vitit 2015, kur Troshani varej nga Komuna Blinisht, ndërkohë që në fund të vitit që lamë pas, ndërkohë që tashmë mendohej se banorët kishin gjetur zgjidhjen. Por, kjo nuk ka rezultuar ashtu siç shkruhet në dokumentet zyrtare, e vetë banorët janë ata që e kanë bërë publik këtë skandal, duke protestuar para Bashkisë së Lezhës se nuk kanë asnjë pikë ujë në shtëpitë e tyre.

TENDERI I PËRFOLUR

TTenderi për ndërtimin e ujësjellësit të fshatit Troshan nuk ka qenë aq i mbarë, sidomos edhe për faktin se u realizua pak kohë para implementimit të Reformës Administrativo-Territoriale, pikërisht në kohën kur kryekomunarët po dorëzonin “çelësat” dhe këto njësi kaluan në varësi të Bashkisë së Lezhës. Pikërisht më datën 20.03.2015, është publikuar nga Komuna e Blinishtit, në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Ndërtim Ujësjellësi – Fshati Troshan”, me fond limit 83.146.690 lekë (pa TVSH). Ndërsa me TVSH, ky tender arrin në vlerën 99 milionë e 776 mijë lekë. Rreth një muaj pas hapjes së tenderit, konkretisht më 17 prill 2015, komuna Blinisht ka zhvilluar procedurën ku kanë marrë pjesë tetë kompani të ndryshme, shtatë prej të cilave janë skualifikuar për dokumentacion të ndryshëm dhe ka fituar kompania që kishte paraqitur pothuajse ofertën më të lartë, pikërisht “Alb Tiebfau” shpk.

Më poshtë, ofertat e secilit konkurrues:

1. “Kevin Construksion” sh.p.k. 52.612.453 lekë, skualifikuar
2. “Geci” sh.p.k. 63.496.191 lekë, skualifikuar
3. “Ndregjoni” sh.p.k. 65.398.597 lekë, skualifikuar
4. “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. 69.920.900 lekë, skualifikuar
5. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “B – 93” sh.p.k.
& “Be – Is”sh.p.k. 72.533.982 lekë, skualifikuar
6. “Alko Impex General Construcion” sh.p.k. 75.638.592 lekë, skualifikuar
7. “Alb Tiefbau” sh.p.k. 82.946.690 lekë, kualifikuar
8. “Gjergji” sh.p.k. 83.057.628 lekë, skualifikuar

Kjo procedurë, e cila u cilësua si korruptive nga ana e kompanive pjesëmarrëse kaloi edhe në ankimime të ndryshme, por ato janë rrëzuar njëra pas tjetrës. Madje, një nga kompanitë më “luftarake” për këtë tender “Be – Is”sh.p.k, u skualifikua për faktin që duhej të kishte paraqitur një gjendje bankare jo më të vogël se vlefta 4.165.649, por dokumenti bankar tregonte vleftën prej 4.147.127 pra një diferencë prej 18.522 lekë. Kjo bie ndesh me ligjin dhe për këtë arsye kompania është ankuar pranë komisionit të prokurimit publik, por argumentet e saj nuk janë marrë parasysh. lekë.

Pas rrëzimit të ankesave, kompania fituese nisi zbatimin për të ndërtuar ujësjellësin e Troshanit, të cilin, sipas dokumentacionit zyrtar, e ka përfunduar në vitin 2016. Kjo deklarohet pikërisht në buxhetin faktik të Bashkisë së Lezhës, ku thuhet: “Investimi për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Troshan është realizuar pak a shumë në masën që ishte parashikuar me vlerën prej 42.5 milionë lekësh”.

Nga ana tjetër, Bashkia nënvizon në deklaratën e saj, se supervizimi dhe kolaudimi këtij ujësjellësi, i cili pritej të ishte në vlerën 0.4 milionë lekësh për këtë periudhë është realizuar në masën 0%, pra nuk ishte hedhur asnjë lekë për supervizim dhe kolaudim.
Por pavarësisht se gjatë vitit 2016, Bashkia e Lezhës nuk kishte kryer shpenzime për supervizimin e punimeve dhe kolaudimin e ujësjellësit, ajo kishte realizuar dy tenderë dhe kishte kontraktuar dy kompani private për të kryer këto detyra. Konkretisht, më 12 tetor 2015, Bashkia Lezhë ka lidhur kontratë me kompaninë PALMA CONSTRUCION SHPK në vlerën e 245 mijë lekë të reja për supervizimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit, por deri më sot nuk rezulton të ketë bërë ndonjë pagesë.

Ndërsa më 2 dhjetor 2016, Bashkia Lezhë ka lidhur kontratë me kompaninë ARENA MK me vlerë 1950 lekë të reja pa TVSH për kolaudim të ujësjellësit.

PARATË E DHËNA SIPAS VITEVE

SDeri më sot, Bashkia e Lezhës ende nuk ka paguar para për supervizimin dhe kolaudimin, megjithëse tashmë mësohet se ka marrë në dorëzim ujësjellësin e ri, për të cilin janë paguar nga buxheti i shtetit, pothuajse 70% e vlerës totale të tenderit. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se rreth 35 milionë lekë të reja janë paguar gjatë viteve 2015-2016, pikërisht për kompaninë “Alb Tiefbau”, ndërsa 29 milionë lekë të reja në tremujorin e parë të vitin 2017, ku mbeten edhe rreth 25 milionë lekë të reja për tu paguar ndaj saj.

UJËSJELLËSI JASHTË PËRDORIMIT

Po të shikohen dokumentet zyrtare, gjithçka rezultonte në rregull dhe askush nuk kishte informacion se çfarë ka ndodhur konkretisht, nëse vetë banorët nuk do kishin reaguar ndaj këtij ujësjellësi që nuk funksionon.
Fillimisht, ata dolën në fund të muajit Janar në protestë, ku kërkuan shpjegime mbi mungesën e ujit. Në atë kohë, ata u takuan edhe me Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u premtoi se do të zgjidhte situatën.

Ata pritën 6 muaj, por asgjë nuk ndryshoi.Sot, dhjetëra familje të fshatit Troshan dolën në protestë para bashkisë, pasi po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta vere.
“Edhe pse kanë kaluar vetëm një vit nga ndërtimi i ujësjellësit të ri për të cilin u harxhuan 1 miliard lek situata vijon të jetë e njëjtë”, thanë ata, duke shtuar që me ujësjellësin e ri janë bërë abuzime, pasi është ndërtuar jashtë çdo lloji parametri teknik. Madje, ata kërkojnë një zgjidhje dhe verifikim nga autoritetet shtetërore. “Depoja që është bërë atje, është bërë krejt në kushte të jashtëligjshme, të cilës veç depo nuk mund t’i thuash. Ajo mund të jetë një depo ku mund të pinë ujë kafshët, jo njerëzit. Ajo depo mbi 70 cm i ka llom brenda saj”, u shpreh një banor i fshatit Troshan. Një banor tjetër i këtij fshati u shpreh se është bërë tre herë ujësjellësi i Troshanit dhe sërish banorët nuk kanë ujë.

KONTRADIKTAT E BASHKISË

Pra në dokumente rezulton se ky ujësjellës është i përfunduar, ndërsa në realitet, banorët nuk kanë ujë. Kjo përgjegjësi, tashmë duket se bie mbi autoritetin e Bashkisë, e cila e ka marrë në dorëzim. Madje, kjo vërtetohet edhe nga deklaratat e përfaqësuesve të Bashkisë.
“Ujësjellësi i ri i fshatit Troshan në Njësinë Administrative të Blinishtit në Lezhë nuk do të merret në dorëzim nga Bashkia, pa u furnizua me ujë të pijshëm të gjitha familjet ashtu siç e parashikon projekti”, ka qenë deklaratat e kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj gjatë takimit që zhvilloi me një përfaqësi të banorëve të këtij fshati, pikërisht më 31 janar 2017. Sipas Frrokajt, Bashkia do të ngrinte një grup pune për të verifikuar mënyrën e zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm për këtë zonë.

Ndërsa sot ka dalë në deklaratë nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili konfirmon që Bashkia e ka marrë në dorëzim, edhe pse projekti nuk është zbatuar siç ishte parashikuar në dokumente. “Mund të ketë probleme edhe me projektin që nuk është zbatuar siç duhet, por në dijeninë time, ujësjellësi është marrë në dorëzim të përkohshëm, që ka dhe garancinë 1 vjeçare, ndërkohe ne do të ndërhyjmë”, deklaroi Hafizi. Më tej, ai mundohet të kalojë përgjegjësinë te ndërhyrjet e paligjshme. “Një ndër shkaqet kryesore të mungesës së ujit janë ndërhyrjet e paligjshme”, thotë ai, duke pretenduar se bashkia do të ndërhyjë menjëherë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, i cili tashmë duhej të ishte zgjidhur që në muajin janar të këtij viti.

PA UJË DHE PAGUAJNË FATURAT

Gjithsesi, kjo tragji-komedi nuk përfundon me kaq. Pavarësisht pretendimit të bashkisë, banorët thonë se nuk kanë pasur asnjëherë ujë dhe si mund të jenë bërë ndërhyrje të paligjshme, kur vetë bashkia ka bërë kolaudimin e tij. Ndërkohë, absurditeti më i madh për ta është fakti se pavarësisht se mungon uji, atyre u dërgohen fatura çdo muaj, të cilat janë të detyruar për t’i paguar. Disa thonë se faturat u vinë afrofe, ndërsa disa të tjerë me vlerë të harxhuar, por ujë nuk kanë asnjë ditë në çezmat e tyre.